Ndërlidhjet

ICO: Beogradi të pranojë EULEX-in


Pieter Feith
Pieter Feith

Zyra Civile Ndërkombëtare në Prishtinë i bën thirrje Beogradit të heqë dorë nga kundërshtimi i tij sa i përket shtrirjes së EULEX-it në Kosovë. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, thotë se kundërshtimi i Beogradit ndaj EULEX-it nuk i kontribuon rrugës së Serbisë drejt BE-së.

Serbia nuk mund t'i ofrohet Bashkimit Evropian duke kundërshtuar shtrirjen e misioneve të këtij mekanizmi në tërë territorin e Kosovës, sepse pavarësia e Kosovës është proces i përfunduar, i pakthyeshëm dhe i mbështetur nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian.

Kështu tha Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Prishtinë, Pieter Feith, gjatë një debati të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, ku u diskutua për Kosovën e passtausit, politikën e jashtme dhe për vendin e saj në diplomacinë botërore.

Me gjithë kundërshtimet e Beogradit zyrtar dhe të serbëve lokalë për shtrirjen e misionit për sundim të ligjit dhe polici të Bashkimit Evropian nëpër Kosovë, Feith ritheksoi nevojën e funksionalizimit sa më të shpejtë të EULEX-it në vend. Ai po ashtu garantoi se Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë është e gatshme të luajë rolin që është dedikuar me planin e presidentit Ahtisaari.

"Në këtë fazë duhet t’u bëhet e qartë miqve tanë serbë se nuk do të jetë e mundur për Serbinë t'i ofrohet institucioneve të Bashkimit Evropian, duke shkaktuar probleme dhe pengesa sa i përket angazhimit të EULEX-it. Me fjalë të tjera, EULEX-i duhet të funksionalizohet paralelisht me hapa të tjerë, që konsiderohen si ndihmëse për Serbinë drejt BE-së", tha Feith.

Përveç kundërshtimit të shtrirjes së misioneve të BE-së në Kosovë, Serbia kohë më parë ka paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara një rezolutë, sipas së cilës, i kërkohet Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë të shprehet për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Feith e cilësoi legjitime, por jo edhe ndihmëse për Qeverinë serbe një kërkesë të këtillë.

"Iniciativa për t'i kërkuar një mendim këshillues Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, iniciativë kjo e cila do të shqyrtohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së brenda kësaj jave, është legjitime, sepse çdo anëtar i OKB-së mund t’i referohet Asamblesë me kërkesat e tij, por nuk do të jetë ndihmëse në kontekstin aktual në të cilin jemi”.

“Nuk do të jetë ndihmëse as për aspiratat e Beogradit për t'iu ofruar institucioneve të BE-së, duke pasur parasysh se shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë njohur pavarësinë e Kosovës", shtoi ai.

Duke folur për politikën e jashtme të Kosovës dhe veprimet e saj në rrafshin global sa i përket lobimit për njohje të shtetit, publicisti Veton Surroi hodhi një lum kritikash ndaj udhëheqësve të institucioneve shtetërore të Republikës. Ai tha se rruga e deritanishme e Kosovës në ndërtimin e politikës së jashtme ka qenë e shkurtër dhe joproduktive.

"Rruga e deritanishme dhe e shkurtër e ndërtimit të politikës së jashtme është e pamjaftueshme dhe siç e pamë joproduktive. Për të ndërtuar një politikë të jashtme të qëndrueshme nevojitet një marrëveshje brenda shoqërisë, për atë se çka janë prioritetet bazike të shtetit prej një perspektive, duke filluar nga ajo afatshkurtër e deri te ajo afatgjatë. Për të bërë këtë, duhet ndeshur nevojat afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata në realitetin e sotëm", vlerësoi Surroi.

Sipas Surroit, problemet me të cilat është ballafaquar Kosova që pas shpalljes së pavarësisë, nuk kanë ardhur si pasojë vetëm e diplomacisë së fuqishme serbe në arenën ndërkombëtare, por si mungesë e kapaciteteve si shtet i plotë. Ai e quajti të papërfunduar shtetin e Kosovës për tri arsye.

"Kosova është shtet i papërfunduar në tri segmentet kyçe të ekzistencës: tërësia tokësore e vendit është e rrezikuar që nga dita e parë e pavarësisë me ndarjen de facto të një pjese të territorit të shtetit; dy, pavarësia e Kosovës është e kontestuar dhe ende nuk ka krijuar legjitimitetin e plotë ndërkombëtar, pra ende jemi në përpjekje e sipër për të rrumbullakuar legjitimitetin tonë ndërkombëtar; dhe tre, formula e pavarësisë së mbikëqyrur ende nuk ka hyrë në funksion", theksoi ai.

Kosova vazhdon të ballafaqohet me një mori problemesh që kanë të bëjnë me politikën e brendshme, por edhe atë të jashtme. Ndikimi i Beogradit mbi serbët lokalë dhe kundërshtimi ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës kanë shkaktuar shumë sfida për institucionet e vendit sa i përket menaxhimit të politikës brenda, por edhe jashtë Kosovës.
XS
SM
MD
LG