Ndërlidhjet

Protestuesit serbë thonë se EULEX-i është okupator


Mitrovica
Mitrovica

Në kundërshtim të vendosjes së misionit të EULEX-it, nëpër enklavat serbe, pjesëtarët e këtij komuniteti organizuan protesta. Organizatorët e protestave thanë se EULEX-i është mision okupues që vjen në Kosovë për ta zbatuar pavarësinë e saj.


Disa mijëra qytetarë serbë kanë protestuar sot nëpër vendbanimet e banuara nga ky komunitet në Kosovë, në shenjë pakënaqësie me vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian – EULEX.

Protestuesit thanë se nuk do të lejojnë që EULEX-i të shtrihet në vendbanimet serbe, duke e parë atë si mision që vihet në mbështetje të Republikës së pavarur të Kosovës.

Protestat janë mbajtur si në enklavat në pjesën qendrore të Kosovës, ashtu edhe në pjesën veriore të Mitrovicës.

Nënkryetari i Kuvendit të komunave serbe të Kosovës, Marko Jakshiq, tha para masës së tubuar në veri të Mitrovicës se kjo protestë ka për qëllim t’i tregojë opinionit vendorë dhe atij të jashtëm, se serbët nuk do të pajtohen kurrë me shtrirjen e misionit të EULEX-it në Kosovë, sidomos në vendbanimet me shumicë serbe.

“Jemi kundër EULEX-it, sepse ai është një mision okupues që ka për qëllim të na e marrë hapësirën në të cilën jetojmë, që të na i marrë shtëpitë tona, territorin tonë”, tha Jakshiq.

Ky mision, sipas tij, ka për synim formimin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, andaj ai tha se serbët nuk do të lejojnë Bashkimin Evropian që ta shtrijë misionin e vet në Kosovë.

Jakshiq ka kërkuar në vazhdim që si kundërpërgjigje ndaj misionit të EULEX-it dhe pavarësisë së Kosovës, serbët t’i shpallin zgjedhjet e lira dhe të formojnë organet e tyre paralele konform sistemit legal në Kosovë.

“Forcimi i institucioneve shtetërore të Serbisë është përgjigjja më e mirë ndaj përpjekjeve për formimin e Kosovës së pavarur”, tha Jakshiq.

Protestuesit mbanin në duar mbishkrimet, “Kosova është shpirti i Serbisë” , “Stop EULEX-it” dhe këndonin këngë nacionaliste serbe. Kurse, disa nga ta mbanin në veshjet e tyre fotografinë e radikalit Voisllav Sheshel, i akuzuar për krime të luftës nga Gjykata e Hagës.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke mos i komentuar efektet e protestave në lidhje me misionin e Bashkimit Evropian, shprehu besimin e tij se përkundër protestave, EULEX-i do të shtrihet në gjithë Kosovën.

“Ata qytetarë janë shtetas të Republikës së Kosovës. EULEX-i ka mandatin të cilin do ta shtrijë në tërë territorin e Kosovës hap pas hapi”, tha Thaçi.

Në pamundësi të miratimit të një rezolute të re në Këshillin e Sigurimit, e cila do të zëvendësonte Rezolutën 1244, misioni policor e gjyqësor i Bashkimit Evropian ka hyrë nën ombrellën e OKB-së.

Por, duke qenë se ky mision ka për bazë pakon e Ahtisaarit, serbët e kanë kundërshtuar atë duke e parë si mision që vjen për jetësimin e pavarësisë së Kosovës.

Andaj, për serbët, misioni i vetëm ndërkombëtar që mbetet i pranueshëm është ai i UNMIK-ut, i cili, me gjasë, edhe pas rikonfigurimit do të ruajë një prani të konsiderueshme në Kosovë, sidomos në viset e banuara me serbë.
XS
SM
MD
LG