Ndërlidhjet

logo-print

Anulohet zgjedhja e Avokatit të Popullit


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka hequr nga rendi i ditës zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke e anuluar konkursin. Kjo pikë është hequr nga rendi i ditës me kërkesë të kryeparlamentarit Jakup Krasniqi. Sipas tij, me këtë veprim, Kuvendi po ruante autoritetin, por edhe dinjitetin e vet. Në reagimet e tyre, disa deputetë shprehën pakënaqësi me këtë vendim të Kuvendit, duke besuar se moszgjidhja e Avokatit të Popullit ishte rezultat i mosharmonizimeve me ndërkombëtarët.


Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur as sot që të zgjedhë Avokatin e Popullit. Kësaj radhe, pa ndonjë sqarim shtesë, pika e zgjedhjes së Avokatit të Popullit është hequr nga rendi i ditës.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se me këtë veprim, Kuvendi ka ruajtur dinjitetin e institucionit më të lartë përfaqësues.

Ai nuk ka sqaruar nëse ruajtja e autoritetit dhe dinjitetit nënkuptonte heqjen e kësaj pike të rendit të ditës, në mënyrë që më pas të mos vinte deri te ndërhyrja e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, pasi që çështja e zgjedhjes së Avokatit të Popullit ishte proceduar në Kuvend pa harmonizim paraprak me ndërkombëtarët, pavarësisht se bëhet fjalë për një post që kërkon mbështetjen e vendorëve dhe ndërkombëtarëve, e sidomos të pakicave.

Sidoqoftë, Krasniqi tha se vendimi i Kuvendit që të anulojë konkursin dhe rinis procesin nga fillimi, ishte i drejtë.

“Dua t’ju them se ajo që është futur në rendin e ditës, është futur në konsultime të plota me të gjithë faktorët relevantë në Kosovë. Por, në ndërkohë, si duket ka pasur ndonjë pakënaqësi dhe më është dashur dhe më është dukur që çështja më e drejtë, është që të ndërpritet kjo procedurë shumë e zgjatur dhe të fillojnë procedurat e reja”,
tha Krasniqi.

Me vendimin e shumicës në Kuvend, nuk është pajtuar një pjesë e deputetëve nga tabori i opozitës. Bajram Kosumi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se me këto zvarritje të vazhdueshme që po i bëhet përzgjedhjes së Avokatit të Popullit, po cenohet institucioni dhe kredibiliteti i tij.

“Në aspektin politik mund të them se vendimi i sotëm i Kuvendit e zhvleftëson edhe një herë punën që është bërë, e zhvleftëson vetveten dhe tregon joseriozitetin dhe pazotësinë e institucioneve të Kosovës për t’i marrë vendimet vetë dhe dëshmohet përfundimisht se institucionet e Kosovës punojnë sot për nesër”,
theksoi Kosumi.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Lutfi Haziri, tha se heqja nga rendi i ditës i kësaj pike, ishte e domosdoshme, në mënyrë që të mos dëmtohej kredibiliteti i Kuvendit, por edhe i kandidatëve që kishin konkurruar.

“Për shkak të ndarjes së pushteteve dhe mundësisë së ushtrimit të detyrës si institucion më i lartë dhe mosdamkosjes së procesit dhe kandidatëve, ne e kemi mbështetur iniciativën e kryetarit Krasniqi që të shkojë në rishpallje konkursi për këtë pozitë të lartë”, pohoi Haziri.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli, parti kjo opozitare që krahas pozitës, sot e kishte miratuar anulimin e konkursit, tha se një vendim i tillë është më i dobishëm, sesa të pasonin më pas reagimet pas zgjedhjes. Por, ajo që tash Kuvendi duhet të bëjë, shtoi Makolli, është që të mos ketë edhe më tutje zvarritje.

“Nuk kemi qenë të interesuar që edhe më tutje të ketë paqartësi edhe më të madhe. Në të vërtetë, institucioni i Ombudspresonit, ose Avokati i Popullit, që duhet të jetë në krye të këtij institucioni, duhet të jetë një person, i cili është i pranueshëm për të gjithë popujt e Kosovës, në veçanti për pakicat kombëtare dhe natyrisht që Kuvendi do të duhej që në afatin sa më të shpejtë kohor ta zgjidhë këtë çështje”, tha Makolli.

Në konkursin për Avokatin e Popullit, në rrethin e ngushtë kishin hyrë tre kandidatë, Murat Jashari, Diana Toska dhe Sami Kurteshi. Por, me anulimin e konkursit, tani hapet mundësia që procedurat të nisin nga fillimi.

Gjatë mandatit të kaluar, Kuvendi pati votuar për zgjedhjen e Ombudspersonit, por në mungesë të shumicës së nevojshme asnjëri nga tre ish-kandidatët për këtë post, nuk pati marrë shumicën e nevojshme. Çështja e Avokatit të Popullit tashmë zvarritet me vite dhe në mungesë të tij, në Kosovë vazhdon të ketë një ushtrues detyre.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG