Ndërlidhjet

“Shumica e dekanëve shpërfillin kryeministrin”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Beson se pas procesit zgjedhor, AAK-ja od të dalë me një strukturë të re e të fuqishme në skenën politike në Kosovë. Tregon haptazi se lideri Ramush Haradinaj nuk është konsultuar me të se si do të duket kryesia e re e partisë. Ka thënë se ju ka rrekur procesit zgjedhor që të ketë ndryshime dhe jo që situata të jetë e njëjtë siç ka qenë deri tash. Ka treguar se nuk do të zihet ngushtë dhe as nuk do të befasohet nëse nuk do të jetë edh enë të ardhmen nënkryetar i AAK-së. Statuti i partisë, sipas tij, jep mundësi që në pozicione të larta të vijnë të gjithë anëtarët e tanishëm të kësaj kryesie. Nuk sheh asnjë ndryshim te nënkryetari Bajram Kosumi, por tregon se ai po shihet shumë rrallë në parti... Tri subjektet politike opozitare, sipas tij, janë duke u përpjekur për të gjetur një harmonizim të qëndrimeve dhe angazhim të përbashkët si opozitë në Kuvendin e Kosovës dhe në jetën e përditshme politike. Por, pengesat për mosformimin e bllokut opozita i sheh programet partiake. Flet për Epokën e Re, nënkryetari i AAK-së, Naim Maloku...

KOHA DITORE
Krerët e lartë të Universitetit të Prishtinës bashkë me dekanët e 10 njësive akademike të mërkurën kanë refuzuar të takohen me kryeministrin Hashim Thaçi. Takimi është iniciuar nga shefi i ekzekutivit kosovar, por ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ka dështuar ta organizojë suksesshëm atë. Ministri nuk ka mundur ta bindë rektorin Enver Hasani dhe shumicën e 17 dekanëve për t’iu përgjigjur kërkesës së kryeministrit Thaçi. Burime të besueshme brenda Universitetit publik kanë bërë të ditur se pritjes që kryeministri ka organizuar për rektorin dhe dekanët i kanë paraprirë disa prapaskena, të cilat kanë nxjerrë në pah marrëdhënie tepër të brishta komunikimi që përngjajnë midis universitetit dhe qeverisë. “Fillimisht, nivele më të ulëta të Ministrisë së Arsimit kanë provuar të bindin rektorin që t’i mbledhë dekanët për të shkuar në takim, ndërsa mbrëmë (e martë) edhe ministri Hoxhaj e ka kontaktuar rektorin në lidhje me këtë çështje, mirëpo rektori ka refuzuar që t’i mbledhë dekanët”, ka deklaruar një zyrtar i UP-së... “Nuk është punë e rektorit që t’i dërgojë dekanët te kryeministri. Do t’i ofendoja sikur ta bëja një gjë të tillë”, ka thënë rektori Hasani. “Ata janë vartës të Rektoratit, e rektori është bashkë me dekanët vartës i ligjit dhe askujt tjetër. Çdo qasje tjetër e kthen Universitetin e Prishtinës aty ku ka qenë para se unë të vija në krye të tij”, ka tërhequr vërejtjen ai...

LAJM
Pas luhatjeve dhe qëndrimeve kundërthënëse, më në fund duket se Bashkimi Evropian do të dalë me një qëndrim të unifikuar rreth kërkesës serbe, që GJND-ja të japë një mendim këshillëdhënës rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Blloku pritet të abstenojë nga votimi i projektrezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që do të bëhet më 8 tetor, ndonëse nuk do të votojë “kundër” siç do të preferonin kosovarët. Me këtë “potez”, Bashkimi Evropian pretendon të ketë rol balancues me të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, të cilat në një të ardhme jo aq të afërt synojnë integrimin në këtë organizatë. Abstenimi, ndërkaq, interpretohet në mënyra të ndryshme nga njohësit e politikave të OKB-së. “BE-ja nuk ka një konsensus në votimin e rezolutave. Ndarjet në votim, zakonisht ndodhin në OKB; në këtë rast, disa shtete të BE-së mbajnë pozicionet e tyre, varësisht prej politikës që kanë ndjekur më parë. Një pjesë e tyre, nuk merr dot vendim në OKB si bllok dhe ky fenomen vazhdimisht e ka ndjekur BE-në...”, tha për Lajm Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB...

