Ndërlidhjet

Edhe shtatë muaj pas shpalljes së pavarësisë, investimet e huaja në Kosovë nuk janë në nivelin e kënaqshëm, por, megjithatë interesimi i investitorëve nuk mungon. Kështu thonë zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Remzi Ahmeti, nga Agjencia për Promovimin e Investimeve, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se vazhdimisht po rritet numri i kompanive, të cilat janë të interesuara për të investuar në Kosovë.

"Kjo shihet nga regjistrimi i kompanive në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Kështu që ka një rritje permanente të kompanive, të cilat janë të interesuara për të ardhur dhe për të investuar në Kosovë. Saktësisht për numër nuk mund të them, mirëpo e di që diku mbi 220 kompani dhe biznese janë regjistruar brenda vitit 2008",
thotë Ahmeti.

Ekspertë për çështje ekonomike, ndërkaq, thonë se kur merret parasysh fakti se udhëheqës të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, para zgjidhjes së statusit të Kosovës, patën deklaruar se pengesë kryesore e mosardhjes së investitorëve të huaj është moszgjidhja e statusit, tash, shtatë muaj pas shpalljes së pavarësisë, investimet janë shumë të vogla.

Alban Hashani, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore RIINVEST, thotë se arsyet e mungesës së investitorëve të huaj janë të shumta.

"Përderisa Kosova ka qenë në përpjekje për të zgjidhur statusin e saj, vendet e rajonit kanë punuar intensivisht në shndërrimin e vendeve të tyre në vend atraktiv për investitorë të huaj, gjë që edhe e kanë arritur. Kjo rrjedhimisht ka rezultuar që në Kosovë niveli i investimeve të jashtme nuk është i kënaqshëm dhe investimet janë të pakoordinuara dhe janë investime individuale", pohon Hashani.

Në aspektin legjislativ, Kosova është mjaft atraktive për tërheqjen e investitorëve të huaj, thotë Hashani, por pengesë kryesore në këtë drejtim, ai thotë se mbetet niveli i lartë i korrupsionit.

"Është esenciale të thuhet se Kosova ende konsiderohet si një vend që ka nivel të lartë të korrupsionit. Edhe korrupsioni, nëse e përkthejmë në terma të investimeve, konsiderohet si një taksë shtesë për investitorët e huaj dhe të cilët automatikisht do t'i largonte prej këtij tregu",
thotë Hashani.

Problem tjetër në këtë fushë, Alban Hashani përmend edhe jostabilitetin me energji elektrike. Ai thotë se mungesa e energjisë elektrike është barriera kryesore për afarizëm në Kosovë.

"Nëse ne pretendojmë të thithim investime nga jashtë, me këtë nivel të furnizimit me energji elektrike është absolutisht e pamundur. Në anën tjetër, kemi probleme me infrastrukturën fizike, e cila ka indikacione që po përmirësohet, mirëpo jo në nivelin për t'i tërhequr më shumë se vendet fqinje investitorët e huaj", shprehet Hashani.

Por, Remzi Ahmeti, nga Agjencia për Promovimin e Investimeve, thotë se Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje të vazhdueshme në përmirësimin e ambientit për investitorët e huaj.

"Edhe ministria, edhe qeveria, kanë marrë obligime sa i përket anëtarësimit në partneritetin evropian, ku duhet të bëhen punë më të mëdha sa i përket zbatimit të ligjshmërisë së tregut", thekson Ahmeti.

Megjithatë, deri më tani, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, bizneset e tyre i kanë regjistruar mbi 2400 kompani të huaja .
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG