Ndërlidhjet

FT: "Frika nga recesioni i thellë në Evropë"


"Financial Times"


Kontinenti i Evropës është nisur drejt një recesioni më të thellë se Shtetet e Bashkuara për shkak të mungesës që ka në fleksibilitet për të reaguar në raport me përkeqësimin e situatës ekonomike, thonë disa ndërmarrës dhe strategë të njohur.

Njerëzit e biznesit evropian janë të shqetësuar se edhe pse kriza financiare origjinën e ka në Shtetet e Bashkuara, Evropa do të jetë ajo që do të vuajë më shumë. Janë të shumtë ata që i janë bashkuar investitorëve në thirrjet për Bankën Qendrore Evropiane për të hequr dorë nga angazhimet e saj vetëm në inflacion dhe për t’u përqëndruar më shumë në përpjekjet për të shmangur recesionin.

Carmen Riu, një nga udhëheqësit e grupit kryesor turistik në Spanjë, “Riu Hotels & Resorts” thotë: “Fundi i krizës do të jetë më i lehtë në Shtetet e Bashkuara se sa në Evropë. Në SHBA janë më energjikë në këtë drejtim, ndërkaq Evropa përfundimisht është më e ngrirë”.

Ndëmarrësit dhe strategët janë të shqetësuar se Evropa nuk i ka shfrytëzuar kohët e mira në vitet e kaluara për të çuar përpara reformat aq të nevojshme në fushat sikur që është fleksibiliteti në fuqinë punëtore. Kompani të tëra përgjatë Evropës janë duke u përpjekur ta ringjallin vetveten duke shuar vende pune, prodhim dhe rekrutim.

Kjo ndodhë në kohën kur zhvillimi në Evropë ka rënë, me gjithë stabilitetin që është shënuar në çerekun e parë, gjë që ka nxitur analistët të mendojnë se disa ekonomi evropiane tashmë janë në prag të recesionit.

Një strateg i lartë pranon se fokusi i Bankës Qendrore Evropiane mbi inflacionin e zbehë çdo prospect për rritjen ekonomike të kontinentit. “Banka Qendrore Evropiane duhet të fokusohet në inflacion për një gamë të gjerë arsyesh politike dhe historike. Kjo nënkupton – me gjithë faktin se tingëllon ironike – se ekonomia amerikane do të shpëtojë më lehtë se ne nga e gjithë kjo krizë. Fleksibiliteti i madh në SHBA në krahasim më Evropën e bën një gjë të këtillë dhe më të mundshme”, thotë ai.

Shumë kompani evropiane kanë arkëtuar zhvillimin e tyre nga tregjet në lindje, si Rusia dhe Kina, duke bërë përpjekje të kompenzojnë dobësitë e tyre në Evropë. “Mendoj se kohët janë të vështira, pavaërsisht nga fakti se sa ndërkombëtar mund të jesh. Askush në fakt nuk e di se çfarë do të ndodhë. Por, nëse do të vësh bast, mendoj se nuk duhet të zgjedhësh Evropën përballë Shteteve të Bashkuara”, thotë një udhëheqës i një kompanie të madhe gjermane.


XS
SM
MD
LG