Ndërlidhjet

“Perceptimet për Murat Jasharin anulojnë konkursin”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Kuvendi i Kosovës, të enjten, ka shënuar dështimin e tretë në përpjekjet e tij trevjeçare për ta zgjedhur Avokatin e Popullit. Duke e mbështetur kërkesën e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe të dhjetë ligjvënësve të tjerë, shumica parlamentare është pajtuar që të hiqet nga rendi i ditës zgjedhja e Avokatit të Popullit, dhe i tërë procesi të kthehet në fillim. Me 45 vota për, 15 kundër dhe dy abstenime, legjislativi i shtetit ka marrë vendim që të hapet një konkurs i ri për këtë pozitë. Dështimi i Kuvendit për ta bërë shtetin me Avokat të Popullit ka ardhur si rrjedhojë e presioneve të jashtme, të cilat janë bërë mbi pozitën parlamentare, me qëllim që të parandalohet mundësia e emërimit të Murat Jasharit në këtë post. Jashari ka qenë në listë bashkë me Diana Toskën dhe Sami Kurteshin, si kandidat potencial për ta marrë nën drejtim institucionin e Ombuspersonit të Kosovës. Presionet e jashtme i ka pranuar vetë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ndonëse, ai ka mohuar që ato të kenë ardhur direkt në adresë të tij... I pyetur rreth mundësisë së ndërhyrjes së përfaqësuesit civil ndërkombëtar, Pieter Feith, në këtë rast, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë shkurt se nuk do të dëshironte që të paragjykonte reagimin që do të vinte nga ICO-ja në rast se Jashari do të zgjidhej në këtë post. Ndërkohë, jozyrtarisht, burime brenda ICO-së kanë mohuar implikimin e këtij mekanizmi në procesin e përzgjedhjes së Avokatit të Popullit, pasi, sipas tyre, kjo çështje nuk hyn në kuadër të marrëveshjes për implementimin e Pakos për statusin e Kosovës...

ZËRI
Për shkak të mungesës së rezultateve në njohjet ndërkombëtare të shtetit të ri, Qeveria e Kosovës planifikon që të ndërrojë taktikën e lobimit në marrëdhëniet me jashtë. Diplomacia kosovare nuk pritet që të veprojë më vetëm nëpërmjet aktiviteteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por do të aranzhojë kompani ndërkombëtare apo edhe agjenci që do të merren me përmirësimin e imazhit të Republikës së Kosovës gjithandej botës. Megjithëse këto variante janë kalkuluar edhe para se të shpallej pavarësia e Kosovës qysh në shkurt të këtij viti, materializimi i kësaj ideje ka arritur që të shtyhet vetëm pas nismës serbe për nxjerrjen e rezolutës në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara që do ta kërkonte mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. "Ne jemi në kërkim ndoshta të një logjike tjetër të lobimit, përveç asaj institucionale, të një logjike të krijimit të ndonjë agjencie ose kompanie ndërkombëtare, e cila do të ishte shumë më efektive. Besoj se shumë shpejt do të marrim masa konkrete në këtë drejtim", ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë, të enjten. Sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, me rishikimin e buxhetit të Kosovës për këtë vit janë paraparë rreth 3 milionë euro për ketë çështje. "Kemi një buxhet të ndarë për përmirësimin e imazhit të Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare dhe do ta shfrytëzojmë atë buxhet", ka thënë ai...

KOSOVA SOT

Tranzicioni i ndjeshëm i Kosovës është raporti më i ri i Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Organizata, ndër më prestigjiozet në botë për paralajmërimin e krizave, ka fajësuar komunitetin ndërkombëtar e posaçërisht atë evropian për dështim në Kosovë. Raporti i ICG-së thotë se komuniteti ndërkombëtar nuk e ka gjetur hapin e duhur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shtator. "Pavarësia supozohej se do të ishte e mbikëqyrur bazuar në projekt-planin e Ahtisaarit. Sidoqoftë, mbështetësit e pavarësisë nuk kanë mundur t'i mbajnë garancitë e tyre për shkak të kundërshtimeve ruse dhe serbe", fillon renditja në raport e argumenteve për dështim të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë. "Dhuna e madhe është shmangur, por kjo qetësi a paqe është mashtruese", ka shpjeguar Aleks Anderson, drejtor i ICG-së për Kosovën. Sipas tij, gjendja në terren është vështirësuar dhe ndarjet e mëtutjeshme do të çonin në humbjen e perspektivës evropiane. "Ndarjet midis zonave shqiptare dhe serbe janë zgjeruar. Nëse de fakto ndarja vazhdon, serbët e Kosovës, që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër, do të jenë të rrezikuar. Një trysni e tillë do të bënte rirreshtimin e gjithë popujve në ish-Jugosllavi në vija etnike, gjë që do të zbehte të ardhmen evropiane të këtij regjioni", ka tërhequr vërejtjen Anderson...

EPOKA E RE
Në bashkëpunim me Bankën Botërore, Qeveria italiane jep 650 000 euro për rininë kosovare. Ky plan konkret i është prezantuar dje ministrit të Kulturës, z.Valton Beqiri, nga ambasadori italian në Kosovë, z. Michael Luis Giffoni, i cili e vlerëson të domosdoshëm fokusimin te rinia. “Në një vend si ky, ku pjesa më e madhe e popullsisë përbëhet nga rinia, patjetër edhe vëmendja duhet të jetë aty. Duhet ta luftojmë papunësinë", ka thënë Giffoni, duke shpalosur idenë e tij për zhvillimin e ekonomisë kosovare. Këto para do të shpenzohen për aftësimin profesional të të rinjve, për shkollimin e tyre jashtë Kosovës në drejtimet e biznesit, ekonomisë, menaxhmentit, si dhe do të favorizojnë ngritjen e bizneseve në vend nga ata. Nga ana tjetër, z. Beqiri, i kënaqur për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për proceset politike para dhe pas pavarësimit të Kosovës, është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që bart. “Jemi të sakrifikuarit e prioriteteve të shtetit të ri, por kemi projekte konkrete dhe po punojmë për të ndjellë investitorët. Punësimi i të rinjve nuk është detyrë veç e ministrisë sonë, por të paktën ne po ngremë zërin në qeveri për problemet e tyre, si dhe po u ofrojmë ndihma organizatave rinore me te gjitha mundësitë që kemi”...

