Ndërlidhjet

logo-print

Pajaziti: Në veri ka struktura para-politike kriminale


Zenun Pajaziti

Zenun Pajaziti

“Janë disa struktura para-politike kriminale (në veri), që dëshirojnë të kenë një atmosferë që do të jetë në interes të profiterëve. Andaj, atje shfaqet trafikimi, kontrabanda...”, thotë Zenun Pajaziti, ministër i Punëve të Brendshme.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pajaziti, serbët e Kosovës, në vendet e banuara me serbë, po mbajnë protesta kundër misionit të ri ndërkombëtar - EULEX. Sa po ndikojnë zhvillimet e tilla në situatën e sigurisë?

ZENUN PAJAZITI
Situata e sigurisë në Kosovë vazhdon të mbetet stabile, e qetë, përkundër përpjekjeve të vogla, herë pas here, për të zhvilluar aktivitete që dëshirojnë të krijojnë një imazh tjetër. Në fakt, protestat e paralajmëruara për sot janë protesta të organizuara nga një pjesë e komunitetit serb, më saktësisht nga disa përfaqësues të tyre, të disa nga strukturave të tyre paralele politike.

Mendoj që nuk do të ketë telashe për sa i përket cenimit të sigurisë. Këto struktura, këta përfaqësues të tyre, secilën herë e më shumë, po e kuptojnë se institucionet legale në Kosovë janë ato që duhet t’i përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve.

Shpresojmë që njerëzit, qytetarët tanë nga komuniteti serb të mos bien pre e manipulimeve, që do të çojnë në situata të tjera, të cilat nuk do të jenë të mira për vetë qytetarët serbë. E dimë se ka shqetësime te ta, kryesisht janë të karakterit politik dhe kryesisht vijnë nga imponime politike nga jashtë.

Përkundër deklaratave tejet dashakeqëse dhe të rrezikshme që vijnë nga Beogradi, ne kemi arritur të menaxhojmë situata të ndryshme jo vetëm tash pas shpalljes së pavarësisë, por edhe më herët. Jemi të sigurt që do të menaxhojmë çdo situatë të krijuar, aq më tepër kur kemi tanimë një konsolidim shumë të mirë të institucioneve tona të sigurisë dhe një mbështetje të mirë nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Ligji ua lejon qytetarëve të drejtën e protestës. Ne i kemi në konsideratë të drejtat e tyre dhe kemi në konsideratë po ashtu edhe një frustrim të një pjese të komunitetit të tyre. Prandaj, vlerësimet jo vetëm politike, por edhe vlerësimet që vijnë nga struktura profesionale të policisë, na japin të mendojmë dhe të shpresojmë se nuk do të ketë shqetësime serioze.

RADIO EVROPA E LIRË

Çka jeni duke bërë ju si ministri, për kthimin e një rendi më të qëndrueshëm në veri të Mitrovicës?

ZENUN PAJAZITI
Siç e dini, atje kemi pasur vështirësi serioze në funksionimin e disa institucioneve vitale të vendit. Ne jemi kujdesur bashkë me faktorin ndërkombëtar që t’i riinstalojmë këto mekanizma. Ne e kemi ndarë një fond si qeveri për evitimin e dëmeve që janë bërë nga protestat atje, pas shpalljes së pavarësisë. Kemi bërë përpjekje për instalimin edhe të doganave, edhe të policisë.

Përkundër insistimit tonë të vazhdueshëm që t’i bëjmë këto institucione, t’i rikthejmë atje, kemi qenë po ashtu të kujdesshëm që të mos kemi skena dhune atje, të mos kemi reagime të popullatës, sepse, siç e dini, përkundër asaj që ka rënë ndikimi, përkundër asaj që po bëhet një vetëdijesim më racional në popullatën atje, ende kemi njerëz që nuk janë të kënaqur me realitetin e ri të krijuar në Kosovë, njerëz që janë të manipuluar nga qarqe të ndryshme politike nga jashtë vendit.

Po vazhdojmë të jemi të kujdesshëm; kohëve të fundit, siç e dini, kemi një vendosmëri pak më të madhe edhe të mekanizmave ndërkombëtarë që të punohet më shumë në atë drejtim. Ne jemi të zotuar që bashkërisht edhe me faktorin ndërkombëtar t’i rikthejmë institucionet atje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku qëndron problemi më i madh në instalimin e institucioneve legale në pjesën veriore?

ZENUN PAJAZITI
Në fakt, tani, të gjithë banorët atje janë të gatshëm dhe kërkojnë kthimin e rendit atje. Është një kërkesë edhe e vetë banorëve serbë. Janë disa struktura, lirisht mund të quhen struktura para-politike kriminale, të cilat dëshirojnë të kenë një atmosferë të tillë, ku më shumë do të jetë në interes të profiterëve.

Prandaj, edhe kemi atje shfaqje të trafikimit, të kontrabandës, kemi një imponim të kësaj gjendjeje pikërisht nga strukturat që janë kriminale. Sa më shumë që të jemi të vendosur në luftimin e këtyre dukurive, do të krijojmë një gjendje normale në të gjithë regjionin. Është vendosmëri shumë e madhe, siç e thashë, që tanimë është në rritje edhe te faktori ndërkombëtar.

Gjithnjë po kemi kujdes që në këtë kohë kur ne kemi një interes shumë të madh të promovojmë vlerat e shoqërisë sonë, t’i promovojmë synimet e qeverisë sonë për një Kosovë shumetnike, një republikë që u shërben të gjithë qytetarëve, kemi më së paku nevojë t’u japim shansin faktorëve keqbërës kriminalë që të jenë të pranishëm.

Pra, për aq sa jemi të vendosur që t’i rikthejmë institucionet, ta kthejmë jetën normale atje bashkë me faktorin ndërkombëtar, po aq jemi të kujdesshëm që të mos japim shanse për gjëra të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas formimit të Komisionit për Emërime të Larta dhe Disiplinë, është thënë se pritet së shpejti të bëhen emërimet e reja në Policinë e Kosovës. Në fakt, kur do të ndodhë një gjë e tillë?

ZENUN PAJAZITI
Siç e thatë, ne veç e kemi vënë në funksion, tanimë e kemi krijuar Komisionin për Emërime të Larta dhe Disiplinë. Këto ditë do të emëroj edhe panelin nga ky komision që do të merret pikërisht vetëm me emërimin dhe do të shkohet sipas procedurave që i përcakton ligji. Unë e kam thënë disa herë që brenda këtij viti do t’i kemi të kryera emërimet brenda policisë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG