Ndërlidhjet

Rifillon punën gjykata në Mitrovicë


Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në Mitrovicë

Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në Mitrovicë

Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës, pas një ndërprerjeje disamuajshe, kanë rifilluar punën me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë. Kështu njoftojnë zyrtarë të UNMIK-ut, të cilët presin që pas 2 muajve, punës t'i kthehen edhe punonjësit vendorë të drejtësisë.


Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës kanë filluar sërish punën, pas një ndërprerjeje më se 6 muajshe, e cila kishte ardhur si pasojë e uzurpimit të objektit të gjykatës nga protestues serbë.

Në bazë të vendimit të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në objektin e gjykatave fillimisht janë kthyer gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, duke punuar në bazë të rregulloreve të UNMIK-ut.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, thotë se gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë, që nga data 3 tetor, do të merren vetëm me shqyrtimin e rasteve urgjente.

"Do të jenë dy gjykatës dhe dy prokurorë ndërkombëtarë dhe rreth 12 oficerë dhe asistentë gjyqësorë e të tjerë. Këta do të merren kryesisht me rastet urgjente kriminale, por nuk do të merren me raste penale", shpjegon Ivanko.

Kthimi në punë i punonjësve ndërkombëtarë të drejtësisë në Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale në veri kishte nxitur reagime te gjykatësit vendorë, të cilët kërkuan që sa më parë të kthehen në vendet e tyre të punës në po këtë institucion.

Lidhur me këtë, Ivanko thotë se UNMIK është duke zhvilluar bisedime me Prishtinën e Beogradin për të rikthyer, pas një periudhe të planifikuar 2 mujore, edhe gjykatësit serbë si dhe kosovarë në punë.

"Plani është që për 60 ditët e para në gjykata në veri të punojnë vetëm gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë dhe aktualisht jemi duke diskutuar me Prishtinën dhe Beogradin se kur mund t'i kthejmë edhe gjykatësit vendorë", tha Ivanko.

Sidoqoftë, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, mendon se serbët e veriut të qytetit nuk do të pranojnë kthimin e gjyqëtareve serbë nëpër gjykata. Nonëse nuk shprehet optimist në këtë drejtim, ai thotë se fillimi i punëve në ato institucione, megjithatë, është një hap pozitiv.

“Fillimisht, është paralajmëruar se do të punohet me rregullore të UNMIK-ut, që prapë nuk është mirë, por është më mirë sesa të mos funksionojë fare. Nuk jam shumë optimist, megjithatë nuk dua të paragjykoj”, thotë Rexhepi.

Në ditën e rifunksionalizimt të Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale, Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë, kryesisht rreth objektit të gjykatave.

Me gjithë tensionet që akoma ekzistojnë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës, situata e sigurisë vlerësohet të jetë e qetë dhe stabile. Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, njofton:

"Sigurisht që ne kemi një prani të shtuar të policisë atje, kryesisht rreth objekteve të gjykatave, marrë parasysh ndjeshmërinë e këtij rasti dhe vlerësimeve të marra nga terreni".

Mungesa e sigurisë, e cila ishte arsyeja kryesore për ndërprerjen e punës së gjykatave, sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tanimë nuk mund të përdoret si shkak.

Kryetari i këtij këshilli, Rexhep Haxhimusa, mohon të ketë bërë ndonjë kërkesë të veçantë për shtimin e masave të sigurisë, por shpreh bindjen se mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë të sigurisë do të kryejnë punën e tyre, duke u garantuar një vajtje të sigurt nëpër objektet në veri edhe gjyqtarëve shqiptarë, kur ata fillojnë punën e tyre.

“Policia e Kosovës, është atje edhe KFOR-i, merren gjithashtu me ruajtjen e rendit dhe të qetësisë dhe në atë drejtim janë gjithmonë të gatshëm. Vajtja e gjyqtarëve atje nuk paraqet kurrfarë sfide për këto organe”, thekson Haxhimusa.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të këtij viti kishte shkaktuar një valë protestash të serbëve kosovarë, të cilët kundërshtonin ashpër krijimin e shtetit të Kosovës.

Në kuadër të këtyre protestave u përfshi edhe Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës, që pas uzurpimit nga serbët dhe për shkaqe sigurie, u detyruan t'i ndërpresin punët. Që nga 20 shkurti i këtij viti, stafi lokal i gjykatës ishte zhvendosur në qytetin e Vushtrrisë, ku merrej vetëm me raste urgjente.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG