Ndërlidhjet

PE: EULEX të shtrihet në tërë Kosovën


Flamuri i BE-së

Flamuri i BE-së

EULEX-i duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës, përfshirë dhe veriun - deklaruan anëtarë të Komitetit për Siguri dhe Mbrojtje të Parlamentit Evropian. Ata thanë se ndarja e vendosjes në vija etnike ndërmjet UNMIK-ut e EULEX-it, është opsion i papranueshëm.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe polici duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës. Ndarja e përgjegjësive të EULEX-it dhe të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë në vija etnike në zona të ndryshme nëpër Kosovë, është opsion i papranueshëm.

Kështu thonë anëtarët e Komitetit për Siguri dhe Mbrojtje të Parlamentit Evropian në fund të vizitës së tyre 4 ditëshe në Kosovë. Kryetari i këtij komiteti, gjermani Karl Von Wogau, thekson se shtrirja e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës duke përfshirë dhe veriun është e vetmja mënyrë për garantimin e sundimit të ligjit.

"Mendoj se EULEX-i është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe mendoj se është e nevojshme që ky mision të shtrihet në tërë territorin e Kosovës. Kjo gjë është e rëndësishme për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, sepse nëse duam të sundojë ligji në tërë vendin, atëherë EULEX-i është një instrument i rëndësishëm në këtë drejtim", thotë Wogau.

Anëtarët e Komitetit të Parlamentit Evropian mendojnë se misioni i OKB-së në vend tanimë ka përmbushur detyrën e vet në Kosovë. Personi përgjegjës për përgatitjen e raportit të vizitës së komitetit në Kosovë, Joost Lagendijk, thotë se UNMIK duhet t'ia lë përgjegjësinë EULEX-it për t'i asistuar Qeverisë së Kosovës.

Mirëpo, ai thekson se institucionet e Kosovës duhet të qeverisin vendin pas shpalljes së pavarësisë së republikës.

"Po mendoj se UNMIK-u ka përmbushur misionin e vet. Efektshmëria e këtij misioni është ulur me kalimin e viteve dhe tani është koha që ky mision të ndryshojë qëndrimin e vet. Tani ka ardhur koha që ky mision të zvogëlohet dhe t'ia lë misionit të Bashkimit Evropian t'i asistojë Qeverisë së Kosovës, sepse misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ndryshon fundamentalisht nga ai i BE-së".

Me gjithë kundërshtimin e Beogradit zyrtar dhe të serbëve lokalë të Kosovës për shtrirjen e EULEX-it në zonat e banuara me serbë, Lagandikj thekson se me zgjidhjen e statusit të Kosovës i është dhënë ngjyrë jeshile misionit për sundim të ligjit dhe polici të BE-së të vendoset në Kosovë.

"Kosova është njohur nga pjesa më e madhe e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe kjo nuk do të ndryshojë. Asnjë nga këto shtete nuk do të mendojë të bëjë një rivlerësim lidhur me këtë. Pra, çështja e statusit ët Kosovës është zgjidhur. Pranoj se kjo çështje do të paraqitet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe do të ketë shumë debate për këtë.

"Sidoqoftë, Bashkimi Evropian dhe EULEX-i nuk do të presin mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por do të vendoset në Kosovë për të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit".


Përfaqësuesit e Parlamentit Evropian e vlerësuan si të domosdoshme integrimin e tërë rajonit të Ballkanit në strukturat e BE-së. Duke folur për anëtarësimin e Kosovës dhe të Serbisë në Bashkimin Evropian, ata thanë se parakusht për këtë është zgjidhja e problemit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, sa i përket statusit të Kosovës. Lagendijk sqaron:

"Nuk mund të them se cili do të jetë i pari, por do të motivoja që të dy shtetet t'i zgjidhin problemet bilaterale, sepse përndryshe në Bashkimin Evropian do të importohej një problem. Pra, fillimisht duhet të zgjidhet problemi ndërmjet Serbisë dhe Kosovës e pastaj të mendohet për integrim".


Komiteti për siguri dhe mbrojtje i Parlamentit Evropian do të paraqesë raportin e tij në fillim të vitit 2009 para Parlamentit Evropian. Në kuadër të këtij komiteti, i cili vizitoi Kosovën për herë të dytë, ishin edhe anëtare të vendeve të BE-së, të cilët akoma nuk kanë njohur shtetin e Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG