Ndërlidhjet

Trendet aktuale socio-ekonomike


Kosova vazhdon të ketë trende negative të rritjes ekonomike. Për shkak të krizës socio- ekonomike, çdo vit rreth 29 mijë të rinj hyjnë në tregun e punës, ndërkaq në treg krijohen vetëm 8 mijë vende të reja të punës.

Këto janë vlerësimet nga raporti i Institutit për Hulumtime Zhvillimore Riinvest dhe Aleanca Kosovare e Biznesit, që është publikuar sot. Muhamet Mustafa, kryetar i Institutit Riinvest, thotë se niveli i varfërisë vlerësohet të jetë rreth 40 për qind dhe si rezultat i kësaj situate, ekziston një potencial i madh tek popullata, sidomos tek të rinjtë, për migrim jashtë vendit.

“Përshtypja e përgjithshme është se ecuritë pozitive, të cilat janë aty-këtu, nuk janë aq të forta saqë të na garantojnë një kthesë, e cila është e domosdoshme për të gjeneruar rritjen ekonomike në Kosovë, e cila momentalisht është sa gjysma e vendeve në rajon”,
thotë Mustafa.

Gjatë publikimit të raportit, Alban Zogaj, nga Riinvesti, tha se pavarësisht nga publikimi i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për rritjen e prodhimit të brendshëm për këtë vit rreth 6 për qind, kjo, sipas hulumtimit, nuk mund të jetë më shumë se 3.5 për qind.

Ai, ndërkaq, thotë se edhe inflacioni për periudhën korrik 2007- korrik 2008 është 14 për qind, çka ka bërë që të rritet niveli i papunësisë dhe varfërisë.

“Një tejkalim i situatës do të ishte një përmirësim i qeverisjes dhe politikave ekonomike studimore dhe ngritje e aftësisë për të tërhequr investimet si të jashtme, ashtu edhe vendore”, pohon Zogaj.

Edhe Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se ekonomia kosovare gjendet në krizë, por me mundësi përmirësimi. Ai thotë se me një përgjegjësi dhe me një nivel më të lartë të profesionalizmit në institucionet vendore, gjendja aktuale ekonomike në Kosovë mund të ndryshojë.

“Kjo gjendje mund të tejkalohet, por do të tejkalohet niveli i përgjegjësisë dhe niveli i profesionalizmit në institucionet vendimmarrëse, që ato të krijojnë një mundësi më të mirë për investitorët e huaj apo investitorët tanë”, tha Shahini.

Shahini thotë se për daljen nga kriza ekonomike, në rend të parë institucionet e kosovare duhet të formojnë një strategji zhvillimore të Kosovës, për të zvogëluar shkallën e varfërisë.

“Duhet të kemi një strategji zhvillimore dhe kjo duhet të fokusohet drejtpërdrejt në potencialet që i ka. Por, njëkohësisht, duhet të krijohet edhe një strategji për të dalë nga varfëria”,
thotë Shahini.

Raporti i publikuar sot është hartuar në bazë të hulumtimit të 6 për qind të bizneseve private, por edhe informatave të marra nga Enti i Statistikës së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG