Ndërlidhjet

logo-print

Situata e sigurisë në Kosovë - e paqëndrueshme


Mitrovica

Mitrovica

Autoritetet e rendit në Kosovë vlerësojnë se aktualisht situata e sigurisë është e qetë dhe se nuk ka asnjë indikacion që mund të çojë në përkeqësimin e saj. Ekspertët pohojnë të kundërtën, duke thënë se situata nuk është e qëndrueshme.

Situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por ajo lehtë mund të përkeqësohet, vlerësojnë ekspertët e sigurisë. Naim Maloku thotë se gjendja e tanishme e sigurisë nuk garanton një qëndrueshmëri të gjatë, pasi që, sipas tij, në pjesë të ndryshme të Kosovës ajo nuk kontrollohet nga policia e Kosovës.

“Në dukje, siguria është në rregull. Si dhe sa do të zgjasë kjo situatë e qetë, nuk mund ta them. Është njëfarë pozicioni - i thonë në lojën e shahut pozicioni pat. Kanë mbetur ashtu pozitat, veriun po e kontrollojnë segmente kriminale. Qeveria nuk ka qasje, as KFOR-i, as UNMIK-u atje", tha zoti Maloku.

Nga ana tjetër, asistenti i komisarit të policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, konsideron se situata është e qetë dhe, sipas tij, nuk ka asnjë indikacion që mund të ketë përkeqësim të situatës.

“Për momentin, ne llogarisim që situata e sigurisë është e qetë. Nuk kemi ndonjë incident që dëshiron dikush ta destabilizojë situatën e sigurisë. Janë disa raste në veri të Mitrovicës që ndodhin, çështjet e kontrabandimit dhe hyrjet e pakontrolluara sa duhet nga ana e policisë. Kontrolli ende nuk është i plotë në atë pjesë dhe mendoj se jemi duke punuar në atë drejtim që ta kontrollojmë ashtu si duhet në të ardhmen", tha zoti Maliqi.

Por, eksperti për çështje të sigurisë, Naim Maloku, parasheh që në ditët në vijim mund të këtë reagim nga banorët serbë, pasi Administrata e Kombeve të Bashkuara po mundohet të sjellë rend dhe zbatueshmëri të ligjve në veri të Kosovës.

“Tani veç janë paralajmërimet se do të ndërmerren hapat e rikthimit të pushtetit atje të gjykatave dhe të segmenteve të tjera të drejtësisë dhe të policisë. Unë pres reagimet e atyre segmenteve paramilitare atje dhe të krijuara serbe, që do të ndërmarrin ndonjë veprim, që do të shkojë në kundërshtim të atyre masave. Dhe, pastaj, mund të vijë deri te prishja në dukje e kësaj sigurie të qetë në Kosovë", thotë Maloku.

Por, zoti Maliqi, nga policia e Kosovës, nuk pajtohet me vlerësimet e tilla. Ai thotë se në veri të Mitrovicës nuk ka tensione për përkeqësim të situatës së sigurisë dhe shton se tensionet atje janë politike.

“Normalisht që janë edhe disa aktivitete politike dhe iniciativa nga ana e Serbisë që po tentojnë të shkaktojnë, që ndoshta dikush i llogarit tensione. Ato mund të jenë tensione politike, por nuk kanë ndonjë implikim
”, shprehet Maliqi.

Megjithatë, Maloku pohon se KFOR-I, UNMIK-u, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, duhet të kenë një koordinim më të mirë për marrjen e masave para se të ndodhë përkeqësimi i situatës.

“Duhet një bashkëpunim dhe një koordinim më i mirë i angazhimeve të UNMIK-ut, që tash është në përfundim të mandatit të vet, dhe zyrës civile të BE-së, pra EULEX-it, dhe të merren masa adekuate që të parandalohet çfarëdo prishjeje e kësaj qetësie dhe eskalimi i situatës në disfavor të sigurisë në Kosovë",
tha Maloku.

Sido që të jetë, në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave për sigurinë është thënë se ajo është e qetë, por vetëm sipërfaqësisht. Ndryshe, Mitrovica dhe situata e sigurisë vazhdon të jenë pjesa më e ndjeshme e Kosovës, si dhe sfida më e madhe me të cilën po ballafaqohen institucionet e vendit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG