Ndërlidhjet

Bush: Kongresi të veprojë shpejt për planin finansiar


Presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush sot i ka ripërsëritur thirrjen Kongresit që të veprojë shpejt lidhur me planin e tij 700 miliarda dollarësh për shpëtimin e industrisë finansiare amerikane.

Në një deklaratë të shkurtër, Bush tha se ligjvënësit kanë pasur mospajtime rreth disa aspekteve të planit, por nuk kanë pasur "mospajtime se duhet bërë diçka substanciale".

Deklarata e presidentit Bush u bë pasi mbrëmë dështuan bisedimet në Shtëpinë e Bardhë, ku përveç tij morën pjesë edhe liderë të Kongresit, si dhe dy kandidatët presidencialë, republikani John McCain dhe demokrati Barack Obama.

"Procesi legjislativ ndonjë herë nuk është edhe aq i mirë, por ne do ta kalojmë paketën. Ne do të ngritemi në nivel të përgjegjësive, Republikanët dhe Demokratët do të bëhen bashkë dhe do ta miratojnë planin shpëtimtar", tha Bush.

Para mbledhjes së sotme, lideri i shumicës në Senat Harry Reid i kritikoi politiket e presidentit por tha se ligjvënësit do të angazhohen për kapërcimin e krizës.

"Ne do ta kryejmë këtë punë, dhe do të mbetemi në seancë aq sa të duhet deri sa të kryhet, apo do të punojmë me presidentin për ta modifikuar planin e tij, që ta bëjmë më të mirë për taksapaguesit dhe pronarët e shtëpive", tha Reid.

Kryesuesi i Komitetit të Senatit për sistemin Bankar Christopher Dodd ishte edhe më kritik.

"Kjo nuk duhej të ndodhë. Situata në të cilën jemi sot mund të shmangej. Nuk ishte si uragani Gustav apo Ike. Është problem i krijuar nga njeriu. Por tash jemi aty ku jemi, dhe duhet t'i përgjigjemi", tha senatori Dodd.

Ndërsa bisedimet për planin po vazhdojnë, njëra nga bankat më të mëdha në SHBA, Washington Mutual, kollapsoi për shkak të humbjeve të mëdha nga kreditë e dështuara.
XS
SM
MD
LG