Ndërlidhjet

Prishtina pret njohje të shpejta nga Shkupi e Podgorica


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi u shprehën të bindur se Maqedonia dhe Mali i Zi do ta njohin Kosovën në një afat shumë të shkurtër. Ata thanë se njohja nga këto dy vende, ndikon në dinamikën e tërë procesit të njohjes së Kosovës.


Udhëheqësit kosovarë thonë se kanë sinjale pozitive për njohje të reja të shtetit të Kosovës, sidomos nga vendet fqinje.

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi thanë sot pas takimeve të ndara me shefin e ri të misionit të OSBE-së në Kosovë, Werner Almhofer, se njohja e Kosovës do të vazhdojë, ndërkohë që Mali i Zi dhe Maqedonia shumë shpejt do ta ndërmarrin një hap të tillë.

Presidenti Sejdiu tha se njohja nga vendet e ish-Federatës Jugosllave ka një rëndësi të veçantë për gjithë procesin e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. Presidenti Sejdiu tha se vendimet e vendeve fqinje do të jenë përgjigjja më e mirë edhe për ato vende që mendojnë se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur ende.

“Është një përgjigje e mirë posaçërisht nga vendet që tash janë sovrane, me të cilat kemi qenë në një bashkësi shtetërore, e cila është shkatërruar dhe nuk ekziston më. Andaj, ne e çmojmë rolin e veçantë që do të ketë Maqedonia në këtë rast, si edhe Republika e Malit të Zi, si dhe e çmojmë po ashtu këtë ecje praktike të relacioneve të mira që kemi pasur deri tash”, tha Sejdiu.

Presidenti Sejdiu tha se nuk i takonte atij që ta thotë datën se kur do të marrin vendime Shkupi dhe Podgorica për njohjen e Kosovës, por, nënvizoi ai, gjatë takimeve që kishte zhvilluar në Nju Jork me presidentët e këtyre dy vendeve, kishte marrë mesazhe shumë pozitive se njohja do të pasojë brenda një afati jo të largët.

Po ashtu, edhe kryeministri Hashim Thaçi tha se vendet e ndryshme, përfshirë edhe fqinjët, kanë treguar një respekt shumë të madh për shtetin e pavarur të Kosovës, pavarësisht se ende nuk e kanë marrë vendimin për njohje. Ai tha se Prishtina i respekton procedurat, por edhe arsyet e këtyre vendeve pse ende nuk e kanë marrë vendimin për njohjen e Kosovës.

“Njohjet e reja do të ndodhin në të ardhmen shumë të afërt, njohje që do të jenë kontribuuese për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon, që do të jenë në të ardhmen jo të largët edhe për të mirën e vetë Serbisë”, u shpreh Thaçi.

Presidenti Sejdiu, ndërkohë, vlerësoi se përpjekjet e Serbisë qoftë ato përmes Kombeve të Bashkuara apo interpretimit të pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, nuk do ta stopojnë procesin e njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Do të ketë edhe njohje të reja jashtë kësaj, që do të jenë të vendeve të fqinjësisë dhe rajonit, dhe përpjekjet e Serbisë për ta penguar zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës edhe në kuptimin e relacioneve të saj për plotësimin e kritereve në mekanizma ndërkombëtarë, do të jenë të kota”, tha Sejdiu.

Kosova është njohur deri më tash nga 47 vende. Pritjet në Prishtinë fillimisht kanë qenë se ky numër do të ishte shumë më i madh, por vlerësohet se një ndikim në ngadalësimin e njohjeve kanë luajtur diplomacia ruse dhe ajo serbe, që kundërshtojnë ashpër pavarësimin e Kosovës.

Sidoqoftë, udhëheqësit në Prishtinë thanë sot se presin që vende të shumta botërore ta njohin Kosovën, pavarësisht presioneve të vazhdueshme diplomatike që mund të bëjnë Moska dhe Beogradi.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG