Ndërlidhjet

Thaçi: Serbia s’mund ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pritet të debatohet në lidhje me nismën e Serbisë kundër Kosovës. Lidhur me këto zhvillime, kryeministri Hashim Thaçi tha se pavarësia e Kosovës është çështje e kryer dhe se "vetëm ndonjë fuqi e mbinatyrshme mund ta zhbëjë atë".

Nismat e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës nuk do të mund të ndikojnë me asgjë në zhbërjen e shtetit të Kosovës, ka thënë sot kryeministri Hashim Thaçi.

Duke iu referuar debatit për nismën serbe në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara me të cilën kërkohet që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të interpretojë legjitimitetin e shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës, kryeministri Thaçi tha se pavarësia e Kosovës është çështje e kryer dhe se asgjë më nuk mund ta kthejë prapa procesin, përveç, siç u shpreh ai, ndonjë fuqie mbinatyrore.

Kryeministri kosovar edhe sot tha se nga Beogradi, tash për tash, askush në Prishtinë nuk mund të presë nisma të mira, duke pasur parasysh politikën e së kaluarës që ky vend ndjek ndaj Kosovës. Po ashtu, nënvizoi Thaçi, Serbia me këto veprime përpiqet që ta fshehë krimin dhe gjenocidin që ka bërë në Kosovë, pasi që, sipas tij, Beogradi është i vetëdijshëm se pavarësia është proces i pakthyeshëm.

“Pavarësia është çështje e kryer dhe nuk mund të na zmbrapsë në këtë drejtim asnjë iniciativë e Beogradit. Pra, pavarësinë e Kosovës vetëm ndonjë fuqi mbinatyrore mund ta zhbëjë dhe asnjë iniciativë e Beogradit”, tha Thaçi.

Kryeministri kosovar tha se njohja e djeshme e Kosovës nga ana e Portugalisë dhe zotimi i Sllovakisë dhe Rumanisë që t’i pranojnë pasaportat e Republikës së Kosovës, dëshmojnë se Serbia nuk do të mund të ndalë procesin e njohjes dhe shtetësisë së Kosovës në përgjithësi.

“Falënderoj Qeverinë portugeze për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, sovran e demokratik. Ky është një sinjal i qartë se mbështetja dhe njohjet do të vazhdojnë. Në të njëjtën kohë konfirmoj edhe zotimin dhe qëndrimin e dy vendeve tjera anëtare të BE-së dhe NATO-s, Rumanisë dhe Sllovakisë, që të pranojnë pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra, ekziston një mbështetje e përbashkët e BE-së dhe NATO-s
”, u shpreh Thaçi.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës presin që çështja e pavarësisë së Kosovës të marrë miratimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe të shkojë për interpretim para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Dragan Veliq, nga Këshilli Nacional Serb, thotë se interpretimi i Gjykatës mund të zgjasë prej një deri në pesë vjet, çka, sipas tij, do të ishte rast për serbët që të konsolidohen në mbrojtjen e interesave të tyre në Kosovë.

“Një vendim dhe një proces i tillë për serbët do të nënkuptonte një mbështetje që ata të mbetën në Kosovë dhe t’i vazhdojnë angazhimet e përpjekjet e tyre për realizimin e të drejtave dhe interesave të tyre”, thotë Veliq.

Sidoqoftë, përkundër nismës serbe, sot edhe zyrtarisht është konfirmuar se Portugalia e ka njohur Kosovën e pavarur, duke rritur numrin e njohjeve në 48 vende.

Ndryshe, me nismën e vet, Beogradi synon që ta dërgojë çështjen e shpalljes dhe njohjes së Kosovës së pavarur tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duke llogaritur mes tjerash se interpretimi nga ky institucion do të zgjasë për një kohë dhe kështu të zvarrisë edhe vetë procesin e njohjes së mëtutjeshme dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG