Ndërlidhjet

Senati kundër rritjes së numrit në UP


Universiteti i Prishtinës nuk mund të pranojë studentë më shumë se sa ata që janë pranuar me konkurset e parapara. Kështu thonë përfaqësuesit e Senatit të Universitetit të Prishtinës. Edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, pohon të njëjtën gjë. Ai konsideron se nuk ka nevojë të rritet numri i studentëve, pasi që, sipas tij, janë edhe 2068 vende të lira.

Senati i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim që të mos rrisë numrin e studentëve, veç atyre të cilët janë pranuar në dy konkurset e fundit për vitin e ri akademik 2008 -2009.

Luan Ahma, prorektor në Universitetin e Prishtinës, pohon se numri i studentëve që janë regjistruar për vitin e ri akademik, arrin rreth 9 mijë.

“Në mbledhjen e fundit të Senatit, që është mbajtur të hënën, është vendosur që numri mos të rritet, për arsye se ka akoma mbi 2000 vende të lira. Kështu që nuk ka logjikë të rritet numri i studentëve dhe mbetet numri që ka qenë i paraparë me konkursin e korrikut, përkatësisht të shtatorit. Janë pranuar deri tash rreth 9 mijë studentë të rregullt dhe me korrespondencë", tha zoti Ahma.

Ndryshe, Parlamenti i studentëve i UP-së, ditëve të fundit, ka dërguar kërkesë në Senatin e Universitetit për rritjen e numrit të studentëve për 20% të rregullt dhe 60% me korrespodencë.

Ata, kërkesën e kanë bërë duke u bazuar në numrin e madh të maturantëve, të cilët nuk kanë mundur të regjistrohen në Universitetin e Prishtinës dhe në ato private, pasi që nuk janë licencuar.

Mirëpo, zoti Ahma thotë se për një gjë të tillë, Senati nuk ka kurrfarë përgjegjësie.

“Ne nuk mund të kemi shqetësime, sepse nuk e dimë se sa studentë kanë mbetur jashtë. Atë numër e di më së miri Ministria e Arsimit. Ne e dimë që kemi edhe 2 mijë vende të lira, prandaj kush dëshiron të regjistrohet, mund të regjistrohet në bazë të listave që ekzistojnë nga afati i provimit", tha zoti Ahma.

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, konsideron se në krahasim me vitet e kaluara, është bërë një rritje e numrit të studentëve dhe, sipas tij, në vitet e ardhshme do të bëhen përpjekje që ky numër të rritet edhe më.

“Ne do të bëjmë përpjekje maksimale gjatë këtij viti dhe viteve të ardhshme, që numri i studentëve që do të jenë në arsimin e lartë në Universitetin Publik dhe në ato private, të jetë shumë më i madh, sesa ka qenë", tha ministri Hoxhaj.

Për ministrin Hoxhaj, vendimi i Senatit të Universitetit të Prishtinës që të mos rritet numri i studentëve, është i arsyeshëm.

“Senati nuk do të lejojë që të pranohen studentë përtej numrit që ka përcaktuar Ministria e Arsimit, meqë ju e dini që çdo vit ka pasur pranim të studentëve përtej numrit të kuotës që ka dhënë Ministria e Arsimit, ndërsa nuk i referohet kësaj shifrës së 2 mijë studentëve, të cilët, për mendimin tim, kanë hapësirat edhe në Fakultetin Teknik, edhe në Fakultetin e Bujqësisë, edhe në fakultete të tjera që të pranohen", tha ministri Hoxhaj.

Sido që të jetë, sot, në Universitetin e Prishtinës ka nisur viti i ri akademik 2008/2009.

Po ashtu, sot është hapur procesi për mundësinë e akreditimit të universiteteve private në Kosovë, gjë për të cilën ekspertët thonë se institucionet kosovare janë vonuar shumë në këtë drejtim. Ata pohojnë se një gjë e tillë është dashur të bëhet në vitin 2004.
XS
SM
MD
LG