Ndërlidhjet

OKB: U miratua rezoluta serbe


OKB
OKB

Asambleja e Përgjitshme e OKB-së e miratoi rezolutën e paraqitur nga Serbia për të kërkuar mendim këshillues nga GJND-ja për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, nëse ajo është ose jo në pajtim me ligjin ndërkombëtar. 77 vende anëtare të OKB-së votuan për, 74 abstenuan, 6 qenë kundër.

Pritet që dy deri në tre vjet të kalojnë derisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ta japë opinionin e saj.

Beogradi ka thënë se këshilla neutrale juridike do të ndihmojë në uljen e tensioneve në rajon, por përkrahësit e Kosovës thonë se ajo do të ngadalësojë integrimin e Prishtinës në komunitetin botëror.

Edhe pse rezoluta serbe është miratuar nga Asambleja, shumë nga 27 vendet anëtare të BE-së kanë abstenuar.

SHBA-të, sikurse edhe Shqipëria, e kanë kundërshtuar atë.

Përfaqësuesja e SHBA-ve, Rosemary DiCarlo, i ka thënë Asamblesë se kërkesa e Serbisë ka qenë e panevojshme dhe jodobiprurëse, për të shtuar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Ambsadaori britanik në OKB, John Sawyers, ka përsëritur përkrahjen e plotë të Londrës për GJND-në, por ka shtuar se kjo nuk nënkupton se e mbështet rezolutën e Beogradit, për të cilën Britania ka abstenuar.

"Arsyeja është se kërkesa e Serbisë është bërë më shumë për arsye politike, sesa juridike", ka thënë ai, për të shtuar se rezoluta "është disenjuar që të ngadalësojë shfaqjen e Kosovës si një komb i pavarur i njohur në masë të madhe ndërkombëtarisht, në institucionet ndërkombëtare të botës, ku edhe ajo do të luante rolin e vet".

Ndarjet në BE kanë qenë të qarta, meqë Qiproja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Spanja mbështetën kërkesën serbe.

XS
SM
MD
LG