EXPRESS
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, të cilët po vazhdojnë takimet në Nju Jork, kanë marrë sinjale pozitive për njohje të shpejtë të pavarësisë së Kosovës. "Disa shtete evropiane dhe shtete nga Amerika Qendrore dhe Latine pritet të na njohin shpejt", ka thënë ministri Hyseni, të enjten për Express, gjatë një bisede telefonike. Ai nuk ka pranuar të japë hollësi tjera, por ka theksuar se përshtypja e tij është që të gjitha vendet me të cilat është biseduar, po e shqyrtojnë seriozisht çështjen e njohjes së Kosovës. "Ka shenja pozitive, shenja të mira, gjykuar nga takimet dhe bisedat që kemi pasur gjatë këtyre dy-tre ditëve, si dhe nga takimi i sotëm me ministrin e Jashtëm të Kuvajtit”, ka thënë ai. Delegacioni kosovar ka marrë premtime nga Maqedonia dhe Mali i Zi se këto dy shtete fqinje të Kosovës nuk do të vonohen në marrjen e vendimit rreth kërkesës së Kosovës për njohje të pavarësisë. Presidenti Sejdiu dhe ministri i Jashtëm Hyseni kanë pasur të mërkurën një drekë pune me ish-presidentin finlandez, Martti Ahtisaari, dhe me shefin e ICO-së, Pieter Feith, gjatë të cilës kryesisht është biseduar për procesin e njohjes së Kosovës dhe për proceset e brendshme politike në Kosovë, ka njoftuar Ministria e Jashtme...

BOTA SOT

Komandanti i Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes (BSHL), gjenerali amerikan Lari Kei, situatën e sigurisë në zonën e përgjegjësisë së kësaj brigade e ka vlerësuar si stabile. Në një takim me përfaqësuesit e mediave të Ferizajt të enjten, duke u ndërlidhur me aspektet e sigurisë, gjenerali amerikan tha se në këtë moment Shtërpca paraqet një situatë politike dhe jo një situate që është brengë e sigurisë dhe qetësisë. Ai shtoi se “ne jemi të vetëdijshëm se ka njerëz që e shfrytëzojnë situatën e atjeshme për të përparuar apo për të bërë pikë në agjendën e tyre. "Është çështja politike ose pyetja politike nga e cila ne po qëndrojmë larg. Premtimi ynë është që të ruajmë gjendjen e qetë dhe të sigurisë dhe të qëndrojmë jashtë dhunës dhe ne nuk do ta tolerojmë asnjë formë të dhunës në Shtërpce. Situata politike atje është shumë konfuze dhe ndoshta shkaktare është edhe mungesa e komunikimit në disa aspekte. Por, ne e dimë çdo ditë se çka ndodh atje, sikur siç e din edhe policia e Kosovës", u shpreh gjenerali Kei. Ai ka folur edhe për bashkëpunimin e mirë me policinë e Kosovës në këtë rrafsh, ndërsa ka shpjeguar se personalisht është i preokupuar me parandalimin e çdo akti të dhunës...

LAJM
I korruptuari në Kosovë, dikur, në fazën e ngopjes, mund të tregohet edhe i sinqertë dhe të japë vetë dorëheqje nga posti zyrtar që e mban, por që Qeveria, Prokuroria apo Gjykata ta shkarkojnë, iniciojnë hetime, apo ta dënojnë nën këtë akuzë, kjo s'ka bërë vaki deri tash. Krejt relacioni që e përshkon denoncimin sillet brenda një qarku të mbyllur, që nuk shkon më larg sesa një mllef që shfryhet publikisht nga kreu i Agjencisë Anti-korrupsion, që përcillet me një "mbështetje dhe me zotim të fuqishëm" të Qeverisë dhe përfundon, pluhuroset, griset e mbyllet pa ose me një vendim sinbolik e qesharak në protokollet e gjykatës. Korrupsioni në Kosovë nuk mund të thuhet se s'ka bërë një traditë. Pa u marrë me periudhat e mëhershme, vetëm prejse institucionet e vendit si gjuhë të parë zyrtare e kanë gjuhën shqipe, korrupsioni është në përmasa kolosale. Një dukuri që fill pas luftës nisi të ushtrohet në ndihmat humanitare, duke ua ndërruar destinacionin mbi gjysmës së tyre, aktualisht bëhet me tenderë milionësh që s'kanë lënë segment pa prekur, duke filluar nga ryshfeti për regjistrim a dhënie provimi në fakultet, futja pa rend në sallën e operacionit në spitalin publik e deri te projektet kapitale. Duke kaluar këto hallka, që realisht janë vetëm teknike, koka e korrupsionit duhet kërkuar tek institucionet politike-publike, që realisht janë burim i pashtershëm i kësaj dukurie, e deri te gjyqësori, i cili po me ushtrimin e nën ndikimin e këtij zanati ua lidh kokën rasteve...






XS
SM
MD
LG