Ndërlidhjet

Pritjet për vendimin e GJND-së


Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Vënia e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që është votuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, do të sfidojë anëtarësimin apo procesin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, në institucione politike, ekonomike, arsimore, kulturore dhe sportive - thonë analistët. Ndërkaq, qytetarët mendojnë se nuk do të ketë kurrfarë ndikimi negativ për Kosovën. Ata, madje, thonë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta vlerësojë drejt ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Miratimi i rezolutës së Serbisë me shumicë votash nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, që ta nxjerrë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të nxjerrë në pah reflektimet e mundshme, deri në kohën kur kjo gjykatë të sjellë verdiktin e saj këshillëdhënës. Kështu thonë analistët kosovarë për çështje politike.

Analisti Driton Lajçi thotë se Serbia i ka shfrytëzuar mundësitë e saj politike dhe diplomatike për të sfiduar pavarësinë e Kosovës.

“Në radhë të parë, Serbia i ka shfrytëzuar të drejtat dhe privilegjet e të qenit anëtare e OKB-së dhe do të ishte në njëfarë mënyre ‘non-sens’ që një vendi mos t’i lejohet që të kërkojë një mendim juridik nga një organ i Kombeve të Bashkuara, siç është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”.

“Kjo do të sfidojë njohjet e reja të pavarësisë së Kosovës, gjithashtu do të sfidojë anëtarësimin apo procesin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, në institucione politike, ekonomike, arsimore, kulturore dhe sportive”, thotë Lajçi.

Ndryshe, analisti Shkëlzen Maliqi, thotë se vetë nisma e Serbisë që ta vë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare do të jetë kundërproduktive për të, ndërkaq, shton ai, Kosova me këtë nuk ka humbur asgjë.

“Në Kombet e Bashkuara, edhe pa këtë iniciativë, përderisa nuk mblidhet numri i shteteve që siguron një lloj kualifikimi jashtë Këshillit të Sigurimit, edhe ashtu do të ishte vështirë të shkohet".

“Mirëpo, tash, e dini se edhe vetë Serbia ka iniciuar idenë e pajtimit me Bashkimin Evropian, që, në njëfarë dore, ta legalizojë përmes Këshillit të Sigurimit misionin e EULEX-it, deri në fund të vitit. Tash, ky është një hap tjetër, një kundërhap i Serbisë, sepse me këtë iniciativë të kontestimit të pavarësisë, ajo në të vërtetë konfrontohet me vetë Bashkimin Evropian”,
shprehet Maliqi.

Ndërkaq, analisti Lajçi thekson se me këtë veprim, Serbia ka tentuar që, siç thotë ai, të blejë kohë, duke pasur parasysh se praktikat e deritashme kanë treguar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të vonojë deri në 3 vjet sjelljen e verdiktit, e që në këtë rast do të ishte këshillëdhënës dhe jo obligues.

“Serbia i ka treguar opinionit të vet publik dhe nëntokës kriminale serbe se është duke e bërë të pamundurën, duke i përdorur mjetet politike, diplomatike dhe juridike që, mundësisht, ta pengojë shtrirjen e vendeve që do ta njohin pavarësinë e Kosovës”.

“Njohjet nuk do të ndalen. Mesazhin më të qartë, shpresëdhënës dhe kuptimplotë, e ka dhënë Portugalia, si anëtare e BE-së dhe OKB-së, një ditë para mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, porosi që vjen si rezultat i lobimit të vendeve më të fuqishme në botë, politike dhe ekonomike”, thekson Lajçi.

Ndërsa, analisti Maliqi thotë:

“Kjo do të zgjasë, sigurisht, sipas meje, së paku një vit, derisa të sillet ndonjë verdikt dhe ka gjasa që edhe ai verdikt të mos jetë i qartë dhe Serbia edhe me këtë, në të vërtetë, asgjë nuk do të fitojë. Kurse, ndërkohë, ka hapësirë të mjaftueshme që Kosova ta sigurojë njohjen e shumicës së shteteve, që do ta bënte këtë nismë të Serbisë të deklasuar”.

