Ndërlidhjet

Gates: Ndarja s'është dhe s'do të jetë zgjidhje


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, gjatë takimit me udhëheqësit kosovarë në Prishtinë, 7 tetor 2008.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, gjatë takimit me udhëheqësit kosovarë në Prishtinë, 7 tetor 2008.

"Nuk besoj që ndarja është pjesë e zgjidhjes tani apo në të ardhmen. Shtetet e Bashkuara mbështesin integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, gjatë qëndrimit në Kosovë.


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, ka tërhequr vërejtjen në Prishtinë se ndarja e Kosovës nuk është pjesë e zgjidhjes tani dhe nuk mund të jetë as në të ardhmen. Ai i bëri këto komente në Aeroportin e Prishtinës, pas takimit që ka zhvilluar me autoritetet më të larta qendrore në Kosovë.

"Do të them se nuk besoj që ndarja është pjesë e zgjidhjes tani apo në të ardhmen. Shtetet e Bashkuara mbështesin integritetin territorial të Kosovës", ka thënë zoti Gates, duke e ritheksuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Gjatë bisedave të zhvilluara me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota, shefi i Pentagonit tha se është diskutuar edhe ruajtja e nivelit të tanishëm të pranisë së forcave amerikane në Kosovë.

"E ritheksoj zotimin që presidenti Bush i ka dhënë këtyre njerëzve të këtij rajoni dhe partnerëve tanë në NATO, se kemi hyrë bashkë dhe do të dalim bashkë. Natyrisht, të gjithë jemi duke pritur ditën kur, siç ka thënë presidenti Bush, paqja të jetë e vetëqëndrueshme këtu",
tha sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Ai ka bërë të ditur se, përveç urimeve që ua ka përcjellë liderëve të shtetit më të ri në botë, vizita e tij në Kosovë ka edhe një synim tjetër.

"Dua t'i falënderoj trupat tona që veprojnë këtu. Shpeshherë dëgjojmë për zbarkimet që ndodhin në pjesë të ndryshme të botës, por dua personalisht t'ua bëj të ditur pjesëtarëve të KFOR-it se nuk janë të harruar", tha zoti Gates, duke e cilësuar misionin e tyre si thelbësor, gjë e cila, siç tha ai, është bërë jashtëzakonisht e qartë edhe në takimet e sotme.

"Për shkak të përkushtimit dhe profesionalizmit të trupave tona, KFOR-i mbetet institucioni më i respektueshëm dhe më i besueshëm",
tha sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Ai ka shprehur edhe mbështetjen e Qeverisë amerikane për të ndihmuar në themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke ofruar shërbime, pajisje dhe trajnim për të.

"Presim krijimin e një force të përzier dhe profesionale të sigurisë, me një mbikëqyrje civile", ka thënë shefi i Pentagonit.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara kanë për Kosovën dhe popullin e saj.

Ata folën edhe për procesin e deritashëm të njohjes së shtetit të Kosovës, veçanërisht për zhvillimet e fundit në këtë drejtim nga Maqedonia dhe Mali i Zi, duke thënë se mirëpresin sinjalet pozitive që janë dhënë.

Më herët, gjatë ditës, zoti Gates ka thënë se Shtetet e Bashkuara do t'i mbajnë trupat e tyre në Kosovë më së paku deri në fund të vitit 2009, duke nënvizuar mbështetjen për operacionet paqeruajtëse të NATO-s.

Zoti Gates ka hedhur poshtë supozimet se vizita e tij ka për synim t'i dërgojë mesazh Rusisë, e cila ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe e cila është në konflikt me Perëndimin për shkak të luftës me Gjeorgjinë në gusht të këtij viti.

I pyetur se si do të mund të reagojë Rusia për këtë vizitë në Kosovë, sekretari amerikan i Mbrojtjes ka thënë: "Unë nuk e konsideroj Kosovën si pjesë të pragut të Rusisë. Synimi im parësor në Kosovë është t'i vizitoj trupat amerikane", ka thënë zoti Gates.

Ndryshe, vizita e zotit Gates në Prishtinë është e para e këtij niveli të lartë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më shumë se shtatë muaj më parë dhe e para e një sekretari amerikan të mbrojtjes që prej vitit 2001. Para nisjes për në Maqedoni dhe Hungari, zoti Gates ka vizituar forcat amerikane në kampin Bondsteel afër Ferizajt.
XS
SM
MD
LG