Ndërlidhjet

Kosova - marrëveshje me BE-në


Olli Rehn
Olli Rehn

Komisionari i BE-së për Zgjerim, Olli Rehn, ka nënshkruar marrëveshjen me Qeverinë e Kosovës për mbështetje ekonomike para anëtarësimit. Kjo marrëveshje i siguron Kosovës ndihmën prej më tepër se 122 milionë euro për këtë vit.


Kosova dhe Komisioni Evropian nënshkruan sot Marrëveshjen për mbështetje ekonomike para anëtarësimit, e cila mbështet Kosovën me mbi 122 milionë euro për këtë vit, si pjesë e pakos financiare evropiane, e premtuar në Konferencën e Donatorëve.

Marrëveshja është nënshkruar nga kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, dhe komisionari i BE-së për Zgjerim, Olli Rehn, e ku ishte i pranishëm dhe shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Daviddi, përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Pieter Feith, si dhe ambasadorët dhe shefat e përfaqësive diplomatike të vendeve të BE-së në Prishtinë.

Me këtë rast, komisionari i BE-së për Zgjerim, Olli Rehn, tha se kjo marrëveshje është edhe një dëshmi se Bashkimi Evropian kujdeset për Kosovën dhe popullin e saj dhe e trajton Kosovën si pjesë të integrimeve.

Me mbi 122 milionë eurot që i janë ndarë Kosovës synohet të ndihmohen angazhimet për një shoqëri stabile e shumetnike, ku do të sundojë rendi dhe ligji dhe do të fuqizohen institucionet.

Komisionari Rehn tha se me këtë hap do të bëhet një përparim i mëtejmë në sferën e zhvillimit ekonomik dhe social, që është më se i domosdoshëm në Kosovë.

“Erdha në Kosovë që t’u tregoj të gjithë qytetarëve në Kosovë se sa shumë përkujdeset Bashkimi Evropian për ju dhe perspektiven evropiane të këtij vendi”, tha komisionari Rehn.

Duke u ndërlidhur me rezolutën e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme për mendimin këshillëdhënës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës, Olli Rehn tha se Komisioni Evropian si trup nuk ka kompetenca që të ndikojë në këtë fushë.

“Është normale që Asambleja e Përgjithshme të kërkojë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha Rehn.

Por, sidoqoftë, ai tha se Kosova duhet të vazhdojë tutje zhvillimin e saj ekonomik, duke mos u përqendruar shumë në zhvillimet në Gjykatën e Hagës.

Në anën tjetër, udhëheqësit kosovarë e kanë siguruar komisionarin Rehn se Kosova, si shteti më i ri në Evropë, ka synime të qarta për plotësimin e kritereve për integrim në Bashkimin Evropian.

Presidenti Sejdiu tha se zhvillimi ekonomik është një nga sfidat dhe prioritetet e Republikës së Kosovës.

“Duke shprehur, pa ekuivokë, qasjen e saj themelore për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, Republika e Kosovës është vendi më i ri në glob, e zotuar se do të përmbushë fuqishëm zotimin e saj me projektin e Ahtisaarit dhe me gjithë dokumentacionin tjetër juridiko-kushtetues që ka miratuar. Dëshirojmë që Kosova të vazhdojë me këtë qasje, të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve pa dallim etnie”, tha Sejdiu.

Ndërkaq, kryeministri Thaçi tha se ndihej i nderuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës kishte nënshkruar Marrëveshjen e financimit në kuadër të instrumentit të asistencës së para anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Nga mjetet e ndara, 26 për qind prej tyre do të përdoren për përmbushjen e kritereve politike të Kosovës, 9 për qind për shërbime mbështetëse dhe 8 për qind për harmonizimin e ligjeve të Kosovës në përputhshmëri me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Sot jemi këtu të gjithë së bashku dhe kjo tregon përkushtimin tonë të përbashkët, prioritetet tona të përbashkëta dhe përgjegjësitë tona të përbashkëta”,
u shpreh Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se instrumenti i asistencës së para anëtarësimit i mundëson Kosovës si kandidat i mundshëm për anëtarësim në BE, ndihëm në forcimin e institucioneve demokratike, sundim të ligjit, reformim të administratës publike, promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe realizimin e përkushtimeve të përbashkëta të Kosovës dhe mekanizmave të pranishëm ndërkombëtarë.

Bashkimi Evropian ndan çdo vit fonde mbështetëse për Kosovën, ndërkohë që nga fundi i vitit parashikon të nisë dhe misionin e vet në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.
XS
SM
MD
LG