Ndërlidhjet

McCain-Obama: Pozicione të njëjta rreth Rusisë


John McCain dhe Barack Obama gjatë debatit të parë televiziv në Universitetin e Misisipit, 26 shtator 2008.
John McCain dhe Barack Obama gjatë debatit të parë televiziv në Universitetin e Misisipit, 26 shtator 2008.

Dy kandidatët kryesorë për president të SHBA-ve, republikani McCain dhe demokrati Obama, kishin qëndrime të ndryshme rreth Iranit, Irakut, Pakistanit. Ata zhvilluan debatin e parë televiziv në Universitetin e Misisipit.

Rusia ishte e vetmja temë ku kandidatët presidencialë amerikanë, Barack Obama dhe John McCain, ranë dakord gjatë debatit të tyre të parë televiziv. Politika e jashtme ishte në qendër të debatit.

Për senatorët kandidatë, sulmi rus ndaj Gjeorgjisë ishte i papranueshëm.

"Duke pasur parasysh se çfarë ndodhi gjatë javëve e muajve të fundit, e gjithë qasja jonë ndaj Rusisë duhet të rivlerësohet. Kjo lidhet me faktin se një Rusi shumë agresive paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon. Veprimet në Gjeorgji ishin të papranueshme", tha kandidati demokrat Obama.

Ai mbështeti mundësinë që t'i ofrohet menjëherë Gjeorgjisë dhe Ukrainës hyrja në "Planin e Veprimit për Anëtarësim" në NATO. Senatori demokrat shtoi se ka fusha ku SHBA-të dhe Rusia duhet të bashkëpunojnë, siç janë përpjekjet për mosshtimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Obama kritikoi administratën Bush se nuk e ka vlerësuar si duhet udhëheqjen ruse, duke kujtuar deklaratën e presidentit Bush të vitit 2001 se e kishte parë në sy Putinin dhe e kuptoi se ishte i besueshëm.

Edhe kandidati republikan McCain tha se Qeveria ruse drejtohet nga "aparatçikët e KGB-së".

"Rusia është kthyer në një vend që drejtohet nga paratë e naftës dhe gazit dhe nga një qeveri e drejtuar nga aparatçikët e KGB-së. Unë e kam vështruar zotin Putin në sy dhe kam parë tre shkronja: K, G, B. Sulmi i tyre ndaj Gjeorgjisë është i papranueshëm",
tha republikani McCain.

Ai shtoi se pas zhvillimeve në Gjeorgji, Shtetet e Bashkuara duhet të vëzhgojnë me kujdes ngjarjet në Ukrainë. McCain nënvizoi veçanërisht praninë e flotës ruse në Detin e Zi, me bazën në Sevastopol, si dhe rrezikun që paraqesin përçarjet mes presidentit Jushçenko dhe kryeministres Timoshenko.

Por, të dy kandidatët kishin qëndrime të ndryshme për një tjetër temë të nxehtë në planin ndërkombëtar, Iranin.

Obama mbështet një qasje të ashpër diplomatike me kontakte të drejtpërdrejta me Iranin, pasi, sipas tij, sanksionet shtesë do jenë të pamundur pa bashkëpunimin e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit.

"Ne duhet të përfshihemi në një diplomaci të ashpër dhe të drejtpërdrejtë me Iranin dhe këtu qëndron ndryshimi kryesor mes meje dhe senatorit McCain. Ky qëndrim vjen pas asaj se ndëshkimi duke mos komunikuar nuk ka funksionuar. Nuk ka funksionuar as në Iran, as në Korenë e Veriut", tha Obama.

McCain u përgjigj duke thënë se vetë Obama ka thënë se po të zgjidhet president do të bisedojë me kryetarin iranian, Mahmud Ahmadinejad. Kontakte të tilla duhet të fillojnë në nivele më të ulëta se krerët e qeverive dhe shteteve. McCain e cilësoi Obamën si naiv.

"Shikoni, unë do të ulem të bisedoj me çdokënd, por duhet të ketë parakushte dhe këto parakushte duhet të parashohin faktin se nuk duhet të legjitimojmë një njeri si Ahmadinejadi. Senatori Obama tha se do bisedojë pa parakushte", u përgjigj McCain.

Të dy kandidatët kishin kundërshti lidhur me ndërhyrjen në Irak dhe mësimet që Shtetet e Bashkuara duhet të nxjerrin nga këto 5 vjet e gjysmë atje.

McCain tha se administrata Bush mësoi se duhet të përdorte gjithë forcën e nevojshme për të pasur sukses në luftë. Ai i kujtoi publikut se ishte mbështetës i ndërhyrjes në Irak dhe i planit për rritjen e 30 mijë trupave, që zgjati afro një vit e përfundoi tre muaj më parë.

"Kjo strategji ka pasur sukses dhe ne po fitojmë në Irak. Ne do kthehemi në shtëpi me fitore dhe me nder", tha kandidati republikan.

Rivali i tij, demokrati Obama, tha se trupat shtesë ulën shkallën e dhunës, por nuk është punuar sa duhet në përpjekjet për pajtim.

"Mësimi që duhet nxjerrë është se nuk duhet të hezitojmë asnjëherë të përdorim forcën. Si president, unë asnjëherë nuk do të hezitoj të përdor forcën për sigurinë e popullit amerikan. Por, ne duhet ta përdorim fuqinë tonë ushtarake me mençuri, çfarë nuk është rasti në Irak", tha Obama.

Duke folur për luftën kundër terrorizmit, Obama tha se ishte i gatshëm të sulmonte caqet e ekstremistëve në Pakistan, nëse Islamabadi e lejonte një gjë të tillë. Kandidati republikan McCain theksoi se nuk ishte i gatshëm të ndërpriste ndihmën amerikane për Pakistanin.

Kriza në sistemin financiar amerikan ishte pjesë e debatit. Të dy kandidatët kritikuan bankat për praktikat e tyre, por nuk ofruan ndonjë plan konkret për zgjidhjen e krizës.
XS
SM
MD
LG