Ndërlidhjet

logo-print

Iniciativa serbe do të kalojë?


Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Një ditë para seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku pritet të diskutohet për nismën e Serbisë kundër Kosovës, analistët kosovarë thonë se ajo mund të kalojë, por, sipas tyre, shtetet e mëdha do ta përkrahin edhe më tej Kosovën.


Analistët politikë në Kosovë konsiderojnë se me kalimin e kohës po rritet mundësia që rezoluta e Serbisë, e cila vë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, të kalojë në seancën e radhës së Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa, thonë ata, po ulen mundësitë e bllokimit të kësaj nisme.

Analisti Ismajl Hasani thotë se edhe nga deklaratat e fundit të zyrtarëve qeveritarë vihet në pah se ajo nismë mund të kalojë.

"Tani, mundësia e kalimit të një rezolute të tillë nuk është më hipotetike. Ajo mund të kalojë duke pasur parasysh konsolacionin e forcave brendapërbrenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por, sidoqoftë, edhe prononcimet e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës çojnë në atë drejtim, çka do të thotë se ekzistojnë hipotetikisht mundësitë që të kalojë një rezolutë e tillë, që do t’i rekomandohet Gjykatës së Hagës", thotë Hasani.

Pavarësisht asaj se a do të kalojë apo jo iniciativa e Serbisë në seancën e OKB-së, zoti Hasani mendon se shtetet e fuqishme, të cilat e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës, do të jenë edhe më tutje në anë të saj.

"Mendoj se forcat që sot e përbejnë të ashtuquajturin koalicion demokratik të shtetit të ri të Kosovës, nuk do të qëndrojnë anash edhe pas kësaj, edhe pse Kosovën nuk e presin do të thosha ditë aq të lumtura, sidomos në këtë fazë, në të cilën mund të paraqitet ndonjë stepje e vendeve, të cilat mund të jenë në fazën parapërgatitore për njohje ndërkombëtare të Kosovës", tha analisti Hasani.

Nga ana tjetër, edhe profesoresha e së drejtës ndërkombëtare, Iliriana Islami, thotë se kërkesa e Serbisë mund të kalojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas saj, kjo gjykatë do të vendosë në harmoni me rregullat e së drejtës ndërkombëtare.

“Ne Asamblenë e Përgjithshme, ku kërkohen mendime, opinione, mund të aplikohet edhe shumica e thjeshtë. Kështu që ka shumë gjasa që rezoluta e kërkuar nga Serbia të kalojë. Mirëpo, ne nuk duhet të frikësohemi edhe aq shumë prej kësaj rezolute, për shkak se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të vendosë në harmoni me rregullat e së drejtës ndërkombëtare. Kështu që edhe rasti i Kosovës është plotësisht në harmoni me rregullat e së drejtës ndërkombëtare", thotë zonja Islami.

Zonja Islami, veç tjerash, mendon se një nga pengesat që mund të ketë Kosova, nëse iniciativa e Serbisë kalon në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të jetë periudha kohore derisa gjykata të japë vlerësimin. Ajo konsideron se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë çështjen e lobimit.

"Institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë që me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare të lobojnë, të paraqesin se me të vërtetë kemi të bëjmë me një shtet që është demokratik, që i respekton standardet ndërkombëtare. Kryesisht barra mbetet te ne - një, të punojmë sa më shumë dhe dy - të lobojmë dhe ta pasqyrojmë një imazh të ri të shtetit të Kosovës", tha zonja Islami.

Sipas analistëve, në rast se nisma serbe megjithatë kalon dhe merr miratimin e OKB-së, ajo mund ta zvarrisë edhe më shumë procesin e njohjes së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG