Ndërlidhjet

Qeveria ka shtyrë vendimin që Universiteti i Prishtinës të funksionojë si organizatë e pavarur buxhetore, veprim ky që, sipas rektorit, nuk i kontribuon universitetit. Ndërkohë, zyrtarë të qeverisë pohojnë se nuk përzihen në punët e universitetit. Por, mendim tjetër kanë ekspertët.

Ministria e Arsimit dhe Rektorati pohojnë se Universiteti i Prishtinës është i pavarur nga ekzekutivi i vendit, për të hedhur poshtë kështu shumë deklarime se universiteti vazhdon të jetë i politizuar.

Megjithatë, universiteti, as këtë vit, nuk mundur të sigurojë autonominë buxhetore, të premtuar nga qeveria.

Avdullah Alia, drejtor i Drejtoratit për Arsimin e Lartë, konsideron se Universiteti i Prishtinës është i pavarur dhe se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po ndihmon zhvillimin e mëtejmë të tij.

“Universiteti ka autonomi dhe Ministria e Arsimit është e përkushtuar që këtë autonomi menaxhuese financiare t'ia japë sa më shumë që të jetë e mundur dhe ta ketë tamam profilin e universiteteve që e kanë universitetet perëndimore, sa i përket autonomisë së tyre. Ministria e Arsimit është e përkushtuar që të jetë e tillë dhe të angazhojë ekspertë në afatin më të shkurtër të mundshëm që të merren me këtë çështje", tha zoti Aliu.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, konsideron se UP-ja ka vepruar në përputhje me ligjin dhe statutin e universitetit dhe është e pavarur.

"Universiteti, prej që kam ardhur unë, ka qenë dhe është, përveç çështjeve financiare, 100% i pavarur. Unë e kam zbatuar deri në fund statutin dhe ligjin dhe kam shfrytëzuar të drejtat e mia dhe do t’i shfrytëzoj, që më takojnë sipas ligjit dhe statutit; unë mendoj si universitet dhe si organe menaxhuese të universitetit", tha zoti Hasani.

Por, një mendim krejt tjetër ka eksperti për çështje të arsimit, Dukagjin Popovci. Ai pohon se tash për tash Universiteti i Prishtinës nuk është i pavarur, por varet nga Qeveria e Kosovës.

“Universiteti i Prishtinës ka një lojë varësie nga Qeveria, për vetë faktin se qeveriset nga një bord ku një numër mjaft të madh e përbëjnë njerëzit e emëruar nga qeveria. Mirëpo, mendoj se gëzon një shkallë relativisht të gjerë të autonomisë. Mendoj se ka një liri veprimi, mirëpo janë disa pika ku me ligj përcaktohet kompetenca e shtetit, siç është për shembull regjistrimi i studentëve, ku universiteti nuk ka një autonomi të plotë", tha zoti Popovci.

Ligji për arsimin e lartë parasheh disa kompetenca të Ministrisë për Universitetin, si planifikimin e zhvillimit të arsimit të lartë në Kosovë në konsultim me bartësit e akredituar të arsimit të lartë, drejtimin e bartësve publikë të arsimit të lartë dhe miratimin e statuteve të tyre, të cilat statute ratifikohen në Kuvend apo caktimin e fondeve.

Qeveria e Kosovës i pati premtuar UP-së se më 1 tetor të këtij viti, MASHT-i do t'ia bartë të drejtën e funksionimit si organizatë e pavarur buxhetore, mirëpo qeveria ka vendosur që kjo të ndodhë vetëm në fillim të vitit të ardhshëm. Këtë vendim rektori Hasani e sheh si një pengesë të madhe.

“Në aspektin financiar nuk ka ndryshuar asgjë. Ju e dini, ne kemi pasur memorandumin, mirëpo në momentin e fundit, qeveria atë nuk e ka zbatuar dhe ka menduar që duhet të shkojë nga 1 janari, për arsye që unë nuk i kam të qarta. Kjo mënyrë e veprimit nuk i kontribuon të mirës së Kosovës dhe të universitetit", tha rektori Hasani.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG