Ndërlidhjet

Krasniqi: GJND s'do vendosë kundër vullnetit të shumicës


Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi

“Të gjitha zhvillimet në Kosovë janë bërë mbi të drejtën ndërkombëtare dhe ajo e njeh të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Mendojmë që GJND s’do marrë vendim kundër vullnetit të shumicës”, thotë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pritet të vendosë sot për nismën e Serbisë që të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare mendimin për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Cilat janë pritjet tuaja?

JAKUP KRASNIQI
Realisht, mund të them se kjo çështje është kërkuar dhe si duket i ka tri faza; fazën e parë kërkesa serbe e ka kaluar, tani është faza e dytë kur Asambleja e Përgjithshme duhet ta marrë vendimin për të shkuar në Gjykatën e Drejtësisë kërkesa serbe. Është shumë vështirë të thuhet, por një gjë dihet, është e drejta si duket e anëtarëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të bëjnë edhe kërkesa të tilla.

Ne konsiderojmë që nëse kalon kërkesa serbe, e shohim si një lloj precedenti, se shtetet e ndryshme mund të bëjnë kërkesa të ndryshme për t’u trajtuar në Gjykatën e Hagës dhe mendoj që Gjykata Ndërkombëtare do të merret edhe me lëndë që thjesht nuk janë lëndë të natyrës së Gjykatës Ndërkombëtare.

Por, sido që të jetë, ne mendojmë se proceset në Kosovë kanë hyrë në rrugën e mbarë të tyre. Kosova është shtet i pavarur, është njohur nga një numër i madh shtetesh, tani edhe Portugalia, një nga anëtarët e Bashkimit Evropian, e ka njohur. Do të thotë, procedura e njohjes po vazhdon.

Në anën tjetër, Gjykata Ndërkombëtare edhe po ta trajtonte si lëndë për të dhënë një përgjigje, sigurisht se vendimet e saj nuk janë obliguese për asnjërën palë, janë këshillëdhënëse.

Dhe, ne shpresojmë se të gjitha zhvillimet në Kosovë, dhe jemi të bindur për këtë, janë bërë mbi të drejtën ndërkombëtare dhe në fakt e drejta ndërkombëtare e njeh të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Kështu që mendojmë se Gjykata Ndërkombëtare nuk do të marrë vendim kundër vullnetit të qytetarëve shumicë të Kosovës për shtet të pavarur e sovran.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mund të jenë ndikimet e një vendimi të tillë?

JAKUP KRASNIQI
Ndikimet realisht mund të jenë që ndonjë vend i caktuar të krijojë pengesa për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ne mendojmë që Kosova duhet të aktivizohet jo vetëm në segmentet e veta siç është Ministria e Jashtme, pastaj diplomacia parlamentare.

Por, duhet ndoshta të angazhohen segmente të caktuara të Kosovës, edhe presidenti, edhe kryeministri, që të bëjnë ndikim në vendet që e kanë njohur, që pastaj së bashku me këto vende të bëjnë ndikim të vendet e ndryshme të Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës jugore që vërtet ta bëjnë njohjen e Kosovës.

Në fund të fundit, të gjitha vendet edhe të Afrikës, edhe të Amerikës qendrore e jugore kanë kaluar nëpër luftëra çlirimtare kundër juntave të ndryshme, kundër regjimeve anti-demokratike. Një rrugë të tillë e ka kaluar edhe Kosova dhe mendojmë që duhet të njihet.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund t’i përgjigjet Prishtina? A është bërë ndonjë organizim i ndonjë ekipi ligjor për t’u përballur me këtë çështje?

JAKUP KRASNIQI
Prishtina, nuk e di se sa do të kishte mundur vetë ta bënte këtë. Qeveria, në kohën e fundit, ka ndarë një buxhet dhe ndoshta duhet kërkuar mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë që merren me lobime në këto situata. Mendoj se ka individë dhe segmente të organizuara në vende të ndryshme të botës që mund të lobojnë dhe kohët e fundit qeveria është duke punuar në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit është folur mjaft edhe për idenë e ndarjes së Kosovës, të cilën Prishtina e ka kundërshtuar, por edhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë. Megjithatë, sfidë në vete vazhdon të mbetet shtrirja e autoritetit në veri të Kosovës. Si e shihni ju rrugëdaljen nga situata që është krijuar atje?

