Ndërlidhjet

Serbët e veriut akuzojnë Beogradin


Mitrovicë - Ura qendrore
Mitrovicë - Ura qendrore

Përfaqësuesit serbë thonë se Qeveria e Serbisë po udhëheq politikë të mbyllur ndaj serbëve të Kosovës, sepse, siç thonë, asaj i pengon fakti që në shumicën e komunave të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pushtetin e kontrollojnë partitë opozitare.


Autoritetet në Beograd përgatisin marrëveshje dhe sjellin vendime pa u konsultuar me përfaqësuesit e serbëve lokalë të Kosovës. Kështu thotë Milan Ivanoviq, kryetar i Këshillit Nacional Serb në veriun e Kosovës, sipas të cilit, kjo ndodh për shkak se në komunat kosovare me shumicë serbe, siç thotë ai, pushtetin e kanë partitë opozitare të Serbisë.

"Si duket, disave prej atyre që qëndrojnë në pushtet në Beograd, u pengon rezultati i zgjedhjeve në Kosovë dhe më duket se në këtë kuptim ata po udhëheqin politikë autiste. Serbët e Kosovës, të cilët kanë përfaqësuesit legjitimë, nuk janë të njoftuar për mjaft çështje të rëndësishme dhe nuk janë të përfshirë në zgjidhjen e tyre”.

“Kjo krijon probleme të panevojshme dhe nuk ekziston një politikë e vetme për çështjet që janë mjaft të rëndësishme, sikurse ajo e statusit dhe të interesave të serbëve", tha Milan Ivanoviq, duke shtuar se Beogradi i sheh përfaqësuesit e serbëve të Kosovës si politikanë opozitarë.

"Megjithëkëtë, çështja e Kosovës, si çështje më e rëndësishme kombëtare, do të duhej të ishte çështje e përbashkët. Zgjidhja e këtyre çështjeve duhet të jetë produkt i një marrëdhënieje të përbashkët, i punës së Qeverisë së Serbisë dhe serbëve në Kosovë, të partive në pushtet dhe atyre në opozitë. Në këtë moment, nuk po ndodh kështu", tha Ivanoviq.

Ndryshe, në zgjedhjet lokale serbe të 11 majit të këtij viti, të cilat administrata ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës i kanë shpallur të pavlefshme në territorin e Kosovës, në shumicën e komunave ku kanë votuar serbët, kanë fituar degët e Partisë Demokratike të Serbisë dhe Partisë Radikale Serbe.

Përfaqësuesit e Qeverisë serbe e hedhin poshtë mundësinë se kjo gjendje ka ndikuar në marrëdhëniet e qeverisë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Kryetari i Qendrës Koordinuese Serbe, Zvonimir Steviq, nga Partia Socialiste e Serbisë, thotë se të gjithë duhet t’i respektojnë rezultatet e zgjedhjeve, të cilat i ka shpallur Kuvendi i Serbisë.

"Nuk mund të kemi probleme, sepse kështu ka qenë vullneti i shprehur i popullit. Kjo çështje nuk qëndron, edhe pse dihet që në nivelin lokal, në Kosovë, 90 për qind të pushtetit e ka fituar Partia Radikale e Serbisë", tha Steviq.

Ndërkaq, Sllavisha Ristiq, kryetari i Komunës së Zubin Potokut, ku Partia Demokratike Serbe ka marrë shumicën e votave, thotë se ekziston bashkëpunimi në nivelin lokal , si dhe për çështje konkrete që janë në interes të qytetarëve, pavarësisht se pushtetin lokal e kanë partitë opozitare të Serbisë.

"Sa i përket bashkëpunimit konkret, ai ekziston dhe unë nuk shoh ndonjë problem dhe nuk pres as në të ardhmen. Ajo që ne, para së gjithash, presim nga Qeveria në Beograd, është që të qëndrojë e vendosur në politikën nacionale sa i përket Kosovës, të mos e pranojë pavarësinë e saj dhe legjitimitetin e misionit të EULEX-it",
tha Ristiq.

Sidoqoftë, kryetari i Këshillit Nacional Serb, Ivanoviq, shpreson se Qeveria e Serbisë do të jetë më transparente për problemet dhe vendimmarrjen lidhur me serbët e Kosovës dhe se do të krijohet një strategji e vetme.

"Shpresojmë se qeveria do të jetë më vëmendshme dhe do të dëgjojë më shumë zërin e këtyre institucioneve legjitime, që janë institucione të shtetit të Serbisë në Kosovë, të mos i injorojë dhe puna të bëhet publike dhe këto çështje të zgjidhen në mënyrë të përbashkët", tha Ivanoviq.
XS
SM
MD
LG