Ndërlidhjet

Opozita kosovare kërkon zgjedhje të lira


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Opozita në Kosovë kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të lira në nivelin qendror qysh vitin e ardhshëm. Ndërsa ka një harmonizim që zgjedhjet lokale të mbahen vjeshtën e vitit vijues, lidhur me zgjedhjet parlamentare, partitë në pushtet ende s'kanë një qëndrim identik me opozitën.

Partitë opozitare thonë se i kanë argumentet e tyre pse insistojnë në mbajtjen e zgjedhjeve. Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se data e zgjedhjeve duhet të caktohet qysh tash, pasi që në Kosovë tani është krijuar një realitet i ri, duke rikujtuar se mbajtja e zgjedhjeve nëntë muaj pas tranzicionit kërkohet edhe me planin e Ahtisaarit.

“Vitin e ardhshëm duhet të ketë zgjedhje lokale dhe parlamentare, për arsye se obligon Kushtetuta e Kosovës, meqë këto institucione tashmë janë me Kornizën Kushtetuese. Po ashtu, kemi të bëjmë me planin e Ahtisaarit, i cili nëse thirremi në të, duhet të jetë i plotë i realizueshëm dhe jo parcialisht”, thotë Ahmet Isufi.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se i kupton edhe kërkesat që vijnë nga opozita. Por, sipas tij, kjo çështje duhet të shtrihet në një debat të gjerë me spektrin politik, që ai sipas autorizimeve kushtetuese i bën si president i Kosovës para se eventualisht të shpallet ndonjë datë e zgjedhjeve të lira.

“E dini se zgjedhjet lokale duhet të mbahen në nëntorin e vitit të ardhshëm dhe natyrisht është cikli parlamentar katërvjeçar. E nëse do të ketë konsensus të përbashkët të subjekteve politike për të shkuar në zgjedhje tjera në procese të mëhershme, është çështje e tyre, e natyrisht se këto do t’i shtrojmë edhe në bashkëpunime institucionale, por tash për tash nuk ka diçka të kësaj natyre”,
tha presidenti Sejdiu.

Në anën tjetër, nënkryetari i Aleancës Kosova e re, Ibrahim Makolli, thotë se mbajtja e zgjedhjeve është obligim kushtetues, pasi që pas shpalljes së pavarësisë, Kosova më nuk ka institucione të përkohshme, por institucione shtetërore që mandatin e tyre e kanë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Nëse tash kemi një gjendje krejt tjetër edhe politike, edhe juridike në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës, futjes në fuqi të saj, kemi një gjendje krejt tjetër politike e juridike që domosdoshmërish drejton kah mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe krijimi i institucioneve që janë në pajtim pastaj me Kushtetutën”,
tha Makolli.

Bazuar në mandatin e zgjedhjeve të fundit, institucionet në nivelin lokal kanë mandat deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm, kurse ato në nivelin qendror deri në fund të vitit 2011.

Por, opozita thirret edhe në një nen të pakos së Ahtisaarit, i cili kërkon që pas kalimit të tranzicionit, Kosova të shpallë zgjedhjet e lira në një afat prej nëntë muajsh.

Sidoqoftë, mbajtja e zgjedhjeve mbetet edhe çështje konsensusi politik, përderisa një rol të veçantë në vendimin definitiv se a do të ketë apo jo vitin tjetër zgjedhje në nivelin qendror, do ta ketë edhe interpretimi i pakos së Ahtisaarit nga ana e shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, si autoriteti që ka mandatin ndërkombëtar për të mbikëqyrur zbatimin e këtij dokumenti gjithëpërfshirës për statusin.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG