Ndërlidhjet

SHBA mbështet Maqedoninë në rrugën drejt NATO-s


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, në takimin e ministrave të mbrojtjes të vendeve të Evropës Juglindore - Ohër, 8 tetor 2008.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, në takimin e ministrave të mbrojtjes të vendeve të Evropës Juglindore - Ohër, 8 tetor 2008.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, ka thënë sot në Ohër se objektiv i SHBA-së është t'i sigurojë miqtë dhe aleatët nga vendet e Evropës Juglindore për vazhdimin e angazhimit amerikan.


Ka vetëm një rrugë drejt anëtarësimit në NATO, e kjo është pajtueshmëria e njëzëshme e të gjithë anëtarëve të Aleancës, deklaroi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, pas takimit me kreun shtetëror të Maqedonisë në Ohër, duke theksuar se SHBA-të fuqimisht e mbështesin Maqedoninë në rrugën drejt NATO-s.

"Inkurajojmë Maqedoninë dhe Greqinë që të gjejnë zgjidhje të shpejtë për çështjen e emrit, që është në interes të përbashkët për të dyja palët dhe rajonin, ngase sikurse edhe shumica prej jush, edhe ne ishim të dëshpëruar prillin e kaluar kur Maqedonia nuk mori ftesën
”, ka theksuar sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, duke përsëritur përcaktimin e tij, siç është shprehur, për t’i ndihmuar Evropës jugore që të integrohet në strukturat euroatlantike, siç janë Bashkimi Evropian dhe NATO.

“SHBA-të fort i mbështesin aspiratat e Maqedonisë që të bëhet anëtare e plotë e NATO-s”.

Ndërkaq, ne fjalën hyrëse të takimit të ministrave të mbrojtjes, kryeministri Nikolla Gruevski përkujtoi në aktivitetet që Maqedonia dhe armata e saj i zbatoi në drejtim të përmbushjes së kritereve për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO.

"Maqedonia është këtu e vendosur për të dëshmuar mirëkuptimin si dhe mbështetjen amerikane në procesin e integrimit të vendit në NATO. Maqedonia është e përcaktuar t`i vazhdojë proceset dhe aktivitetet që përfundimisht do të rezultojnë me integrimin e saj të plotë euroatlantik përmes fitimit të anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO, për çka Qeveria gëzon mbështetje të plotë nga qytetarët”.

Gruevski tha se Maqedonia do të vazhdojë promovimin e demokracisë moderne dhe stabile, t`i përforcojë kapacitetet demokratike dhe funksionalitetin e shoqërisë multietnike, ta zhvillojë dialogun politik dhe t`i finalizojë proceset e decentralizimit.

Ministri i Mbrojtjes, Zoran Konjanoski, duke u falënderuar për mbështetjen e fuqishme që SHBA-të ia japin Maqedonisë, theksoi se vendi edhe më tutje me përkushtim do të vazhdojë rrugën drejt integrimit të plotë në BE dhe NATO.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, ministri Konjanoski theksoi se Maqedonia lidhur me çështjen e njohjes së Kosovës do të niset nga interesat e saj nacionale, e me këtë rast do të sillet me përgjegjësi ndaj çështjeve që ndikojnë në përmirësimin e sigurisë së përgjithshme në rajon.

Ndryshe, në takimin e ministrave të mbrojtjes të vendeve të Evropës Juglindore - SEDM, në Ohër, marrin pjesë delegacione të 12 vendeve, anëtare të plotfuqishme të procesit të SEDM-së, si dhe të katër vende që kanë status të vëzhguesit.
XS
SM
MD
LG