Ndërlidhjet

Kongresi mbështet planin e Shtëpisë së Bardhë

  • RFE /RL

Kongresi amerikan

Kongresi amerikan

Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbështetur planin ekonomik të Shtëpisë së Bardhë. Plani në vlerë prej 700 miliardë dollarësh është intervenimi më i madh i Qeverisë amerikane që nga Depresioni i Madh.


Ligjvënësit amerikanë sot pritet të votojnë mbi paketën financiare, e cila parasheh të jepen 700 miliardë dollarë për të shpëtuar sektorin bankar.

Raportet thonë se Dhoma Përfaqësuese do të votojë sot, ndërsa Senati javën që vjen.

Ky është intervenimi më i madh i qeverisë në tregjet financiare që nga Depresioni i Madh. Plani parasheh që qeveria t'i blejë borxhet e këqija nga kompanitë financiare, me shpresë që t'i shkrijë kreditë e ngrira.

Kryetarja e Dhomës Përfaqësuese, Nancy Pelosi, tha se plani nuk është "nxjerrje e Wall Street-it nga balta", por një mënyrë për të mbrojtur taksapaguesit dhe për të ringjallur ekonominë amerikane.

"Ne i dërguam një mesazh Wall Street-it, festa mori fund. Epoka e parashutave të artë për krerët e Wall Street-it ka marrë fund. Taksapaguesit amerikanë nuk do të nxjerrin më nga balta moskokëçarjen e Wall Street-it dhe kjo është risia që sjell ky legjislacioni",
tha Pelosi.

Ajo tha se plani pritet të bëjë kthesë në ekonominë amerikane.

"Ne duam t'i izolojmë taksapaguesit amerikanë, qytetet kryesore në mbarë vendin dhe amerikanët e përditshëm nga kriza në Wall Street. Njerëzit duhet ta dinë se kjo nuk bëhet për të nxjerrë nga balta Wall Street-in, por për të bërë kthesë në ekonominë amerikane", tha Pelosi.

Lideri i shumicës në Senat, Harry Reid, tha se dakordimi që u arrit, është meritë e dy palëve, demokratëve dhe republikanëve.

"Kjo ka qenë një qasje bipartizane. Ne e kishim edhe nxitjen nga kandidatët presidencialë dhe për këtë ju jemi mirënjohës. Të dy ata u nënshkruan dhe thanë se është një legjislacion i mirë, gjë që ne e vlerësojmë. Tash do të duhet ta votojmë",
tha Reid.

Presidenti George Bush e quajti votimin të vështirë, por shprehu bindjen se ai do të kalojë në Kongres.

"Ky plan u dërgon sinjale të forta bursave në mbarë botën se Shtetet e Bashkuara janë serioze në rikthimin e besimit dhe stabilitetit të sistemit të vet financiar",
porositi Bush në një deklaratë.

Marrëveshja u arrit në kohën kur nga Evropa filluan të vijnë lajme të këqija financiare. Grupi financiar belgo-holandez, Fortis, u shpëtua nga shteti pasi kryetari i Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet, zhvilloi bisedime të jashtëzakonshme me zyrtarët e Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut.

Në Londër, rregullatorët gjithashtu përgatiten të nacionalizojnë kompaninë Bradford & Bingley.

Në Gjermani, Hypo Real Estate po zhvillon bisedime urgjente me rregullatorin shtetëror të bankave dhe Ministrinë e Financave për ta zgjidhur krizën që e ka kapluar.
XS
SM
MD
LG