Ndërlidhjet

logo-print

Sejdiu: Serbia po përpiqet ta fshehë krimin në Kosovë


Fatmir Sejdiu

Fatmir Sejdiu

“Serbia do të trumbetojë, do të paguajë, do të angazhohet dhe do të trokasë në të gjitha portat e mundshme për të gjetur njerëz për ta mbrojtur krimin e saj në Kosovë”, ka thënë presidenti Fatmir Sejdiu, pas kthimit nga Nju Jorku.

Drejtësia është në anën e Kosovës, pavarësisht nëse kalon apo jo nisma e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për interpretimin legal të pavarësisë nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka thënë sot presidenti Fatmir Sejdiu, pas kthimit nga Nju Jorku.

Presidenti kosovar ka qëndruar këto dhjetë ditët e fundit në Nju Jork, ku ai bashkë me ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni, i cili po vazhdon të qëndrojë në Nju Jork, kanë lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe janë angazhuar për bllokimin e miratimit të iniciativës serbe në OKB.

Sejdiu tha se nuk mund ta parashikonte nëse nisma serbe do të kalonte apo dështonte, por, sidoqoftë, ai tha se drejtësia në të gjitha variantet do të jetë në anën e Kosovës. Për Prishtinën, sipas Sejdiut është me rëndësi që të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën, e kanë kundërshtuar këtë iniciativë të Beogradit:

“Ne nuk kemi arsye të frikësohemi, absolutisht. Çështja e Kosovës është zgjedhur në një proces të rëndësishëm ndërkombëtar. Ne e kemi proklamuar pavarësinë tonë në një akordancë të plotë me bashkësinë ndërkombëtare dhe e drejta është në anën e Kosovës në të gjitha versionet”,
u shpreh Sejdiu.

Presidenti i Kosovës tha se Serbia me veprimet e veta nuk po e pengon Kosovën që të bëhet e pavarur, sepse pavarësia është çështje e kryer. Por, sipas tij, me këto veprime, Serbia po mundohet që ta fshehë krimin që ka bërë në Kosovë dhe ndaj Kosovës.

“Serbia do të trumbetojë, do të paguajë, do të angazhohet dhe do të trokasë në të gjitha portat e mundshme për të gjetur njerëz për ta mbrojtur krimin e saj, po e them mëse drejtpërdrejt, por unë e them po ashtu se edhe kriminelët kanë të drejtë të ankohen, prandaj nuk kemi fare shqetësim”, theksoi Sejdiu.

Duke i siguruar qytetarët se nisma e Serbisë nuk do të ketë efekte sa i përket të ardhmes së Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu tha se statusi i Kosovës dhe vullneti i qytetarëve të saj nuk varen nga Serbia. Kurse këto veprime, Beogradi zyrtar, sipas Sejdiut, i bën për konsum të brendshëm.

“Nuk ka qenë në duart e Serbisë që të pavarësohet Kosova, por ka qenë në duart e popullit të saj dhe në mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare. Po të pyetej vullneti i Serbisë dhe i atyre që kanë bërë krime në Kosovë, në Bosnje, në Kroaci dhe hapësirat tjera që i kanë për qëllim ta shembin këtë rajon dhe të bëhen hegjemon edhe bosht i të gjithëve, por kjo s’do të ndodhë”, tha presidenti Fatmir Sejdiu.

Sidoqoftë, presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova angazhohet që të ketë raporte të mira me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë.

Ndryshe, më 8 tetor në Nju Jork, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të votojë nëse e mbështesin apo jo nismën serbe, që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të interpretojë shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Sipas vlerësimeve në Prishtinë, pavarësisht rezultatit të votimit të Nju Jork, statusi i Kosovës nuk mund të kthehet prapa, por miratimi eventual thuhet se mund të ndikojë në zvarritjen e procesit të njohjes së Kosovës nga vende të ndryshme botërore.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG