Ndërlidhjet

GNK: Tranizicioni i brishtë i Kosovës


Kosova ka ndërmarrë hapin e parë në ndërtimin e shtetit, por komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në përmbushjen e zotimeve dhe perspektiva e një ndarjeje faktike po rritet, ka vlerësuar Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Në raportin e fundit të publikuar sot "Tranzicioni i brishtë i Kosovës, GNK ka thënë se komuniteti ndërkombëtar që nga 17 shkurti, nuk ka vendosur një bazë të qëndrueshme.

Në raport thuhet se pavarësia është dashur të mbikëqyrej, bazuar në propozimin e Ahtisaar-it, por, përkrahësit e planit, nuk i kanë mbajtur zotimet e tyre, për shkak të kundërshtimit serb dhe rus, vullnetit të pamjaftueshëm politik dhe koordinimit të dobët.

"Dhuna e madhe është evituar, por qetësia është mashtruese", ka thënë drejtori i GNK për Kosovën Aleks Anderson.

Nëse ndarja faktike vazhdon, serbët në jug të lumit Ibër do të jenë të rrezikuar, do të rritet presioni për të rishkruar kufijtë në shtetet e ish-Jugosllavisë, dhe perspektiva e anëtarësimit të këtyre shteteve në BE do të zbehet, thohet në raport.

Raporti vë në në pah se Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) i mungon autoriteti i planifikuar për të.

BE ishte pajtuar në shkurt, që të vendosë misionin e EULEX-it prej 2000 personash, por vetëm një e katërta e këtij stafi janë në terren.

GNK thekson se misioni i OKB-së ende funksionon si administratë e përkohshme, dhe po negocion aranzhime speciale për serbët e Kosovës me Beogradin.

Grupi shkruan se tërheqja e UNMIK-ut dhe zbarkimi i EULEX-it në zonat e banuara me serbë, mbetet e paqartë.

GNK nënvizon se qeveria e re e Serbisë është e etur të lëvizë drejt anëtarësimit të BE-së, por nuk e dëshiron praninë e BE-së në Kosovë.

Grupi i rekomandon BE-së që në bisedimet për kandidaturë me Beogradin ta sigurojë zbarkimin e misionit në tërë Kosovën.

Sipas këtij grupi, EULEX duhet të zbarkohet më 1 dhjetor, ndërsa të gjitha palët duhet pajtuar për rishikim te misionit më së largu më 2010.

Reperkusionet për Kosovën nga ngjarjet e fundit në Gjeorgji mbesin të shihen, shkruan GNK, duke vënë në pah se Rusia po merr shembull Ballkanin si justifikim për veprimet e saj në Oseti dhe Abkhazi.

"Kosova po dëshmon të jetë një test i vështirë dhe vendimtar për politikën mbrojtëse dhe të sigurisë së BE-së, por vullneti politik i parë para shkurtit, po zbehet", ka thënë Sabine Freizer, drejtoreshë e GNK-së për Evropën.
XS
SM
MD
LG