Ndërlidhjet

Veliq: Ndarja, e papranueshme për serbët e Kosovës


Dragan Veliq
Dragan Veliq

“Shumica e tyre (serbëve) janë kundër çfarëdo ndarjeje të Kosovës, sepse ndarja nuk do të sillte deri te zgjidhja e problemit të Kosovës, por do të krijonte mjaft probleme tjera në regjion dhe më gjerë”, thotë politikani serb, Dragan Veliq.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Veliq, momentalisht në Kosovë është aktuale çështja e shtrirjes së misionit të EULEX-it. Si e shikoni ju këtë proces dhe a mendoni se serbët do ta pranojnë këtë mision?

DRAGAN VELIQ
Unë mendoj se komuniteti serb në Kosovë nuk do ta pranojë këtë mision. Në anën tjetër, jemi të vetëdijshëm se ne nuk mund ta ndalojmë shtrirjen e këtij misioni, por gjithashtu ne askush nuk mund të na bëjë me dhunë të jemi në terren dhe të bashkëpunojmë.

Sigurisht se duhet të zgjidhen mjaft probleme që janë grumbulluar dhe që janë të rëndësishme për komunitetin serb. Ne mendojmë, dhe ky është mendimi i shumicës së serbëve dhe shtetit të Serbisë, se misioni i EULEX-it mund të jetë i pranishëm vetëm me mandatin që do të mund të miratohej në Këshillin e Sigurimit dhe i cili do të ishte neutral dhe do të respektonte Rezolutën 1244.

Çdo mision që do të ishte pa këtë mandat dhe pa miratimin e Këshillit të Sigurimit, si dhe nëse do ta kishte për qëllim implementimin e planit të Ahtisaarit, që nënkupton vendosjen e pavarësisë ose pavarësisë së kushtëzuar të Kosovës, është i papranueshëm nga ne.

RADIO EVROPA E LIRË

Lidhur me misionin e EULEX-it ekzistojnë mendime të ndryshme tek serbët e pjesës qendrore të Kosovës dhe te ata të veriut. Sipas jush, çka do të thotë kjo?

DRAGAN VELIQ
Unë nuk kam dëgjuar se ka mendime të ndryshme, por mund të them se kam dëgjuar disa deklarata në kuptimin që misioni i EULEX-it është realitet. Supozoj se ata që deklarojnë, mendojnë në atë se misioni i EULEX-it thjesht është pjesërisht ose në masë të madhe prezent dhe sigurisht mendojnë në mekanizmat që nuk ekzistojnë që ta pengojnë shtrirjen e këtij misioni në Kosovë.

Nëse mendohet nga kjo anë e realitetit, atëherë e pranoj se ky është realitet. Por, në anën tjetër, realitet është edhe se askënd nuk mund ta detyroni me dhunë që të bashkëpunojë me këtë mision, ta pranojë atë dhe të punojë në planin, i cili tërësisht është i papranueshëm për bashkësinë serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohë më parë ka pasur takime në mes të shefit të UNMIK-ut dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë. Çfarë në të vërtetë kanë kontribuar këto biseda në procesin e dialogut dhe a shihni ndonjë mundësi që ai dialog të zgjerohet edhe në nivelin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

DRAGAN VELIQ
Sigurisht se ekzistojnë mundësitë dhe duhet të bisedohet. Para së gjithash, kemi institucionet legjitime, të them kështu, në përputhje me Rezolutën 1244, dhe ky është UNMIK-u, i cili mund të merret me mjaft çështje që nuk janë kryer, si dhe çështje që janë të lidhura pak a shumë me statusin ose probleme që nuk mund të zgjidhen pa ndonjë precizim të qartë të statusit.

Gjithashtu ekzistojnë edhe mjaft probleme që pavarësisht definimit të statusit, mund të rregullohen. Kështu që nga kjo qasje shoh nëse kemi zgjidhje të problemeve dhe çështjeve që do të jenë neutrale ndaj statusit. Ka mjaft probleme të tilla që kërkojnë zgjidhje dhe mund të zgjidhen.

Këto bisedime janë të nevojshme dhe sigurisht se nevojitet të instalohen edhe mekanizmat për realizimin e asaj që do të ishte rezultat i marrëveshjeve. Por, natyrisht, duhet pasur parasysh që kjo të mos jetë në atë kuptimin që mund të irritojë ose të prejudikojë ndonjë zgjidhje finale.

Kështu që mendoj se bisedimet në relacionin UNMIK dhe përfaqësues të Qeverisë së Serbisë janë pozitive, e më pastaj edhe bashkësitë të kyçen dhe shumë probleme do të ishte e mundur që të zgjidhen mjaft lehtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën veriore të Mitrovicës është hapur gjykata. A prisni diç të ngjashme edhe lidhur me doganën dhe për çfarë do të mund t’i porosisni policët serbë lidhur me kthimin në Shërbimin Policor të Kosovës?

DRAGAN VELIQ
Sa i përket kthimit të gjyqësisë, kjo është e qartë se çdo gjë që është në kuadër të mandatit të Rezolutës 1244 dhe të gjitha ligjeve që janë në përputhje me atë rezolutë, e unë do t’ju përkujtoj që ligjet që nuk janë diskriminuese për bashkësitë dhe që kanë vlejtur deri në vitin 1999, duhet të qëndrojnë. Me to mund dhe duhet të punohet në Kosovë.

Nëse bëhet kjo qasje, atëherë mundet që ajo pjesë e problemit në kuadër të gjyqësisë, të zgjidhet. Gjithashtu, kështu vlen edhe sa i përket gjyqtarëve, prokurorëve dhe të tjerëve që duhet të punojnë në atë gjyqësi. Nëse është në përputhje me rezolutën, është e mundur që të gjenden zgjidhje kompromisi dhe duhet shkuar në këtë drejtim.

Situata është e ngjashme edhe sa i përket policisë. Ne e dimë se jashtë rezolutës dhe mandatit të saj janë bartur kompetencat në institucionet e përkohshme të atëhershme, të cilat në mënyrë të njëanshme e kanë shpallur pavarësinë jashtë së drejtës ndërkombëtare.

Thjesht, në këtë pjesë, ne nuk mund të kemi ndonjë përmirësim nëse ekziston ajo qasje dhe të themi se ky është realiteti. Jo, realitet është edhe ajo që ekziston në terren, e kjo është polici tërësisht e ndarë në baza etnike.

Ekzistojnë zgjidhje me të cilat bashkësia serbe mund të kyçet, por e them edhe një herë, kjo mund të ndodhë në bazë të normativave dhe kornizave ligjore, të cilat janë në përputhje me Rezolutën 1244. Ne kemi dhënë disa propozime lidhur me këtë dhe mendoj se mund të gjendet ndonjë zgjidhje dhe ka mekanizma që do të sillnin përmirësime në këtë proces për të dyja bashkësitë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në fund zoti Veliq, mediat serbe kanë cituar kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq, se ai ka propozuar ndarjen e Kosovës. Ky propozim vjen pas më shumë se 7 muaj që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Si e shpjegoni ju këtë dhe a është kjo e pranueshme për të gjithë serbët e Kosovës?

DRAGAN VELIQ
Ajo që unë mendoj, besoj se kam mendimin sikurse shumica e serbëve të Kosovës, është se shumica e tyre janë kundër çfarëdo ndarjeje të Kosovës, sepse, thjesht, ndarja e Kosovës nuk do të sillte deri te zgjidhja e problemit të Kosovës, por do të krijonte mjaft probleme tjera në regjion dhe më gjerë.

Kështu që mendoj se kjo është e papranueshme, veçanërisht sepse ekzistojnë mjaft modele dhe mundësi që prej gjithë këtij rrëfimi edhe pala shqiptare të marrë pjesë të mirë të asaj që pretendon, por, gjithashtu, edhe bashkësia serbe dhe shteti serb të jenë të kënaqur me një zgjidhje kompromisi, e cila nuk do të kishte rezultat që njëra palë t’i marrë të gjitha, e tjetra të mos ketë asgjë.

Zgjidhja që nënkupton që secili të fitojë diçka nga ndarja, është krejtësisht e papranueshme, për shkak të mjaft arsyeve, historike, politike, si dhe arsyeve të sigurisë. Mendoj se kjo nuk mund të jetë opsion. Dua të them se, për aq sa e kam kuptuar kryetarin Tadiq, të gjitha opsionet janë harxhuar.

Ndërkaq, ne ende nuk kemi filluar që praktikisht të shqyrtojmë asnjë opsion, sepse praktikisht krejt çka ka qenë në kuptimin e marrëveshjeve, ato nuk kanë qenë kurrfarë bisedash. Edhe unë kam qenë pjesëmarrës në disa dhe, sipas meje, ato kanë qenë më shumë bisedime, sesa marrëveshje.

Unë pres që përmes negociatave të vërteta të zgjidhet problemi. Kryetarin Tadiq unë e kam kuptuar në mënyrën - kinse janë shtrydhur të gjitha mundësitë. Por, nuk besoj se opsioni i tij është opsion edhe i Serbisë dhe ajo nuk do ta pranojë opsionin e ndarjes, veçanërisht për shkak se nuk zgjidh asgjë, ndërkaq ekzistojnë opsione tjera, të cilat më duket se janë të pranueshme për të dyja palët.
XS
SM
MD
LG