Ndërlidhjet

"OKB - sot vendimi"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Institucionet e Kosovës, më në fund, bënë një hap para, dhe atë vetëm një ditë para se projektrezoluta serbe të hidhet në votim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Nga niveli deklarativ i injorimit disamuajsh të iniciativës serbe, ato, me vonesë, kaluan në veprime konkrete. Të martën, Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, përmes një deklarate drejtuar anëtarëve të OKB-së, ua ka bërë me dije se iniciativa serbe rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës është përpjekje dhe fushatë për të penguar zhvillimin demokratik të Kosovës dhe rajonit. Komisioni për Punë të Jashtme ka kërkuar njohjen e Kosovës nga vendet që deri tani nuk e kanë marrë këtë vendim, si dhe anëtarësimin e saj (Kosovës) në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. "Kjo letër e ka efektin e saj, nuk është bërë sa për t'i kënaqur apetitet tona, por u është dërguar edhe adresave tjera. Për ne shpallja e pavarësisë është legjitime dhe ka artikuluar vullnetin e popullit të Kosovës", tha kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme, Sabri Hamiti. Megjithatë, ai nuk e bëri të qartë për "Lajm" se kujt i është dorëzuar kjo deklaratë. "Është dërguar në zyrat ku duhet të dërgohet". Nga ana tjetër, në adresë të UNMIK-ut, respektivisht në adresë të shefit të kësaj administrate, Lamberto Zannier, i cili aktualisht është mënyra e vetme zyrtare e komunikimit ndërmjet Kosovës dhe OKB-së, nuk ka arritur letra e Komitetit të Jashtëm parlamentar...

EPOKA E RE
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së sot (e mërkurë) do ta shqyrtojë projektrezolutën e Serbisë, me të cilën kërkohet që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të vlerësojë nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Nëse e merr përkrahjen e shumicës, do të jetë kjo kërkesa e 25-të për vlerësimin e ligjshmërisë, të cilat organizata botërore ia dërgon Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që nga themelimi i saj në vitin 1946. Në projektrezolutën e Serbisë, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kërkohet që të përgjigjet në pyetjen "A është pavarësia e Kosovës, të cilën në mënyrë të njëanshme e kanë shpallur institucionet e përkohshme të qeverisjes, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?". Që propozimi i Beogradit të miratohet, është e nevojshme që për të të deklarohen përfaqësuesit e shumicës së vendeve pjesëmarrëse, por jo edhe shumica e numrit të përgjithshëm nga 192 vende të OKB-së. Pra, me rastin e votimit në Asamblenë e Përgjithshme nuk llogariten as ata që mungojnë, as ata që abstenojnë. Nëse propozimi i Beogradit miratohet, kërkesa e cila i dërgohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë bëhet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, kurse se si do të formulohet pyetja, kjo do të varet nga ajo nëse në debat do të jenë amendamentet e propozuara dhe të miratuara...

INFOPRESS

Duke u mbështetur në kompetencat kushtetuese, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka nënshkruar të mërkurën në Prishtinë vendimet për emërimin e Vlora Çitakut në postin e zv/ministres së Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) dhe emërimin e Memli Krasniqit në detyrën e zëdhënësit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. "Këto vendime do të kompletojnë edhe më shumë kapacitetet e qeverisjes në Qeverinë e Republikës se Kosovës dhe do të rrisin performancën dhe efikasitetin e punës së saj", thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës. Ndryshe, dy të emëruarit e kryeministrit të Kosovës për zv/ministre të punëve të jashtme dhe zëdhënës të Qeverisë janë deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kos¬ovës (PDK)... E kontaktuar nga 'Infopress', zv/ministrja e emëruar, Vlora Çitaku, ka thënë se edhe pse MPJ dhe politika e jashtme është një sfidë e vërtetë, ajo megjithatë do të arrijë të japë kontributin e saj. "MPJ është një ministri e cila është krijuar së voni dhe si e tillë ka shumë sfida. Por, unë jam shumë e sigurt që me një bashkëpunim me ministrin dhe ekipin që është në ministri dhe në Qeverinë e Kosovës, do t'ia dalim mbanë". Sipas saj, puna e parë në MPJ është vazhdimi i lobimit dhe rritja e numrit të njohjeve...

BOTA SOT

"Bota sot": Zoti Server, si analist dhe njohës i mirë i çështjeve që kanë të bëjnë me Kosovën, si e shikoni ju ecurinë e gjertanishme të pavarësisë së Kosovës, me njohjen e saj nga 47 shtete? Daniel Server: Po, është e vërtetë. Pavarësia e Kosovës tashmë është njohur nga 47 shtete. Por, ky nuk është numri më i madh që unë shpresoja, sepse për mendimin tim 100 shtete janë më mirë. "Bota sot": Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të debatojë për kërkesë-propozimin e Serbisë, nëpërmjet të cilit Beogradi kërkon nga organizata botërore, që në një formë të një projektrezolute të autorizojë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë të japë mendimin këshillues nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Si e komentoni ju këtë lloj iniciative serbe? Daniel Server: Shumë deklarime të pavarësisë anembanë botës janë ilegale. Edhe pavarësia e Amerikës ishte ilegale me ligjin anglez. Por, ajo nuk e ndryshoi faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës prapë u bënë të pavarura. Çështja kritike është njohja e pavarësisë nga shtetet e tjera. Nuk mendoj se do të dalë njeri t'i thotë Uashingtonit, Londrës, Bonit ose Parisit se ata janë të ndaluar për të njohur pavarësinë e një shteti...

