Ndërlidhjet

“Maqedonia - para vendimit për njohje”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë, David Miliband, në tekstin autorial të botuar dje në gazetën " Vijesti” të Podgoricës, ka shfaqur besimin se Mali i Zi, pas debatit në parlament, do ta njohë Kosovën". "Parlamenti i Malit të Zi nesër (sot) do të debatojë për Kosovën. Besoj se pas këtij debati Mali i zi do ta njohë Kosovën. Ky akt do t'i shërbejë edhe Malit të Zi dhe rajonit, sepse njohja e Kosovës është çelës i stabilitetit rajonal. Tani janë 50 shtete në të gjithë botën, duke përfshirë këtu edhe 21 vende anëtare të Bashkimit Evropian, që e kanë pranuar Kosovën”... Siç kanë njoftuar medie të Podgoricës, sot në Parlamentin e Malit të Zi do të debatohet për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kryeministri malazias, të mërkurën, në Podgoricë, ka folur për Kosovën me kryeministrin e Serbisë, Mirko Cvetkoviq. Me këtë rast, ai ka thënë se Mali i Zi lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës do të veprojë sipas interesave strategjike të veta. Deri më tani shumë diplomatë perëndimorë i kanë sugjeruar Malit të Z të njohë pavarësinë e Kosovës...

EXPRESS
Nuk janë pjesë esenciale e Partisë Demokratike të Kosovës, por ata mund t'i japin një goditje partisë së kryeministrit dhe sidomos matematikës së votave në Kuvend. Disa prej anëtarëve të Grupit Parlamentar të PDK-së, partisë udhëheqëse në koalicionin qeverisës, të cilët vazhdimisht kanë shprehur dallime në votimet në Parlament, mundet shpejt edhe ta bëjnë më të vërejtur ndryshimin e tyre me pjesën tjetër - qoftë përmes pozicionimit të hapur publik, ose ndoshta edhe ikjes. Të dy versionet do të ishin diçka e re për partinë e mësuar me imponimin e disiplinës dhe autoritetit nga kryetari Hashim Thaçi. Deputeti Hydajet Hyseni, një figurë shumëvjeçare e politikës së Kosovës, ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij në lidhje me disa prej veprimeve të PDK-së. "Ka shumë arsye që të jem i pakënaqur", ka thënë ai, në një prononcim për Express, por ndërkohë ka mohuar mundësinë e kalimit në ndonjë grup tjetër parlamentar. "Kjo nuk do të thotë se mund të reflektohet në këtë mënyrë. Iniciativa mund të ketë gjithfarë, por unë nuk di për ndonjë nismë në kuadër të grupit tonë parlamentar". Për më shumë, Hyseni ka thënë se ndonëse nuk është pjesë e ndonjë nisme aktualisht, "nismat që do të avanconin proceset politike ose konsolidimin e skenës politike kosovare - i shikoj me simpati"...

KOHA DITORE
Maqedonia “shumë shpejt" do të mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i dytë fqinjë (pas Shqipërisë) dhe shteti i tretë i dalë nga ish-Jugosllavia (pas Sllovenisë dhe Kroacisë) që njohin shtetin më të ri. Kjo është kuptuar të hënën në Bruksel nga deklarata e presidentit të Republikës së Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, pas takimit që pati me komisionarin e Zgjerimit, Olli Rehn. “Kemi diskutuar edhe për raportet tona me Kosovën. Është mendimi im se tash ka kaluar koha për mendime dhe analiza rreth pavarësisë së shpallur të Kosovës dhe ka ardhur koha për vendime. Ne kemi ndërtuar qëndrimin tonë. Tash pres që shumë shpejt Qeveria, nën ingerencat e së cilës është edhe kjo çështje, në bazë të Kushtetutës, ta bëjë publik këtë vendim", ka thënë presidenti Cërvenkovski. Komisionari i Zgjerimit, Olli Rehn, mirëpriti atë që ai e quajti “rol konstruktiv" të Maqedonisë në rajon e në veçanti në rastin e Kosovës dhe shprehu bindjen se Maqedonia do të vazhdojë dhe në të ardhmen të luajë rol konstruktiv në këtë drejtim. Bashkimi Evropian si institucion nuk ka qëndrim zyrtar rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës, sepse kjo çështje është nën kompetencat e vendeve anëtare veç e veç...

KOSOVA SOT
Qeveria e Kosovës ka vendosur të enjten që prej janarit të vitit të ardhshëm Universiteti i Prishtinës të funksionojë si organizatë buxhetore me autonomi të plotë financiare. Qeveria me këtë vendim ka hedhur një tjetër hap, që ka për objektiv përmirësimin e kushteve të punës, ngritjen e cilësisë dhe gjendjes të punonjësve të arsimit të lartë. Kryeministri Hashim Thaçi, duke arsyetuar vendimin, tha se kjo do të ndihmojë reformat, modernizimin e mësimdhënies, nxitjen e punës kërkimore shkencore dhe rritjen e dinjitetit për vetë stafin akademik të Universitetit. "Nëpërmjet kësaj rritet cilësia në punën mësimore dhe shkencore, dhe thellohet reforma në universitet, në përputhje me trendët e zhvillimit universitar modern. Arsimi i lartë do të pajiset me mjete moderne, laboratorë dhe do të modernizohet mësimdhënia me mjetet e reja teknologjike. Do te përmirësohet qind për qind baza materiale e të punësuarve në Universitet dhe do të stimulohen për punën që bëjnë punonjësit universitarë", tha Thaçi...

