Ndërlidhjet

EULEX-i në Kosovë - punë e kryer


Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës konsiderojnë se funksionimi i misionit të ri në Kosovë, EULEX, është vendim i kryer. Këto deklarata janë bërë pas atyre të Beogradit zyrtar, se Beogradi do ta pranonte këtë mision nëse ai legalizohet nga Këshilli i Sigurimit me një komunikatë ose deklaratë presidenciale. Nga ana tjetër, analistët politikë pohojnë se Beogradi zyrtar ketë çështje po mundohet ta diskutojë për përfitime të veta.

Autoritetet në Prishtinë nuk i vlerësojnë të rëndësishme idetë e Beogradit zyrtar se ai do ta pranonte misionin e EULEX-it, nëse ky mision legalizohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Vendosja e misionit të EULEX-it, prania e të cilit vazhdon të kundërshtohet nga komuniteti serb në vend, tashmë është punë e kryer - vlerësojnë përfaqësues të ekzekutivit kosovar.

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës, thekson se çështja e funksionimit të misionit të ri në Kosovë, është vendim i kryer. Madje, sipas tij, përfaqësuesit e misionit të EULEX-it shumë shpejt do të marrin mandatin e plotë, siç parashihet edhe në pakon e Ahtisaarit.

"Po, mendoj se çështja e EULEX-it është çështje e kryer. Çështje kryesore mbetet implementimi apo zgjerimi i tij në terë territorin e Kosovës. Natyrisht që këtu ka nevojë për një bashkëpunim të plotë edhe në mes të vetë Nju Jorkut, apo edhe në nivelin Nju Jork-Bruksel. Por, nga Kosova dhe qytetarët e Kosovës, në veçanti nga Qeveria, besoj që çdo gjë është e qartë”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, analisti për çështje politike, Lulëzim Peci, konsideron se ideja që misioni i Bashkimit Evropian, i koduar me emrin EULEX, të "legalizohet" me anë të një deklarate presidenciale ose komunikate nga Këshilli i Sigurimit, ka qenë si mundësi edhe më herët. Ai vlerëson se Beogradi zyrtar këtë çështje po mundohet ta diskutojë për përfitime të veta.

"Kjo nuk është vetëm ide e Beogradit. Kjo është ide që ka qarkulluar në Unionin Evropian që një kohë. Mirëpo, Beogradi po tenton që me përkrahjen e kësaj formule të nxjerrë avantazhe të veta për sa i përket fazës së mëtejshme të integrimit në Bashkimin Evropian dhe e ka sjellë në nivel të pazarit këtë çështje", tha analisti Peci.

Nga ana tjetër, Qeveria e Serbisë edhe pse vazhdon të kundërshtojë misionin e ri të BE-së, EULEX-in, në Kosovë, kohëve të fundit ka dhënë disa deklarata se Beogradi do ta pranonte këtë mision nëse ai legalizohet nga Këshilli i Sigurimit me një komunikatë ose deklarate presidenciale.

Por, kjo ide, sipas analistit Peci, nuk mund të përjashtohet si opsion, i cili do ta lehtësonte vendosjen e këtij misioni.

"Deklaratë presidenciale – po ndoshta është e mundur, nuk mund ta përjashtojmë këtë si mundësi",
tha ai.

Ndryshe, për zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi, funksionimi i misionit EULEX nën ombrellën e OKB-së do të jetë i natyrshëm dhe, sipas tij, me kohë do të kalojnë të gjitha përgjegjësitë te misioni EULEX.

"Të gjitha bisedimet shkojnë në drejtim të asaj që EULEX-i të marrë mandatin e plotë, ashtu siç është paraparë edhe me dokumentin e presidentit Ahtisaari, dhe UNMIK-u të përfundojë mandatin sa më shpejt që të jetë e mundur dhe duke mbetur me një bashkëpunim të nivelit të një zyre të OKB-së në Kosovë. Por, ajo çka dua të them, është se mandati qoftë politik, qoftë mbikëqyrës në Kosovë është kryesisht te EULEX-i, ndërsa te UNMIK-u është mandat transitor, i cili duhet të përfundojë", tha Kuçi.

Nga bazat ku do të mbështetej nxjerrja e një deklarate presidenciale nga Këshilli i Sigurimit do të ishte një raport me shkrim i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, rreth bashkëpunimit në Kosovë mes OKB-së dhe BE-së. Në këtë mënyrë do të definohej përfundimisht ombrella e OKB-së për EULEX-in dhe do të hapej rruga për largimin definitiv të UNMIK-ut edhe nga fushat e sundimit të ligjit.
XS
SM
MD
LG