“Unë pres që në disa muajt e ardhshëm të vazhdojë procesi i njohjeve; ka qenë Portugalia, flitet se Mali i Zi do të na njohë dhe ka një sërë shtetesh tjera që kanë treguar gatishmëri, por ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

Sidoqoftë, analistët thonë se ende nuk ka përfunduar, siç e quajnë ata, “loja politike”, dhe se institucionet e Kosovës duhet të përshpejtojnë me ngritjen e kapaciteteve diplomatike, në mënyrë që ta vazhdojnë lobimin për njohjen sa ma të gjerë të pavarësisë së Kosovës dhe ta fitojnë betejën.

* * * * * * * * * *

Pamje në Prishtinë
Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe projektrezoluta që kaloi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nuk do të ketë kurrfarë ndikimi për njohjet e reja të shtetit - thonë qytetarët kosovarë.

Hysni Maxhuni mendon se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të veprojë drejt. Sipas tij, njohjet për Kosovën nuk do të ndalen.

"Unë mendoj se nuk do të kemi kurrfarë pasoje. Ato shtete janë të vetëdijshme se ajo që ka ndodhur me Kosovën, do të jetë edhe më tej ashtu; veç është një bisedë më e lartë. Me siguri që institucionet e Kosovës duhet të kenë një kujdes, duhet një bashkëpunim, një konsultim me këto shtete që na kanë pranuar, për të pasur një përkrahje edhe në gjyq",
thotë Maxhuni.

Nga ana tjetër, edhe Albert Thaçi mendon se nisma e Serbisë nuk do të ketë ndikim të madh në Kosovë, por është skeptik sa i përket njohjeve të reja.

"Nuk besoj që do të ketë pasoja në terren diçka. Mirëpo, ndoshta mund të ndodhë ndonjë shtyrje për pak kohë për njohje. Ndoshta, shtetet e ndryshme do të hezitojnë për pak kohë", mendon ai.

Ndërkaq, Majlinda Isufi, një tjetër qytetare, thotë:

"Po, pasojat janë gjithmonë, çka ka të bëjë me Serbinë. Pasojat i kemi ne si kosovarë. Megjithatë, nëse Kombet e Bashkuara na përkrahin, nuk besoj që do të kemi ndonjë problem".


Kurse, Agim Dibrani shprehet i bindur se Kosova edhe më tutje do ta ketë përkrahjen e shteteve të mëdha.

"Serbia është ditur që bën lojëra. Këto lojëra të saj nuk janë absolutisht efektive, sepse Kosova e ka fituar pavarësinë edhe do ta mbrojë dhe nuk do të dorëzohet para Serbisë, as para bashkëpunëtorëve të saj. Por, me siguri ajo ka dashur për popullin e vet të bëjë një lojë të tillë, gjoja se ‘provova edhe këtë metodë, edhe atë metodë, edhe nuk u bë’”, thotë Dibrani.

Ndërsa, Kapllan Halimi vlerëson:

"Është një fitore diplomatike e politikës së jashtme të Serbisë. Duhet të mbushemi mend ne se si bëhet politika e jashtme dhe çka do të thotë diplomacia në të vërtetë. Pasoja nuk besoj që do të këtë, pasi që jam shumë i bindur se Gjykata Ndërkombëtare do të japë një këshillë pozitive për Kosovën, pasi që pavarësia e Kosovës buron prej vullnetit të popullit dhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara përshkruhet që vullneti i popullit duhet të respektohet. Deputetët e Kosovës vetëm një vullnet të qytetarëve e kanë çuar deri në fund - e kanë miratuar pavarësinë e Kosovës, dhe Gjykata Ndërkombëtare me siguri që këtë do ta ketë para sysh”.
XS
SM
MD
LG