KOHA DITORE
Pjesa dërrmuese e kombeve të lira do të abstenojnë në votimin për rezolutën kundër pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por, megjithëkëtë, është shumë e vështirë të bllokohet çfarëdo nisme në Asamble të Përgjithshme, ka thënë ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, në një intervistë për "Kohën Ditore". Shefi i diplomacisë kosovare nuk e fsheh se gjasat që kjo rezolutë të kalojë janë të mira dhe se kjo do të ketë pasoja, por, ai thotë se Prishtina qysh tani ka përgjigjen edhe sikur të ndodhë një gjë e tillë. Nëse rezoluta do të kalojë, njëri nga veprimet konkrete që MPJ e Kosovës do të ndërmarrë është themelimi i një trupe ekspertësh me renome që do të merret ekskluzivisht me këtë çështje. Ky grup ka gjasa që edhe ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në GJNK për të shtruar argumentet e shpalljes së shtetit të ri. Procedura e paraqitjes së Prishtinës dhe Beogradit para trupës më të lartë të drejtësisë ka gjasa që të zgjasë deri në nëntë muaj...

EXPRESS
Bisedimet rreth instalimit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë kanë stagnuar sërish pas rënies edhe të kandidaturës së Argjentina Grazhdanit, më shumë se katër muaj që kur ligji përkatës është miratuar në Parlament. Kosova do të duhej të fillonte qysh në shtator me punën në shërbimin inteligjent të vendit, për herë të parë në kushte legale, por interesat e palëve të përfshira - Kryeministrit, Presidentit dhe ambasadave - kanë zvarritur në vazhdimësi emërimin e drejtorit, zëvendësdrejtorit dhe inspektorit të përgjithshëm, dhe kështu edhe instalimin e Agjencisë. Drejtori duhet të emërohet bashkërisht nga Kryeministri dhe Presidenti, për shkak të ndjeshmërisë së përgjegjësisë. Faktikisht, rol po kaq të rëndësishëm kanë edhe ambasadat e përfshira në bisedime që po zhvillohen me muaj. Disa emra kanë rënë nga kombinimet e mundshme për shkak se kanë qenë të papranueshëm për një prej këtyre tri palëve. Duket se një disponim i përgjithshëm në favor ka ekzistuar vetëm për emrin e Lulzim Pecit, drejtorit ekzekutiv të KIPRED-it. Por, Peci e kishte refuzuar përgjegjësinë e ofruar. “Kurrë nuk e kam aspiruar këtë punë”, ka thënë të martën për Express Lulzim Peci, duke refuzuar të bëjë komente të tjera...

ZËRI
Pas paralajmërimit të protestës nga Sindikata e Policisë së Kosovës, ministri Zenun Pajaziti ka deklaruar edhe një herë se janë duke bërë gjithçka që është e mundur që të realizojnë ngritjen e pagave të tyre. Ai pohoi dje se ka vështirësi serioze me buxhetin, megjithatë, sipas tij, është bërë një plan profesional dhe ambicioz, përtej mundësive reale buxhetore, por që duhet pritur, pasi që është një proces në të cilin po punohet me përkushtim të madh dhe ekziston një situate optimiste për realizimin. "Për dallim nga shërbyesit civilë, ne në polici kemi bërë një plan për sistem të ri të pagave, që policët të mos paguhen në mënyrën që janë paguar deri sot, por të paguhen sipas përgatitjes profesionale, sipas rrezikshmërisë etj", tha Pajaziti. Pajaziti nuk ka dashur t'i komentojë aktivitetet e Sindikatës së Policisë së Kosovës, por ka kërkuar nga ta që procesi i pagave të mos ndikojë në emërimet e reja, të cilat priten të bëhen së shpejti. Pavarësisht deklaratave të ministrit Pajaziti, Sindikata e Policisë se Kosovës do të protestojë të shtunën në orën 12:00 në Prishtinë, pjesëtarët e së cilës kërkojnë kompletim të legjislaturës, e cila do t’i përmirësonte kushtet e tyre të punës dhe shpërblimit për punën që kryejnë...

KOSOVA SOT
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, kundërshtoi çdo lloj ndarjeje të Kosovës dhe mbështeti pavarësinë e shtetit të ri. I treti i shtetit më të fuqishëm në botë vizitoi Kosovën për të sjellë mesazhin e vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën properëndimore të Kosovës. I pari i Pentagonit mbërriti paradite në Aeroportin e Prishtinës, ku ishin marrë masa të rrepta sigurie dhe u prit nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nga kryeministri Hashim Thaçi dhe nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota. Gejtsi tha para liderëve kosovarë se trupat e KFOR-it do të qëndrojnë në Kosovë, duke rikujtuar deklaratën e presidentit amerikan, Xhorxh Bush: "Bashkë kemi ardhur dhe bashkë do të dalim prej Kosovës". Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, duke komentuar deklaratat për ndarjen e Kosovës, tërhoqi vërejtjen se ndarja nuk është pjesë e zgjidhjes tani dhe nuk mund të jetë as në të ardhmen. "Do te them se nuk besoj që ndarja është pjesë e zgjidhjes, tani apo në të ardhmen. Shtetet e Bashkuara mbështesin integritetin territorial të Kosovës", tha Gejts, duke e ritheksuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të gjithë qytetarët e Kosovës...
XS
SM
MD
LG