Ndërlidhjet

Akuzat çeke kundër spiunëve rusë nxisin stuhi politike


Praga

Praga

Pothuaj 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, Evropa Qendrore është bërë sërish vatër e spiunimit ndërkombëtar. Raportet e fundit të shërbimeve çeke të informimit kanë alarmuar për operacione të dendura të rusëve dhe shërbimeve tjera të spiunimit në vend, që kryesisht kanë lidhje me radarin amerikan për mbrojtje raketore që do ndërtohet afër Pragës. Por, raportet kanë nxitur një stuhi politike, me opozitën e qendrës së majtë që akuzon qeverinë se ka politizuar këto shërbime para votimit mbi radarin në parlament dhe para zgjedhjeve të kësaj vjeshte.


Në raportin e tij vjetor të 25 shtatorit, Shërbimi Çek i Kundërzbulimit (BIS) tha se agjentët rusë po punonin për të nxitur opinionin publik kundër sistemit amerikan të radarëve.

"Aktivitetet e spiunëve rusë në Republikën Çeke aktualisht po arrijnë një nivel të lartë të intensitetit", ka thënë BIS.

Në një raport të ndarë të 29 shtatorit, Shërbimi çek ushtarak i informimit VZ duket se mbështet deklaratat e BIS-it, kur thotë se vitin e kaluar ka vërejtur "interesa konkrete" të shërbimeve të huaja - përfshirë ato iraniane, për të marrë informata mbi radarin e mbrojtjes anti-raketore, qe do ndërtohet 90 km larg Pragës.

Asnjëri raport nuk përmend nëse është shkelur ndonjë ligj çek.

Qëllimi i përgjithshëm i Rusisë në Çeki, shkruan BIS, mund të jetë dobësimi i NATO-s dhe i BE-së dhe arritja të paktën pjesërisht e rivënies së ish "perimetrit të sigurisë" së Moskës në Evropën Qendrore.

Gjenerali në pension, Andon Sandor, ka qenë ish- drejtor i VZ-së.

"Stacioni i radarëve nuk paraqet ndonjë kërcënim ushtarak për rusët - ata e dinë këtë; me potencialin e tyre nuklear, kjo nuk përbën kurrfarë kërcënimi. Por, ka të bëjë me sferën e influencës, dhe duke pasur një radar amerikan në territorin tonë, mendoj se kjo edhe është momenti i fundit i përfundimit të periudhës kur rusët mund të shkonin kudo në territorin tonë", tha Sandor.

Raporti i BIS-it thotë se shërbimi informativ rus, shpesh nën velin diplomatik, është munduar që të ndikojë politikanët dhe mediat çeke kundër vendosjes së radarëve. Raporti thotë se spiunët rusë kanë kërkuar që të infiltrojnë dy grupe civile në Republikën Çeke, te të cilat opinioni sheh një kundërshtim të madh ndaj radarëve.

Grupi kryesor çek që kundërshton radarët, "Jo Bazave", ka mohuar lidhjet me rusët. Por, Sandor thotë se Rusia, që udhëhoqi invazionin e Paktit të Varshavës kundër Çekosllovakisë në vitin 1968 dhe dikur kishte dhjetëra mijëra trupa të stacionuara atje, ka një histori të gjatë të operacioneve të suksesshme të spiunimit në tokat çeke.

"Për rusët do të ishte shumë dobiprurëse vetëm po të shpërndahej se radari dëmton ambientin, mund të jetë i dëmshëm për shëndetin e popullatës që jeton përreth dhe se ai mund të shkaktojë aksidente ajrore apo gjëra si kjo. Ka shumë mënyra për ta bërë këtë. Ata mund të financojnë organizata të ndryshme, që janë kundër radarëve. Dhe, mund ta bëjnë në atë mënyrë sa organizatorët të mos e zbulojnë fare", tha Sandor.

Mediat kanë cituar po ashtu mundësinë që spiunët rusë të blejnë tokë afër zonës ushtarake të Brdys, ku do të ndërtohet radari.

Zëvendësministri çek i Mbrojtjes, Martin Barak, ka thënë në televizionin çek se BIS dhe VZ në mënyrë aktive janë duke penguar që tokat rreth Brdys të bien në duar të gabuara.

Në Çeki, për radarin ka kundërthënie. Me gjithë nënshkrimin e dy marrëveshjeve me SHBA-të për vendosjen e radarit, qeveria e qendrës së djathtë e Mirek Topolanekut, nuk ka shumicën në parlament për të përkrahur iniciativën amerikane. Parlamenti pritet të votojë për këtë çështje në vjeshtë.

Opozita socialdemokrate kundërshton radarin, puna e të cilit do të jetë e ndërlidhur me sistemin e mbrojtjes raketore në Poloninë fqinje. SHBA ka përsëritur se sistemi ka për qëllim mbrojtjen nga sulmet e mundshme, p.sh. nga Irani.

Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Ruse, Anatoly Nogovitsyn, ka thënë se duke pranuar sistemin amerikan, Çekia dhe Polonia mund të bëhen subjekt i sulmit ushtarak, madje edhe bërthamor.

Pavarësisht këtyre kërcënimeve, partitë politike në Çeki mbesin të ndara.

Ish-kryeministri, socialdemokrati Jiri Paroubek, ka akuzuar qeverinë se i ka drejtuar shërbimet e informimit ka gjetjet, nga të cilat do të përfitojnë politikat e tij.

Disidenti antikomunist, Petr Uhl, që tani përkrah opozitën, pajtohet me këtë.

"Është çështje politike para zgjedhjeve dhe është e zakonshme - pala kundërshtare mundohet të gjejë diçka negative, që e dëmton palën tjetër, që populli të mos votojë për të", thotë Uhl.

Në vitet e fundit, shërbimi informativ çek ka paralajmëruar për rritjen e aktiviteteve të spiunëve të huaj në vend. Por, Uhl thotë se këto akuza i kujtojnë të kaluarën, kur çdoksuh që kishte kontakte me të huajt, akuzohej se po punonte kundër qeverisë komuniste.

Raportet e BIS dhe VZ është dashur të shqyrtoheshin nga Komiteti i Mbrojtjes i Dhomës së Ulët të parlamentit, por për shkak të politizimit të tyre, janë shtyrë pas zgjedhjeve rajonale dhe lokale të 17 tetorit.

Sandor beson se shërbimet e informimit po ofrojnë vlerësimin e tyre të drejtë për situatën e sigurisë.
XS
SM
MD
LG