LAJM

Bashkimi Evropian nuk e ka përkrahur dhe nuk do ta përkrahë asnjëherë idenë e ndarjes së Kosovës. Kështu deklaroi të enjten Christina Gallach, zëdhënëse e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Javier Solana. Ajo tha për BBC-në se deri tani zyrtarët serbë asnjëherë nuk e kanë ngritur këtë çështje në diskutime me BE-në. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka deklaruar në fillim të kësaj jave se në rast të shterjes së opsioneve për zgjidhjen e problemit të Kosovës, sipas planit serb për një autonomi thelbësore, atëherë është i gatshëm të mendojë edhe për ndarjen e saj. Ndërkaq, në lidhje me nismën serbe në Asamblenë e Përgjithshme për vlerësimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, zëdhënësja Gallach tha se u takon vendeve të ndryshme të BE-së që t’i përgjigjen propozimit dhe ideve që autoritetet serbe mund të paraqesin...

BOTA SOT
Ndonëse Uashingtoni zyrtar ende nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar pas deklaratës së presidentit serb, Boris Tadiq, mbi ndarjen "si një opsion", zyrtarë dhe analistë amerikanë tash një kohë të gjatë kanë tërhequr vërejtjen për ndarjen dhe kanë theksuar se, ndonëse kjo ndarje "de facto" ekziston, bashkësia ndërkombëtare "de jure" nuk do ta lejojë atë, apo të paktën do të deklarojë se nuk do ta lejojë atë. Në seancën e konfirmimit për ambasadorë të parë të Shteteve të Bashkuara në Kosovë në qershor, në Uashington, Tina Kaidanou, tërhoqi vërejtjen për kërcënimin serioz të stabilitetit të Kosovës nga ana e Beogradit dhe për një politikë të hapur "të nxitjes së ndarjes etnike". Gjithsesi, përkundër deklaratave dhe thirrjes së zhurmshme në të drejtën ndërkombëtare, Beogradi zyrtar vazhdimisht e shkel atë, duke punuar njëkohësisht në një strategji më të gjerë, ashtu siç ka bërë tash mbi një dekadë edhe në Bosnjë, duke minuar unitetin e vendit atje. Dhe ky kërcënim i nxitur për një ndarje funksionale tanimë gjithnjë e më shumë po shkon edhe drejt ndarjes territoriale. Kjo strategji serbe, e filluar edhe përmes një fushate diplomatike, muaj më pare në Nju-Jork, për t'i bashkëngjitur një pengesë ligjore pavarësisë së Kosovës, synon përfundimisht pengimin e ndërtimit të mëtejmë dhe konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës...

INFOPRESS
Nuk dihet data e saktë, por përfundimisht dihet se brenda këtij muaji do të zgjidhet stafi drejtues i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, si dhe do të dihen emrat e tre zv/ministrave. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës kanë thënë të enjten për gazetën se vonesat në këtë aspekt kryesisht kanë pasur të bëjnë me konsultat në mes partnerëve në koalicion qeverisës dhe me faktorin ndërkombëtar. Ka gati tre muaj që kur është vendosur të themelohet Agjencia Kosovare e Inteligjencës, por qe ende nuk janë gjetur emrat e përshtatshëm që do ta drejtojnë këtë institucion. Po kështu ka ndodhur edhe me postet e zv/ministrave, atij të Ministrisë së Jashtme, të Forcës së Sigurisë dhe të Tregtisë dhe Industrisë. Zv/kryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, i ka thënë gazetës të enjten se nuk mund të japin një datë të saktë se kur do të zgjidhen personat që do ta drejtojnë AKI-në. "Janë duke u bërë konsultat mes presidentit dhe kryeministrit në lidhje me këtë çështje. Nuk mund të japim një datë se kur do të kemi emrat, por besojmë se definitivisht kjo çështje do të përfundojë brenda këtij muaji", ka thënë zv/kryeministri Manaj...

EPOKA E RE
Kryeministri Hashim Thaçi, të enjten, i është kundërpërgjigjur deklarimeve të politikanëve serbë se disa nga shtetet që e kanë njohur Kosovën do t'i tërheqin vendimet e tyre, duke garantuar se shumë shpejt do të ketë rritje të njohjeve, të cilat do të jenë befasuese për Serbinë. Shefi i qeverisë kosovare ka thënë se njohjet e reja, që pritet të ndodhin, do të vijnë si rezultat i punëve të përbashkëta të institucioneve të Kosovës si dhe merita të partnerëve ndërkombëtarë. "Njohjet për pavarësinë e Kosovës vetëm do të rriten. Ato do të jenë befasuese për Serbinë. Njohjet do të vijnë si rezultat i punëve të përbashkëta që kanë bërë institucionet e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë", është shprehur Thaçi. Po ashtu, kryeministri Hashim Thaçi të enjten ka sqaruar se Qeveria e Kosovës nuk do të themelojë agjenci ndërkombëtare për lobim, siç është paralajmëruar më herët. Në lidhje me këtë çështje edhe zëvendëskryeministri Kuçi ka treguar se 3 milionë euro do të shfrytëzohen për ngritjen e imazhit të Kosovës, duke bërë reklamime në "CNN", "BBC", apo edhe në "Al Gjazira". Thaçi ka lavdëruar punën që është duke e bërë Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) rreth njohjeve të reja...
XS
SM
MD
LG