Ndërlidhjet

“Haradinaj: Qeverisja po degradon jetën në vend”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Ramush Haradinaj ka zgjedhur edhe një herë qetësinë e të dielës për të tentuar thyerjen e asaj qe ai e quan "paqe degraduese". "Nuk po ka guxim qytetari për t'i thëne asaj që është e keqe, e keqe. Ose të zezës, e zezë", ka thënë ai, duke iu adresuar gazetarëve në Prishtinë. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili është përfaqësuesi më i zëshëm opozitar, ka reflektuar për raportet e fundit të OSBE-së, UNDP-së dhe ICG-së. "Në këto tri raporte shpjegohet një degradim i gjendjes", ka thënë Haradinaj. "Në shumë prej pjesëve të tyre tregohet rënia e besimit në institucionet e Kosovës, prezenca e korrupsionit në punën e institucioneve të vendit, deri te mosekzistimi i një vizioni të qartë që rezulton me humbjen e shpresës së njerëzve". Haradinaj, madje, ka thënë se gjuha e këtyre raporteve është tejet e kujdesshme , Prandaj, për të nënvizuar shkallën e seriozitetit të raporteve, ai i ka interpretuar ato: "Për shembull, për punën e Kuvendit të Kosovës një paragraf i raportit të OSBE-së thotë: ka mungesë të udhëzuesve të harmonizuar për hartimin e legjislacionit. Po ashtu, thuhet se gjatë gjysmës së parë të vitit 2008, ministrat dhe kryeministri kane dështuar gjithnjë e më shumë t'iu përgjigjen pyetjeve parlamentare", ka cituar Haradinaj...

LAJM
Kryeministri Hashim Thaçi tha të dielën, gjatë një vizite në veri të Mitrovicës, se ndarja e Kosovës është e papranueshme dhe është propozim i keq i presidentit serb, Boris Tadiq. "Presidenti Tadiq po sheh ëndrra të kohës së Slobodan Milosheviqit, pasi tani Kosova është shtet sovran dhe demokratik”. Kryeministri tha se Tadiqi pret që së shpejti të ballafaqohet me kërkesën reale për njohjen e pavarësisë së Kosovës, pasi Serbia nuk ka rrugë tjera përveç integrimit në Evropë. Këto komente Thaçi i bëri në një rrugë të fshatit Vinarc, që gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, ku nga afër ka parë punimet që janë duke u bërë në këtë aks rrugor që lidh fshatrat Vinarci i Eperm, Vinarc i Ulët dhe Gushavc. Prej veriut të vendit ai premtoi se dukuritë si kontrabanda do të luftohen në mënyrë që të mbretërojë ligji në tërë territorin e Kosovës. "Në Kosovë dhe as këtu nuk do të ketë vend për krim, korrupsion, kontrabandim, pa dallim nga etniteti", tha ai, por nuk ka folur asnjë fjalë se kur do të mund të rivendosen pikat doganore në veri të vendit, mungesa e të cilave e ka shkaktuar këtë dukuri. Në vizitën që bëri në veri, i shoqëruar me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, dhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, Thaçi shprehu përkushtimin për vazhdimin e investimit në këtë pjesë të Kosovës...

EPOKA E RE

Ambasadori i ri amerikan në Maqedoni, Filip Riker, gjatë vizitës në Tetovë, është takuar me liderët e dy partive më të mëdha shqiptare, BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmeti e Menduh Thaçi. Ai ka diskutuar me ta për zhvillimet e fundit politike ne Maqedoni. Ambasadori Riker, pas takimit me dy liderët shqiptarë, ka theksuar se procesimi i rasteve të Hagës është një çështje e ndjeshme. Sipas tij, për SHBA-të është i një rëndësie të veçantë integrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE. Riker ka theksuar se njohja e Kosovës është një veprim i rëndësishëm që duhet ta bëjë Maqedonia. Nga ana tjetër, edhe Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka treguar rrezikun për fqinjët në rast ndarjeje të Kosovës. "Nëse Kosova nuk konsolidohet si shtet multietnik në kufijtë e tanishëm, ekziston rreziku që çështja e ndarjes të hapet edhe në Maqedoni, Preshevë dhe në Malin e Zi", i ka deklaruar BBC-së Aleksandar Anderson, drejtori i GNK-së për Kosovën. "Duhet të vazhdojë konsolidimi i pavarësisë së Kosovës, i parashikuar në Planin e Ahtisaarit, në kufijtë e tanishëm të pandryshuar dhe të fiksuar. Sipas tij, Maqedonia edhe vetë mund të kontribuojë në këtë drejtim, në qoftë se e njeh Kosovën. Kjo është një situate e rëndë për vendet fqinje: nga njëra anë, ato ndodhen përballë ndikimit të vendeve të BE-së që ta njohin Kosovën, kurse, nga ana tjetër, ndodhen përballë presionit të Beogradit që të mos e bëjnë këtë. Por, nëse e shihni me kujdes Planin e Ahtisaarit, nenet dhe dispozitat e tij, në një masë të konsiderueshme janë në interes te Maqedonisë", ka vlerësuar ai...

