Ndërlidhjet

Freizer: Ndarja sjell dhunë


Sabine Freizer
Sabine Freizer

“Nuk është pozitive të flitet për ndarjen, e cila sjell dhunë dhe jostabilitet. Duhet folur për mbrojtjen e të drejtave të serbëve përmes procesit kushtetues, që tashmë ka zënë vend në Kosovë”, thotë Sabine Freizer, drejtore për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Freizer, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, tha se ai nuk ka planifikuar të propozojë ndarjen e Kosovës, por as nuk e hodhi poshtë një mundësi të tillë. Çfarë është komenti juaj?

SABINE FREIZER
Do të ishte tepër fatkeqe për presidentin Tadiq që të mbështesë çfarëdo ndarjeje të Kosovës. Ajo që duhet të bëjë Serbia dhe presidenti Boris Tadiq është që të ndihmojnë që Kosova të mbetet shtet shumetnik dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë.

Nuk është pozitive të flitet për ndarjen, e cila, siç dihet, sjell dhunë dhe jostabilitet. Ajo për të cilën duhet të flasim është mbrojtja e të drejtave të serbëve përmes procesit kushtetues, i cili tashmë ka zënë vend në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga ana tjetër, liderët kosovarë kanë reaguar me zemërim ndaj vërejtjeve të Tadiqit për ndarjen e Kosovës. Ata paralajmëruan se çdo përpjekje për ndryshimin e kufijve të Kosovës, do të hapte probleme të reja në Ballkan...

SABINE FREIZER
Po. Ajo që është tejet e rëndësishme për hapësirat e ish-Jugosllavisë, është se shtetet e asaj hapësire janë demokratike dhe shumetnike. Bosnja, Maqedonia, Kosova dhe Serbia janë vende, të cilat duhet të jenë shumetnike dhe nuk duhet të ketë përpjekje për ndarjen e vendeve në bazë të vijave etnike.

Shtetet një-etnike do të krijonin më shumë dhunë dhe jostabilitet në rajon. Për këtë arsye, është tepër e rëndësishme që Kosova të mbetet shtet shumetnik. Plani i Ahtisaarit ofron një mundësi të shkëlqyer për t'u siguruar se të gjitha pakicat në Kosovë do të respektohen.

Kjo vërtet është mënyra më e mirë për të ecur përpara, prandaj për Qeverinë e Serbisë, gjëja më e mirë për ta bërë, do të ishte që ta mbështesë implementimin e planit të Ahtisaarit, për t'u siguruar se të drejtat e serbëve në Kosovë janë plotësisht të mbrojtura.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, zoti Tadiq gjithashtu ka thënë se ndarja është diskutuar në Serbi dhe në bashkësinë ndërkombëtare, dhe se ajo ka qenë një nga opsionet gjatë viteve të fundit...

SABINE FREIZER
Nuk ka pasur ndonjë tekst të miratuar nga Grupi i Kontaktit, nga Kombet e Bashkuara apo nga forumet tjera të larta, i cili do të mbështeste mundësinë e ndarjes.

Përkundrazi, bashkësia ndërkombëtare qëndron fuqishëm prapa Kosovës shumetnike, ku, po përsëris, të drejtat e të gjitha pakicave respektohen plotësisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Freizer, në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ju keni thënë se gjasat për ndarjen de fakto të Kosovës po rriten, për shkak se bashkësia ndërkombëtare ka dështuar t'i plotësojë përkushtimet e saj...

SABINE FREIZER
Ne me të vërtetë jemi të shqetësuar dhe ajo që kemi theksuar në raportin e fundit për Kosovën, është se bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë në gjendje plotësisht të stacionohet dhe të marrë rolin e vet në Kosovë.

Këtu e kam fjalën për Bashkimin Evropian, i cili deri tash nuk ka qenë në gjendje të vendoset në veri të Kosovës. Është shumë me rëndësi që BE-ja të mund të vendoset në veri, në mënyrë që t'i marrë në duar detyrat e plota dhe të ndihmojë që të mbrohen të drejtat e serbëve që jetojnë në veri.

Për këtë nevojitet që edhe Qeveria e Serbisë të shfaqë gatishmëri që t'i lejojë BE-së të vendoset në veri. Në raportin tonë, ne propozojmë kompromise, të cilat do t'u ofronin siguri dhe të drejta shtesë serbëve, në mënyrë që BE-ja të operojë plotësisht atje.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Kosova vërtet është një test i vështirë për politikën e sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së?

SABINE FREIZER
Po. Kosova vërtet po tregohet të jetë test i vështirë për Bashkimin Evropian. Pjesërisht për arsye teknike, për shkak të vështirësive të zëvendësimit të infrastrukturës, logjistikës dhe pajisjeve të Kombeve të Bashkuara me ato të Bashkimit Evropian.

Por, njëra pjesë e problemit është politik dhe këtu më duhet të përmend veçanërisht Serbinë, e cila i ka vënë pengesa vendosjes së misionit të Bashkimit Evropian. Këtë e kam shumë vështirë ta kuptoj, sepse Serbia dhe veçanërisht qeveria e re kanë treguar gatishmëri të madhe për të ecur drejt Bashkimit Evropian, dhe përfundimisht për t'u bërë pjesë e BE-së.

Prandaj, ata duhet t'i besojnë Bashkimit Evropian në Kosovë më shumë se çdo institucioni tjetër ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG