Ndërlidhjet

“Feith: Pavarësia e Kosovës, proces i pakthyeshëm”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Paralajmërimet e kryeministrit të Kosovës për një reformim të thellë në tërë sistemin shtetëror, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit, shëndetësisë, me sy skeptik janë parë nga forcat opozitare, të cilat thonë se Qeveria ka dështuar në realizimin e reformave. Ndonëse reformat shihen si një domosdo e kohës, forcat opozitare kanë shfaqur skepticizëm për realizimin e kësaj nisme të proklamuar nga kryeministri. Anëtari i AAK-së, Naim Maloku, thekson se deri më tash nuk ka vërejtur ndonjë reformë. "Pres që edhe këto paralajmërime të jenë sikur ato gjatë fushatës, 24 orë rrymë brenda gjashtë muajve, ose luftë kundër krimit të organizuar, ndërsa asgjë nuk është bërë në këtë drejtim", tha Maloku. Ai konsideron se Qeveria nuk e ka seriozisht marrjen me problemet në fushat e lartcekura, duke theksuar se duhet të ketë reforma në drejtësi, por ende nuk ka vërejtur ndonjë plan konkret. Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli, thotë se reformat në secilën fushe janë një domosdo. "Që nga themelimi i institucioneve ka pasur përparime në secilën fushë, por që ato nuk kanë qenë në pajtim me nevojat e pritjes së qytetarëve", tha Makolli...

KOHA DITORE
Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Kosovën, Pieter Feith, ka deklaruar se çdo anëtar i Kombeve të Bashkuara ka të drejtë të kërkojë mendim këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës, mirëpo asgjë nuk do të mund të ketë ndikim në pavarësinë e Kosovës, sepse ajo është "proces i pakthyeshëm". "Është plotësisht në rregull që cilido shtet anëtar i OKB-së të kërkojë mendimin këshillues dhe të ankohet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, gjithsesi se kjo është mënyrë më e mirë se aplikimi i rrugëve të tjera. Mirëpo, mendoj se në ketë fazë kjo nuk i ndihmon Serbisë", ka thënë Feith në një intervistë për Zërin e Amerikës, ndërsa ka përmendur tri arsye pse kjo nismë është në dëm të Serbisë. Së pari, sipas tij, kjo nismë nuk u kontribuon aspiratave të Beogradit për afrim me BE-në, duke pasur parasysh se shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën. Së dyti, ka thënë Feith, në rajon kjo nismë mund të ndikojë negativisht në përpjekjet për stabilizimin e situatës, sepse në vetë Kosovën ekziston një pakënaqësi e madhe lidhur me këtë nismë, e cila e ngadalëson procesin e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës. Dhe së treti, shikuar globalisht, sipas tij, mendimi i tillë do të mund të shpinte tek analogjitë dhe krahasimet e ndryshme me situatat e tjera të krizave në botë, gjë që mund të nxisë pakënaqësinë e disa vendeve anëtare të OKB-së...

ZËRI
Presidenti dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Skënder Hyseni, do të qëndrojnë edhe disa ditë të tjera në Nju Jork, në përpjekje për të bindur vende anëtare të OKB-së që të njohin pavarësinë e Kosovës dhe të bllokojnë nismën serbe rreth legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë, ndërkohë që shefi i diplomacisë së jashtme serbe, Vuk Jeremiq, u ka deklaruar mediave të Beogradit se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së së do të debatojë dhe do të votojë për rezolutën e propozuar nga Serbia më 8 tetor... Ndonëse është thënë se presidenti Sejdiu dhe ministri i Jashtëm Hyseni do të qëndrojnë në Nju-Jork deri në fund të tetorit, burime jozyrtare thonë se ata do të jenë në selinë e OKB-së deri më 5 tetor, e nuk përjashtohet mundësia që ndonjëri prej tyre të presë edhe debatin dhe votimin për rezolutën e propozuar nga Serbia, e cila kërkon që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ta dërgojë këtë nismë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për ta dhënë mendimin rreth legalitetit të shpalljes së pavarësisë se Kosovës. Ndërkohë që ditëve të fundit, presidenti Sejdiu dhe ministri Hyseni kanë zhvilluar disa takime me përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të OKB-së, përfshirë këtu edhe dy takimet e së shtunës me ministrin e Jashtëm të Malajzisë, dr. Rais Yatim dhe ministrin e Jashtëm te Egjiptit, Ahmed Aboul Gheit, gjatë të cilave Hyseni ka kërkuar që të njihet pavarësia e Kosovës dhe të mos votohet rezoluta serbe për Kosovën, sipas burimeve të ndryshme, mund të ndodhë që ministri Hyseni, pas mbarimit të qëndrimit në Nju-Jork, të mos kthehet drejtpërdrejt në Kosovë, por të udhëtojë për një vizitë në vendet arabe, në përpjekje për të konkretizuar njohjen e pavarësisë së Kosvës nga disa shtete arabe, të cilat e kanë paralajmëruar atë, si Kuvajti, Sudani, Bahreini, Jordania...