EXPRESS
Ali Ahmeti, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, partner shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë, ka hedhur poshtë çdo lidhje që i bëhet njohjes së Kosovës me fatin e rezolutës serbe në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, inkurajoi këtë javë Malin e Zi dhe Maqedoninë të mos marrin vendim për njohjen e Kosovës deri në votimin e rezolutës serbe, që pritet të bëhet të hënën, e cila do ta obligonte GJND-në të nxjerrë një opinion për ligjshmërinë e Deklaratës së 17 shkurtit. Por, Ali Ahmeti as nuk ka biseduar me partnerin e koalicionit, kryeministrin Nikola Gruevski, për këtë mundësi. Ai insiston se kjo lidhje është thjesht spekulim. “Nuk kemi pasur takime lidhur me shtyrje apo mosshtyrje të njohjes së pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Ahmeti të martën për Express, ndonëse Podgorica ka sinjalizuar se megjithatë do të presë ditën e hënë...

INFOPRESS
Nuk kanë mbetu edhe shumë ditë deri kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të marrë vendim pro ose kundër pranimit të kërkesës së Serbisë për shqyrtimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga GJND-ja... Për analistin politik, Behlul Beqaj, nuk ka dilemë se në rast se një kërkesë e tillë e Serbisë kalon për shqyrtim në GJND, atëherë do të shkaktojë vështirësi të shumta në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Së paku mendoj se Mali i Zi dhe Maqedonia shumë vështirë do ta njohin. Sikur ta kishin njohur përpara, ka pasur gjasë t’i ndihmonin moskalimit të rezolutës. Mali i Zi dhe Maqedonia, ta ripërkujtoj, janë vendet e para në të cilat politika serbe ka bërë presion për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës”, thotë Beqaj...

ZËRI
UNMIK-u kundërshton idenë e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, për ndarjen e Kosovës, por pret që deklaratat e tij të mos ndikojnë në misionin që ka ndërmarrë për të ndërmjetësuar dialogun teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Zëvendësi kryesor i shefit të UNMIK-ut, David Herland, ka shkuar dje në Beograd në përpjekje për të gjetur zgjidhje në rifunksionalizimin e policisë dhe doganave në pjesën veriore të Kosovës. “Për aq sa na takon neve, nuk duhet të ketë ndarje të Kosovës dhe nuk shoh pse duhet të diskutohet për këtë çështje”, ka thënë zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko...

KOSOVA SOT

Institucioni më i rëndësishëm arsimor në vend ka nisur një vit të ri akademik me problemet e vjetra dhe me mijëra studentë të rinj në auditorët universitar. Udhëheqja e Universitetit të Prishtinës premton ngritje të cilësisë së studimeve, ndërsa ministri i Arsimit thotë se UP-ja do të shndërrohet në institucion hulumtues shkencor. Por, fjalët e mira i merr era dhe në praktikë UP-ja është ende larg universiteteve bashkëkohore. Problemet janë në dy drejtime: në aspektin kadrovik dhe në infrastrukturën teknike. Metodologjia e mësimdhënies, me pak përjashtime, ka mbetur ajo e vjetra, duke mos nxitur kreativitetin e studentëve. Me gjithë angazhimin e shtuar për t’i freskuar radhët e stafit akademik me ligjërues të rinj, ende ka defekte të shumta në mësimdhënie dhe në përkushtimin e profesorëve ndaj studentëve. Në universitetin tonë ka plot ligjërues, të cilët nuk kanë grada shkencore, as publikime në fushën e tyre dhe, megjithatë, kanë një trajtim të mirë nga Rektorati në listën e pagave dhe në hierarkinë drejtuese të fakulteteve...
XS
SM
MD
LG