Ndërlidhjet

Në veri, atmosferë e përshtatshme për krimin


Mitrovicë - ura qendrore

Mitrovicë - ura qendrore

Autoritetet e Prishtinës dhe ato ndërkombëtare janë në rrugë të mirë që të instalojnë institucionet legale në pjesën veriore, ku gjendja aktuale është e papranueshme, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Zenun Pajaziti.


Në pjesën veriore të Kosovës ka një atmosferë më të përshtatshme për krimin, sesa për rendin, ka thënë sot ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Zenun Pajaziti.

Këto komente, Pajaziti i bëri gjatë një konference të përbashkët për media, ku merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e pranisë civile e ushtarake ndërkombëtare në Kosovë.

Ministri Pajaziti tha se institucionet e Kosovës në bashkëpunim me ato ndërkombëtare vazhdojnë të angazhohen për kthimin e rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të Kosovës.

Prania simbolike e institucioneve, shtoi Pajaziti, nuk do të jetë e mjaftueshme përderisa atje të mos vendoset edhe zbatimi i rendit e ligjit.

Sidoqoftë, ministri Pajaziti tha se veprimet e autoriteteve të Prishtinës dhe atyre ndërkombëtare duhet të jenë shumë të kujdesshme, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e gjendjes në këtë pjesë të Kosovës.

“Ju e dini se ka shqetësime të qytetarëve atje, sidomos në atmosferën që është krijuar, një atmosferë më e përshtatshme për krimin, sesa për rendin. Jemi në rrugë të mirë, kemi një bindje edhe si institucione, edhe si partnerë me ndërkombëtarët, se shumë shpejt do të jenë të instaluara institucionet që kanë qenë dhe ato që duhet të krijohen atje”,
tha Pajaziti.

Ndërkohë, zyrtari për informim në misionin e EULEX-it, Nicholas Hawton, tha se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar që misionin e vet policor e gjyqësor ta shtrijë në gjithë territorin e Kosovës pa dallim, përfshirë edhe veriun.

Hawton tha se momentalisht EULEX-i mbetet ende në fazën e shtrirjes dhe nuk ka filluar ende me funksionimin si mision.

“Siç dihet, EULEX-i nuk është operacional ende dhe qëllimet tona janë që ky mision si i tëri të shtrihet deri në fund të vjeshtës apo në fund të vitit, kur edhe do të jetë plotësisht funksional”, tha zëdhënësi Nicholas Hawton.

Përderisa EULEX-i të mos jetë gati, autoriteti i vetëm ndërkombëtar në veri të Kosovës mbetet administrata e UNMIK-ut. Ndërkohë që atje ka edhe një prani të theksuar të strukturave paralele serbe që mbështeten nga Beogradi.

Edhe pse në procesin e rikonfigurimit dhe pakësimit të numrit të stafit, administrata e Kombeve të Bashkuara ka marrë sot mbështetjen e ministrit të brendshëm të Kosovës, Zenun Pajaziti, për rolin dhe angazhimin që po luan në këtë pjesë të Kosovës, në përpjekjet për kthimin e rendit dhe ligjit dhe ruajtjes së tërësisë territoriale të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG