Ndërlidhjet

Prishtina reagon ndaj vendimit te OKB-së


Institucionet e Kosovës kanë shprehur keqardhje që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë një mendim këshilldhënës në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes se pavarësisë së Kosovës.

"Ne dhe përkrahësit tanë të shumtë ndërkombëtarë kemi thënë vazhdimisht se çështja e pavarësisë së Kosovës është e zgjidhur dhe e pakthyeshme", thuhet në deklaratë të përbashkët për media të institucioneve të Kosovës.

Ky vendim, sipas tyre, nuk do t'i ndihmojë përpjekjet për të promovuar stabilitet afatgjatë në Kosovë dhe rajon.

Institucionet kanë shprehur besimin se me kalimin e kohës do të ketë njohje të tjera, dhe se ky referim në GJND nuk do t'i pengojë vendet të vendosin për njohje.

Përmes deklaratës për media institucionet e Kosovës kanë thënë se do të marrin pjesë aktivisht në prezantimin e rastit të Kosovës para GJND-së, për të shtuar se presin që shqyrtimet e saj të jenë të drejta dhe të paanshme.

"Çfarëdo që gjykata të thotë në fund në lidhje me pyetjen e cila i është parashtruar, ne do të ndjekim rrugën e zhvillimit dhe përparimit në Kosovën e pavarur, së bashku me partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Kemi filluar procesin e anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, dhe do të punojmë aktivisht për njohje të mëtejme bilaterale nëpërmjet aktivitetit diplomatik dhe aktivitetit ndërkombëtar të sektorëve të ndryshëm të shoqërisë së Kosovës", thuhet në fund të deklaratës.

XS
SM
MD
LG