KOHA DITORE
I bindur se do të ketë njohje të reja të Republikës së Kosovës para tetë tetorit, kur pritet që në Asamblenë e Përgjithshme në Nju Jork të diskutohet për rezolutën serbe ndaj Kosovës, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, është kthyer të dielën në Prishtinë, për t'ua përcjellë kosovarëve dy lajme nga Nju Jorku, një të mirë dhe një jo të mirë. "Lajmi i mirë nga Nju Jorku është se procesi i njohjeve do të vazhdojë dhe madje shpejt, por ne do t'ua lëmë vendeve që ato të vendosin dhe të shpallin njohjen dhe kemi marrë premtime të shumta nga vendet në fqinjësi të afërme të Kosovës dhe nga vende të tjera të botës, nga vende të Amerikës Qendrore dhe Latine, pasi që edhe nga ajo pjesë e botës mund të priten lajme të mira", ka deklaruar ministri Hyseni në konferencën për gazetarë të mbajtur të dielën në Aeroportin e Prishtinës. Mirëpo, ministri Hyseni, në bazë të kalkulimeve të tij për mënyrën e votimit për iniciativat e tilla të paraqitura në Asamblenë e Përgjithshme të KS të OKB-së, e ka bërë publik edhe lajmin jo të mirë. Duke iu referuar mënyrës së votimit, i cili zbatohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ministri Hyseni ka lënë të kuptohet se mundësitë për miratimin e rezolutës serbe kundër Kosovës janë te mëdha. "Kjo nismë mund të kalojë me ndonjë votë margjinale, arsyeja pse mund të kalojë është shumë e thjeshtë, për shkak të sistemit të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të dizajnuar për të mos bllokuar gati asnjë iniciativë, pasi që çdo iniciativë mund të kalojë me një shumicë të thjeshtë të votave", është shprehur ministri Hyseni...

KOSOVA SOT
Banka Qendrore ka lajmëruar se sistemi bankar i Kosovës për momentin nuk është i prekur nga kriza financiare që ka kapluar shtetet e fuqishme. Megjithatë, ekspertët theksojnë se një krizë financiare në Kosovë është e mundshme, nëse kriza e cila është paraqitur në SHBA dhe Evropë zgjatet. Sipas tyre, kriza në Kosovë mund të paraqitet në dy mënyra: në mungesën e mjeteve në qarkullim, si pasojë e rritjes së kamatave dhe mungesa e investimeve të jashtme, që edhe ashtu mungojnë. Eksperti bankar, Flamur Keqa, thekson se është fatkeqësi mostransparenca e institucioneve, të cilat janë përgjegjëse për menaxhim të krizës dhe komunikim me opinionin kosovar. "Nëse nuk ka krizë, atëherë duhet bindur opinion¬in se mjetet e tyre të deponuara në banka apo në trust pensional nuk i nënshtrohen rrezikut të humbjes", u shpreh Keqa. Masat që duhet të ndërmarrim mund të jenë të llojllojshme, sipas Keqës, por pa e ditur natyrën e rrezikut financiar pak mund të flitet. "Masat duhet të ndërmerren duke bashkëvepruar me bankat komerciale, në identifikimin e rreziqeve dhe sigurimin e kapitalit adekuat për të amortizuar tronditjet eventuale", tha ai. Keqa mendon se Kosova ka pak hapësirë për menaxhim të krizës. "Duke pasur parasysh mungesën e funksionalizimit të politikës monetare dhe mungesës së funksionit si "lender of last resort" për të injektuar mjete likuide në tregun bankar, në rast nevoje, mendoj që kjo e vështirëson shumë përkrahjen afatshkurtër për likuiditet dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj klientëve", shprehet eksperti bankar. Deri më tani sistemi bankar në asetet e tij, sipas Keqes, ka pasur mjete të mjaftueshme likuide...