EXPRESS
Të ngarkuarit kosovarë me punë në misionet e para diplomatike të vendit në botë do të duhej të fillonin të zbarkohen në kryeqytetet përkatëse rreth datës 15 tetor. Por, mungesa e përgjigjeve nga Ministria e Jashtme dhe sidomos stagnimi i saj në përgatitjen e infrastrukturës së punës, ka krijuar konfuzion në mesin e të emëruarve të institucioneve.Njëri prej të ngarkuarve me punë, i cili ka folur për Express të dielën, pa pranuar t'i përmendet emri, ka thënë se Ministria e Jashtme i ka lënë të emëruarit totalisht pa informacion për zbarkimin. "Ne do të duhej të niseshim rreth datës 15 tetor, por duket se këtë përgjigje as nuk e dinë dhe as nuk mund ta japin në Ministrinë e Jashtme”, ka thënë diplomati kosovar. Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit Permanent në Ministrinë e Jashtme, Fitim Gllareva, ka thënë se ai nuk mund të flasë për afatin e zbarkimit, "pasi këto janë vendime politike". Por, zëdhënësi i Presidentit, Xhavit Beqiri, ka thënë të dielën për Express se zbarkimi do të varet shumë nga përgatitjet që duhet të bëjë Ministria e Jashtme. "Nuk mund të them asgjë konkrete, edhe pse 15 tetori është afat optimal për nisjen e të ngarkuarve me punë. Gjithçka me siguri varet nga përgatitjet teknike në MPJ, por përgjigje më të saktë mund të japë Presidenti kur të kthehet nga Nju Jorku", ka thënë zëdhënësi Xhavit Beqiri...

BOTA SOT
Mosekzistimi de jure dhe de facto i "ish-Jugosllavisë" dhe së fundit i "Serbisë dhe Malit të Zi" dhe trajtimi i shqiptarëve nga Kosova me dokumentacionet e tyre përkatëse, jo vetëm në Zvicër, por edhe në disa vende evropiane, nëpërmjet dy emrave gjeografikë, shtete këto të cilat tashmë kanë “vdekur”, duket se tashmë është një "histori" e përfunduar që nuk do të kthehet kurrë më. Madje ky lloj "prezantimi" apo emërtimi në dokumentet e tyre të leje-qëndrimit në Zvicër ka shkaktuar gjithnjë shqetësim e po aq edhe indinjatë, për çka shqiptarët në Perëndim kishin fajësuar në të shumtën e rasteve UNMIK-un.
Pas 27 shkurtit të këtij viti, kur edhe Qeveria e Zvicrës e ka njohur shtetin e Kosovës, lajme të mira kanë ardhur nga Berna për mërgimtarët në këtë vend. Nga janari i vitit të ardhshëm, 2009, në lejet e qëndrimit dhe në të gjitha dokumentacionet e banorëve që kanë prejardhje nga Republika e Kosovës e të cilët jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, më nuk do t'u figurojnë emërtimet "Serbien und Montenegro", por Republika e Kosovës". Këtë lajm ia ka konfirmuar gazetës sonë zëdhënësi i Zyrës Federate për Migracion (OFM/BFM) z. Jonas Montani...

LAJM
Ndërkohë që vendet e rajonit kanë lobe të fuqishme dhe me ndikim të jashtëzakonshëm në institucionet qendrore të vendeve më të rëndësishme të globit, diaspora e Kosovës është e ndarë në degë të partive politike. Në fakt këto degë, në vend se për shtet, shumica prej tyre tani funksionojnë për qëllime përfitimi të individëve apo grupeve të caktuara. Institucionet e Kosovës nuk kanë mundësi të shfrytëzojnë kontributin e tyre me qëllim të realizimit të objektivave që varen nga politika globale. Kjo është pasojë e ndikimit të partive kosovare, të cilat kanë përçarë dhe çorganizuar diasporën. Zyrtarët e partive janë të vetëdijshëm për dëmin që i kanë shkaktuar diasporës, por edhe ndikimit të saj në administratat ndërkombëtare për realizimin e prioriteteve të vendit, me degët e tyre. Megjithatë, ata ende nuk kanë marrë asnjë iniciativë për t'i shuar këto struktura. Rrustem Mustafa, nënkryetar organizativ i PDK-së, thotë se ndikimi i partive në diasporë ka qenë i ndryshëm për kah efektet, në periudha të ndryshme të zhvillimit të ngjarjeve në dhe rreth Kosovës. Sipas tij, para fillimit të luftës ka pasur momente kur ekzistenca e partive në diasporë ka luajtur rol pozitiv. Por, siç thotë ai, ngjarjet e mëpastajme, kanë treguar se ekzistenca e tyre ka qenë e dëmshme. "Në këtë periudhë degët e partive kanë dëmtuar unitetin e mërgatës në kuadër të vizionit për krijimin e shtetit". Mustafa është i bindur se partitë do të detyrohen t'i shuajnë këto struktura. "Institucionalizimi i politikës në Kosovë do të bëjë që qytetarët jashtë vendit të ndryshojnë qasjen dhe të organizohen rreth ambasadave dhe rreth politikës së institucioneve të shtetit. Dhe me këtë do të hapet rruga e krijimit e lobeve të Kosovës brenda vendeve të rëndësishme të Perëndimit"...

INFOPRESS
Anarkia që po mbizotëron në pjesën veriore të Kosovës e që po sponsorizohet nga vetë shteti serb, më shumë se çdo kujt tjetër po i shërben krimit të organizuar. Në atë pjesë, që lidh Kosovën me Serbinë, nuk funksionojnë doganat, ndërsa policia është fare pak e fuqishme, që të kontrollojë situatën. Por, më e keqja,vetë pjesëtarë të policisë janë të përfshirë në këtë rrjet. Dymbëdhjetë të tillë tanimë janë evidentuar nga vetë Policia e Kosovës. Kontrabanda me mallra që futen nga Serbia, e veçanërisht ajo me derivate të naftës, po pasuron struktura të caktuara të krimit të organizuar. Jorastësisht përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës, por edhe vetë banorë të asaj pjese, refuzojnë kthimin e rendit dhe ligjit aty. Kthimi i pikave doganore dhe forcimi i rolit të policisë, do t'ua mbyllte kanalet klandestine të pasurimit këtyre personave. Djegia e pikave doganore, disa ditë pas 17 shkurtit, nuk u bë krejt për të kundërshtuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ngase ato pika doganore aty qëndronin edhe shumë kohë më parë, por nuk i nguci askush. Pavarësia e Kosovës ishte vetëm një pretekst që strukturat mafioze të mund t'i krijojnë terren sa me të përshtatshëm për veprim vetes së tyre...

EPOKA E RE

Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ka thënë se vendi i tij në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në tetor, do të prononcohet lidhur me nismën e Serbisë, e cila po kërkon që Gjykata Ndërkombëtare ta shqyrtojë legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Ai ka theksuar se Podgorica me kujdes po analizon edhe marrëdhëniet me Serbinë dhe Kosovën, dhe se Mali i Zi dëshiron marrëdhënie të mira me Beogradin dhe Prishtinën...
XS
SM
MD
LG