Ndërlidhjet

Bush: Kongresi të veprojë shpejt


Presidenti amerikan George Bush ka thënë se ligjvënësit amerikanë do të vazhdojnë të punojnë mbi planin ekonomik për të shpëtuar sistemin financiar amerikan. Komentet e tij vijnë një ditë pasi që Kongresi refuzoi planin 700 miliardë dollarësh.

Bush, përsëriti se ishte i zhgënjyer me refuzimin që Dhoma e Përfaqësuesve i bëri planit, i cili do ta lejonte qeverinë që të blejë borxhet e këqija në bankat për t'i shpëtuar ato nga falimentimi.

Ai i kërkoi Kongresit, që të veprojë sa më shpejt, pasi që ekonomia do pësojë, derisa të mos kalojë plani.

"E kuptoj se ky është votim i vështirë për anëtarët e Kongresit. Shumë nga ta nuk e pëlqejnë faktin se ekonomia jonë ka arritur në këtë pikë, dhe e kuptoj këtë. Por, realiteti është se gjendemi në një situatë emergjente dhe pasojat do rriten çdo ditë e më shumë, nëse nuk veprojmë", ka thënë Bush.

Pas refuzmit të planit, aksionet në Wall Street kanë rënë më shumë se 7 për qind të hënën, duke pësuar humbjen më të madhe të ndodhur ndonjëherë brenda ditës.

"Rënia dramatike e djeshme në tregjet e aksioneve do të ketë ndikim direkt në llogaritë pensionale, fondet pensionale, kursimet personale të miliona qytetarëve, dhe nëse vendi ynë vazhdon këtë drejtim- dëmi ekonomik do të jetë i dhimbshëm dhe i përhershëm", tha Bush.

Kriza financiate amerikane vazhdon të trazojë edhe tregjet globale.

XS
SM
MD
LG