INFOPRESS
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë planifikon që brenda kësaj jave të përgatisë koncept-dokumentin për ndryshimin e politikave tregtare. Këtë e ka konfirmuar për "Infopress", Lutfi Zharku, drejtues i kësaj ministrie. Sipas tij, brenda kësaj jave pritet të përfundojë hartimi i dokumentit për ndryshimin e këtyre politikave. "Ministria është vonuar pak me përpilimin e këtij plani, me qëllim që të përgatitet një dokument sa më i mirë", ka thënë ministri Zharku. Ai në mesin e muajit gusht pati premtuar se pas një muaji do të përgatitet koncept-dokumenti për ndryshimin. e politikave tregtare. "MTI, gjegjësisht Departamenti i Tregtisë, ka themeluar grupin punues për politika tregtare, i cili është duke punuar bazuar në propozimet e marra nga përfaqësues të ndryshëm të bizneseve dhe institucioneve", ka thënë Zharku. Sipas tij, aktualisht ekziston një bashkëpunim i ngushtë në mes të këtij grupi punues dhe nënkomiteteve të CEFTA-s. "Ndryshimi i politikave treg¬tare mund të reflektohet drejtpërdrejt në mbrojtjen e lëmive të caktuara të prodhimit vendas dhe normalisht në rritjen e punësimit në sektorët që eventualisht do të mund të stimuloheshin me anë të politikave të reja tregtare", ka thënë ai. Sipas tij, këto ndryshime mund të kenë edhe implikime pozitive buxhetore nëse politikat e reja tregtare rezultojnë me rritje neto të tarifave doganore...

BOTA SOT
Qeveritarët e Serbisë hyjnë e dalin nga Kosova sa herë të duan e si të duan. Në raste të veçanta ata i lajmërojnë vizitat e tyre vetëm te UNMIK-u, ndërkaq shpeshherë ata bëjnë vizita në Kosovë, madje pa njoftuar asnjë institucion zyrtar ndërkombëtar në Kosovë. Në rastet e tilla institucionet e Kosovës janë vetëm "spektatorë" që vëzhgojnë lëvizjet poshtë e lartë të zyrtarëve serbë nëpër Kosovë dhe që me ndonjë deklaratë verbale i dënojnë veprimet dhe deklarimet ekstreme të politikave të Serbisë. Hyrje-daljet pa paralajmërim të zyrtarëve shtetërorë e politikë të Serbisë janë shtuar sidomos pas demolimit lë dy pikave kufitare në veri të Kosovës. Nëpër këto dy pika kufitare pos kontrabandimit të mallrave të ndryshme, kontrabandohet edhe politika serbe. Nëpër këto dy pika kufitare hyjnë e dalin pa paralajmërim jo vetëm zyrtarët e Serbisë, por edhe punëtorë të MUP-it serb, e madje edhe individë që kanë kryer krime ndaj popullatës civi¬le shqiptare para dhe gjatë luftës në Kosovë. Herë pas here është shkruar se edhe kriminelë që kërkohen nga INTERPOL-i janë të fshehur në enklavat serbe në Kosovë, kryesisht në veri të vendit. Por, deri kur zyrtarët institucionalë e politikë të Serbisë do të hyjnë në Kosovë pa i njof¬tuar organet shtetërore të Republikës së Kosovës? Kjo pyetje i ka "nxënë ngushtë" paksa zyrtarët vendorë, të cilët pos që kanë premtuar me fjalë, nuk kanë dhënë ndonjë datë të caktuar se kur do t'u vihet ndalesa "NDAL!" politikanëve serbë të Serbisë në pikën kufitare me Kosovën. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në një deklaratë për gazetën "Bota sot", thotë se secili zyrt¬ar që hyn në Kosovë për vizitë gjithsesi duhet të marrë lejen nga institucionet e Kosovës dhe kjo do të ishte në të mirë edhe të tyre. Megjithatë, ai tha se institucionet e Kosovës do të menaxhojnë në kohë kontrollin e kufijve dhe në mënyrë të plotë...

ZËRI
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, dje ka konfirmuar se shefi i tij do të raportojë këtë muaj për Kosovën në Nju- Jork, por se ende janë në pritje të caktimit të datës kur do të mbahet kjo mbledhje. Raportimi në emër të shtetit te Kosovës nga ana e italianit Zannier do të jetë i dyti kësaj radhe, në bazë të mandatit që i jep atij Rezoluta 1244. I pyetur se çfarë do të përmbajë raporti i PSSP-së lidhur me Kosovën, zëdhënësi Ivanko tha se tani për tani ende nuk dihet asgjë, por shtoi se pasi të caktohet data se kur do të mbahet kjo mbledhje, atëherë ata do t'ua dërgojnë raportin anëtarëve të KS të OKB-së. Bëhet e ditur se fjalimi i Zannierit do të jetë më tepër i përqendruar në procesin e rikonfigurimit të pranisë së OKB-së në Kosovë, si dhe për rezultatet e arritura në shtrirjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore...
XS
SM
MD
LG