Ndërlidhjet

Analistët: Ndarja e Kosovës ndikon në Luginën e Preshevës


Duke iu referuar deklaratave të presidentit serb, Boris Tadiq, se ndarja e Kosovës ka qenë dhe mbetet një nga opsionet për të ardhmen e Kosovës, analistët në Prishtinë vlerësojnë se në fakt, Beogradi që nga fillimi i procesit negociator e deri në mbyllje, është angazhuar për ndarje. Sipas analistëve, ndarja e Kosovës nuk mund të kalojë pa implikime edhe në Luginën e Preshevës.

Deklaratat e presidentit serb, Boris Tadiq, për ndarjen e Kosovës, sipas analistëve në Prishtinë, nuk paraqesin ndonjë opsion të ri, por paraqesin politikën e vërtetë të Beogradit ndaj Kosovës.

Qëllimet serbe për ndarjen e Kosovës, sipas analistëve, janë vërejtur edhe gjatë procesit negociator për statusin, megjithëse këto ide nuk kishin gjetur përkrahjen ndërkombëtare.

Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se Beogradi, i vetëdijshëm se do të përballet me pasoja nga Bashkimi Evropian nëse iniciativa e Serbisë për interpretimin legal të pavarësisë së Kosovës kalon në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, tani përpiqet që të lansojë këtë ide si ofertë për një zgjidhje të re.

Por, shton Maliqi, ndarja e Kosovës nuk është opsion që preferohet as nga serbët lokalë dhe as nga bashkësia ndërkombëtare.

E përjetoj si paralajmërim, sepse Serbia në të vërtetë tash edhe i kërkon opsionet e fundit, sepse nuk i ka mbetur asgjë tjetër. Si solucion për të dalë disi, kushtimisht thënë, me faqe të bardhë për Serbinë, është që të kërkojë ndarjen e Kosovës, edhe pse nuk është e qartë se në çfarë proporcionesh dhe çka kërkojnë. Me gjasë llogarisin vetëm në veriun e Kosovës”, thotë Maliqi.

Ndërkohë, analisti Lulëzim Peci thotë se intencat e Serbisë për ndarjen e Kosovës janë të vjetra. Sipas tij, Beogradi në vazhdimësi është angazhuar që kriteri etnik të jetë bazë e ndërtimit të shteteve në rajon.

“Kjo është edhe një deklaratë demaskuese për intencat e politikës serbe ndaj Kosovës. Serbia nuk ka qenë kurrë e interesuar që të bëjë një integrim të mirëfilltë të shqiptarëve brenda një kornize shtetërore atje, mirëpo është e interesuar në ndërtimin e shteteve në bazë të principeve të shekullit XIX dhe ato principe janë pastërtia etnike në ndërtimin e një shteti”, thotë Peci.

Analisti Lulëzim Peci thotë në vazhdim se një përgjegjësi për politikën e tillë të Serbisë e mban edhe Bashkimi Evropian, i cili ende nuk i ka dhënë mesazhet e qarta Beogradit se nëse dëshiron integrimin në BE, nuk mund të llogarisë në politika që nuk përkojnë me kohën.

Sidoqoftë, Lulëzim Peci thotë se Prishtina duhet t’i marrë seriozisht deklaratat e Beogradit dhe si kundërpërgjigje t’i shtojë angazhimet për integrimin e pjesës veriore në kuadër të sistemit legal në Kosovë.

“Qëndrimet e Serbisë duhet të merren seriozisht dhe ato nuk bën të anashkalohen në mënyrë të tillë. Qeverisë tonë i takon që të ndërtojë politika efektive në integrimin e serbëve në Kosovë, e në anën tjetër duhet të dalim me ide krejt tjera edhe për integrimin e veriut”, vlerëson Lulëzim Peci.
Në anën tjetër, analisti Shkëlzen Maliqi thotë se propozimi i Tadiqit, edhe pse i paqartë, mëton ndarjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin me Serbinë. Por, sipas tij, një opsion i tillë do të kishte implikime edhe për Luginën e Preshevës dhe vise tjera në rajon.

Maliqi nuk beson se në këtë fazë dikush në Serbi apo në Kosovë mund ta hapë për diskutim çështjen e shkëmbimit të territoreve.

Kjo mbetet si një solucion për shumë më vonë, pas tre-katër vjetësh, ndërkohë unë pres se do të kemi një lloj protektorati të zvogëluar dhe të vazhduar në veri të Kosovës, ku do të gjendej një formulë apo një UNMIK krejt i vogël ose diçka që do të quhej apo do të ishte nën mandatin e Kombeve të Bashkuara”, thekson Maliqi.

Në lidhje me deklaratat e Tadiqit, sot është prononcuar edhe administrata e UNMIK-ut. Zëdhënësi i kësaj administrate, Alexander Ivanko, thotë se statusi i Kosovës tashmë është i zgjidhur, kurse ndarja nuk është opsion.

“Qëndrimi ynë gjithmonë ka qenë i qartë. Ky qëndrim nuk ka qenë vetëm i yni, por edhe i Grupit të Kontaktit. Nuk duhet të ketë ndarje të Kosovës dhe nuk kemi çka diskutojmë për këtë çështje”, tha Ivanko.

Ndryshe, presidenti serb, Boris Tadiq, është cituar këto ditë në media se “ndarja e Kosovës po diskutohet në Serbi dhe bashkësinë ndërkombëtare, dhe ajo ka qenë një nga opsionet gjatë gjithë këtyre viteve”.

Sidoqoftë, ai ka thënë se nuk ka propozuar këtë ide, edhe pse ndarja, sipas tij, kishte qenë pjesë e bisedimeve në lidhje me Kosovën.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG