Ndërlidhjet

McCain e Obama përplasen rreth ekonomisë

  • Heather Maher

Barack Obama dhe John McCain gjatë debatit të dytë televiziv, 7 tetor 2008.

Barack Obama dhe John McCain gjatë debatit të dytë televiziv, 7 tetor 2008.

Kishte shumë pak qëndrime të përbashkëta apo të ngjashme mes kandidatëve presidencialë amerikanë, gjatë debatit të dytë televiziv. Përjashtim bënte Rusia, ku si McCain dhe Obama shprehën drojën se Rusia mund të kthehet në një perandori të së keqes.


Në prag të debatit të dytë televiziv mes kandidatëve presidencialë amerikanë, ekspertët e strategjive politike ndanin të njëjtin mendim; republikani John McCain duhet të bënte një paraqitje të tillë që do mund të pengonte rënien e tij në anketat e opinionit.

Gjatë javëve të fundit, republikani 72 vjeçar ka shënuar rënie të ndjeshme ndaj rivalit të tij, demokratit 47 vjeçar Barack Obama.

Vlerësimet e pas debatit ishin pozitive për McCain, në kuptimin se paraqitja e tij qe më e mirë se në debatin paraprak. Por, vëzhguesit thonë se asgjë e thënë në këtë debat nuk do t'i bëjë votuesit të ndryshojnë mendje.

Nuk përbënte befasi fakti se ekonomia ishte tema kryesore e debatit dhe nuk ishte habi as fakti se të dy kandidatët kishin dallime të thella lidhur me shkaqet e krizës dhe rrugët e zgjidhjes.

Obama ofron zgjidhje përmes shkurtimit të taksave, derisa McCain me rinegocim të kredive.

Demokrati Obama tha se SHBA-të po përjetojnë një krizë financiare më të rëndë se në kohën e "Depresionit të Madh".

"Klasa e mesme ka nevojë për një paketë shpëtimi. Kjo do të thotë shkurtim taksash për shtresën e mesme, çfarë do ta bëjë të mundur që ky grupim të mund të qëndrojë në shtëpitë e veta. Me këtë nënkuptohet ndihmë për shtetet dhe qeveritë lokale që të fillojnë projekte rrugësh e urash, që do t'i lejojnë njerëzit të kenë punë", tha kandidati demokrat Obama.

Rivali i tij republikan, John McCain, paraqiti të tjera qëndrime për zgjidhjen e krizës ekonomike. Nëse zgjidhet president, McCain do të urdhërojë Departamentin e Thesarit të blejë kreditë e dështuara dhe t'i rinegociojë ato për të ndihmuar pronarët e shtëpive në vështirësi.

"Si president i SHBA-ve do të urdhëroj sekretarin e Thesarit që të blejë menjëherë kreditë e këqija dhe t'i rinegociojë ato sipas vlerës së re të shtëpive. Rënia e vlerës së shtëpive do t'u mundësojë njerëzve të bëjnë pagesat e kredive, tashmë më të ulëta dhe të qëndrojnë në shtëpitë e tyre",
tha McCain.

Politika e jashtme ishte sërish pjesë e debatit. Nuk kishte temë të politikës së jashtme ku dy kandidatët kishin dallime më të thella, sesa në Irak.

McCain është ndoshta avokati më i fuqishëm në Kongres për qëndrimin e trupave amerikane në Irak, derisa Qeveria e Bagdadit dhe forcat irakiane të sigurisë të jenë të afta të kontrollojnë vendin.

"Senatori Obama do t'i kthejë trupat tona si humbës. Unë do t'i sjell në atdhe me fitore dhe nder. Kjo përbën dallimin tonë themelor", tha McCain.

Ky i fundit e cilësoi veten si njeri me qëndrime të bazuara dhe të qëndrueshme në politikën e jashtme.

McCain ngriti pikëpyetje serioze lidhur me deklaratat e Obamës se është i gatshëm të sulmojë terroristët në Pakistan pa miratimin e Islamabadit.

Por, Obama iu kundërpërgjigj:

"Nëse ne e kemi në pamje Osama Bin Ladenin dhe Qeveria pakistaneze është e pavullnetshme apo nuk është e gatshme ta kapë, unë mendoj se duhet të veprojmë dhe ta kapim. Ne do ta vrasim Bin Ladenin dhe do ta shkatërrojmë Al Kaidën. Kjo duhet të jetë përparësia jonë kryesore sa i përket sigurisë kombëtare", tha Obama.

Pas debatit në Nashvil do të jetë dhe një debat i fundit mes kandidatëve, që do mbahet në Nju Jork më 15 tetor, vetëm tre javë para zgjedhjeve të 4 nëntorit.
XS
SM
MD
LG