JAKUP KRASNIQI
Është një e vërtetë e madhe që ndoshta nga vetë shtyrja e shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së pavarësisë, te një pjesë e qytetarëve serbë të Kosovës, me ndikimin që e ka politika e Beogradit mbi ta, sikur po ekziston një iluzion që Kosova mund të rikthehet në bisedimet me palën serbe në Beograd, gjë që mendoj se çështja e bisedimeve për statusin politik ka përfunduar.

Prishtina dhe Beogradi, si dy vende të pavarura, mund të bisedojnë për çështje të ndryshme. Por, ne besojmë që tani është duke u bërë rikonfigurimi i UNMIK-ut në Kosovë, EULEX-i po shtrihet dalëngadalë në gjithë hapësirën e Kosovës dhe shpresojmë që brenda një kohe të shkurtër edhe qytetarët serbë të Kosovës do të binden se interesi i tyre është në Kosovë dhe integrimi në jetën institucionale në Kosovë.

Ne duhet ngadalë, me bindje, t’i kapërcejmë të gjitha pengesat. Por, opsioni i ndarjes së Kosovës mendoj se edhe me deklaratën e Grupit të Kontaktit është i pamundësuar. Në fund të fundit, ne i dimë parimet e deklaratës së Grupit të Kontaktit për bisedimet në Kosovë.

Dhe, nëse realisht ka pengesa në këtë drejtim ose ka tendenca që Kosovës t’i ndahet një pjesë e saj, atëherë sigurisht se krijohen probleme të reja në Ballkan dhe nuk besoj që komuniteti ndërkombëtar, por edhe interesi i vetë vendeve të rajonit, është për të krijuar vija të reja ndarjesh në kufijtë e rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, aktualisht është duke u zhvilluar një debat mbi privilegjet për deputetët e Kosovës. A ka përplasje midis Kryesisë së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës në këtë drejtim?

JAKUP KRASNIQI
Realisht, në këto momente është krijuar një opinion negativ për institucionin më të rëndësishëm, për Kuvendin e Kosovës, dhe jam i bindur se kjo nuk është në interesin as të qytetarëve që po shqetësohen.

Kuvendi i Kosovës ka një buxhet vjetor diku më pak se 10 milionë euro. Është njëra prej njësive buxhetore më të vogla në buxhetin e Kosovës dhe gjendja ekzistuese në Kosovë nuk është për fajin e Kuvendit.

Por, me krijimin e kushteve të Kuvendit, Kuvendi mund t’i ushtrojë më mirë, më efektshëm detyrat dhe përgjegjësitë e tij për të kontrolluar dhe mbikëqyrur shfrytëzuesit tjerë buxhetorë në Kosovë, që janë shumë më të mëdhenj, më të fuqishëm dhe shpenzues më të mëdhenj të buxhetit.

Në anën tjetër, mendoj se është keqkuptuar, sepse edhe po të bëheshin në tërësi kërkesat për privilegje, buxheti i Kosovës nuk humb nga ato privilegje. Buxheti i Kosovës humb në ditë më shumë se 1 milion euro për shkak të mungesës së kapaciteteve për të mbikëqyrur dhe kufizuar kontrabandën që bëhet në kufijtë e Kosovës.

Mendojmë që fajtorë për këtë gjendje janë ata që e kanë përgjegjësinë për të penguar kontrabandën, për të penguar korrupsionin dhe për t’i luftuar dukuritë tjera në Kosovë. Këtë përgjegjësi e ka faktori ndërkombëtar dhe vazhdon ta ketë në këtë segment.
XS
SM
MD
LG