Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria e Kosovës mbështet masat e UNMIK-ut në veri


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Fillimi i punës së gjykatës në veri të Mitrovicës dhe angazhimet për rikthimin nën kontroll të dy pikave doganore me Serbinë, janë mbështetur nga ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti. Opozita konsideron se qeveria është dashur të përfshihet në zgjidhjen e problemeve në Mitrovicë.

Administrata e UNMIK-ut, edhe pse në procesin e rikonfigurimit dhe përmbylljes së misionit, mbetet partnere e rëndësishme e institucioneve të Kosovës për kthimin e rendit dhe ligjit në pjesën veriore, thotë ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Zenun Pajaziti.

Ai thotë se autoritetet e UNMIK-ut po bisedojnë me policë, gjykatës dhe doganierë serbë, që të rikthehen në vendet e punës, ndërkohë që po bëhen përpjekjet për kthimin e rendit kushtetues në këtë pjesë të Kosovës.

Nga e premtja, masat e para parashohin kthimin në punë të gjykatës në veri, edhe pse me kapacitete të limituara dhe me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë, kurse hapat tjerë, sipas ministrit, pritet të përfshijnë edhe doganat dhe kthimin e serbëve në organet dhe institucionet legale të Kosovës.

"Kemi qenë shumë të kujdesshëm në marrjen e masave ndaj atyre që e kanë refuzuar punën në veri të vendit, ngase kemi konsideruar se ata kanë qenë të manipuluar politikisht, por ka ardhur momenti kur edhe ata duhet ta kenë të qartë, se për atë pjesë të vendit duhet të funksionojë ligji. Edhe qytetarët serbë tanimë janë lodhur nga ky ambient, i cili më shumë është i dedikuar për hapësira të krimit, sesa të jetës normale", tha Pajaziti.

Ministri Pajaziti thotë se kthimi i rendit ligjor në Mitrovicë do të shpejtohet, nëse edhe misioni i EULEX-it do të niste sa më shpejt punën.

Ndërkohë, opozita thotë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më shumë e përfshirë në zhvillimet në veri të Kosovës. Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, thotë se përfshirja vetëm e UNMIK-ut në zgjidhjen e problemeve në veri lë të dyshohet se atje do të mund të bëhet diçka konkrete për shtrirjen e ligjshmërisë nga ana e autoriteteve edhe në veri të Kosovës.

"Kjo formë e pjesëmarrjes vetëm të UNMIK-ut përsëri lë dyshimin se nuk është duke u bërë në formën e duhur. Funksionimi i gjyqësisë, i doganave dhe i të gjitha segmenteve, edhe të ekonomisë, edhe të sigurisë, duhet të jenë prezente në veri, sepse është territor i Kosovës dhe të gjithë resorët kanë obligim të investojnë atje, në mënyrë që të kemi një qasje të drejtpërdrejtë te qytetarët e Kosovës", theksoi Isufi.

Nga e premtja, dy gjykatës dhe dy prokurorë ndërkombëtarë do të fillojnë punën në gjykatën e Mitrovicës dhe do të merren vetëm me rastet urgjente. Kurse, në të ardhmen, UNMIK-u planifikon që t'i ftojë të kthehen në vendet e punës edhe punonjësit vendorë në këtë gjykatë, si ata shqiptarë, ashtu edhe ata serbë.

Ndërkaq, sa i përket kthimit të kontrollit në pikat doganore në veri, të cilat për më gjatë se shtatë muaj janë jashtë kontrollit dhe vlerësohet se shërbejnë për kontrabandë ndërkufitare ndërmjet Serbisë e Kosovës, zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, thotë se nuk mund ta parashikojë se kur do të kthehen këto pika kufitare nën kontrollin e autoriteteve. Shumëçka, sipas tij, varet edhe nga dialogu Prishtinë – Beograd, që po moderohet nga UNMIK-u.
"Shpresojmë se këto probleme do t'i zgjidhim deri në fund të këtij viti", tha Ivanko.

Funksionimi i strukturave paralele në veri të Kosovës ka sfiduar në vazhdimësi autoritetet vendore e ndërkombëtare në Kosovë, këto nëntë vjetët e fundit. Ndërkaq, pas shpalljes së pavarësisë, autoritetet në Prishtinë e kanë potencuar në disa raste se kjo pjesë e Kosovës kishte dalë krejtësisht nga kontrolli i institucioneve vendore e ndërkombëtare.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG