Ndërlidhjet

SHBA: Senati miraton paketën financiare


Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar paketën prej 700 miliardë dollarësh, që synon stabilizimin e sistemit financiar amerikan. Votimi në Senat përfundoi me rezultatin 74 për dhe 25 kundër paketës së propozuar nga Shtëpia e Bardhë.

Të dy kandidatët presidencialë, John McCain dhe Barack Obama votuan pro propozimit. Presidenti Bush çmoi lart votën e Senatit dhe kërkoi nga Dhoma e Përfaqësuesve të ndiqte rrugën e votimit si në Senat.

Të hënën që lamë pas Dhoma e Përfaqësuesve hodhi poshtë propozimin e Shtëpisë së Bardhë duke shkaktuar trazira në tregjet financiare në botë.

Versioni më i ri i miratuar nga Senati përfshin zvogëlimin e taksave për biznesin, energjitikën dhe klasën e mesme. Gjithashtu varianti i miratuar në Senat rrit sigurinë federale sa i përket depozitave bankare.

Paketa e shpëtimit e administratës Bush vë në dispozicion 700 miliardë dollarë për të blerë kreditë problematike dhe asetet e tjera, vlera e të cilave ka rënë aktualisht në treg. Ky hap synon mëkëmbjen e bankave dhe sistemit financiar në përgjithësi.

XS
SM
MD
LG