Ndërlidhjet

logo-print

Mali i Zi dhe Maqedonia njohën Kosovën

  • RFE /RL

Flamuri i Republikës së Kosovës

Flamuri i Republikës së Kosovës

Vendimin për njohje nga Qeveria e Mali i Zi e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i këtij vendi, Milan Roqen, ndërsa, disa orë më pas, ministri i Jashtëm maqedonas, Antonio Milloshovski, ka kumtuar vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për njohjen e Republikës së Kosovës.


Qeveria e Malit të Zi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, njoftoi ministri i Jashtëm, Milan Roqen. Ai tha se vendimi për njohjen ka qenë unanim.

"Qeveria njëzëri ka vendosur ta njohë Republikën e Kosovës", u ka thënë gazetarëve, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, pas një takimi të qeverisë, duke shtuar se vendi i tij do të vë marrëdhënie të plota diplomatike me Kosovën fqinje.

"Vendimi është në përputhje me rezolutën tonë të mëhershme, që synon shpejtimin e rrugës së Malit të Zi drejt integrimit në Bashkimin Evropian", ka thënë Milan Roqen.

Ndërkaq, vendimin për njohje të shtetit të Kosovës nga Maqedonia, e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i këtij vendi, Antonio Milloshovski, i cili tha se vendimi është në funksion të thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve.

“Këtë vendim, Republika e Maqedonisë e miratoi në frymën e të gjitha vendimeve paraprake gjatë 17 vjetëve të kaluara kur bëhet fjalë për rajonin dhe duke u bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal, stabilitetit në rajon dhe avancimit të mundësive për bashkëpunim të ndërsjellë”, tha Milloshovski, duke shtuar se hapi i këtillë do të reflektohet pozitivisht në zhvillimin rajonal dhe pret që i njëjti të kuptohet drejt nga Beogradi zyrtar.

Paraprakisht, Kuvendi i Maqedonisë me 85 vota për, 16 të përmbajtura dhe vetëm me 1 votë kundër, i dha dritë jeshile Qeverisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Deputetët i thanë ‘po’ rezolutës së paraqitur nga deputetët shqiptarë të partive në pushtet dhe atyre në opozitë.

BDI-ja, PDSH-ja dhe Demokracia e Re konsiderojnë se njohja e Kosovës është zgjidhje reale, me të cilën do të shmangen krizat në rajon, ndërsa me pranimin e realitetit të ri, Maqedonia u bashkëngjitet shteteve perëndimore.

VMRO-DPMNE-ja mbështeti projektrezolutën, ndërsa LSDM-ja kritikoi kryeministrin se ka shfrytëzuar Kuvendin si mburojë në rastin e Kosovës.

Ndryshe, hapi i sotëm i Malit të Zi dhe i Maqedonisë vjen një ditë pasi që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën serbe, e cila i kërkon Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që të japë një mendim këshilldhënës, lidhur me atë nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Mali i Zi kishte votuar pro kërkesës së Serbisë, përderisa Maqedonia ka abstenuar.

Sidoqoftë, njohjet nga Mali i Zi dhe Maqedonia sjellin në 50 numrin e vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe përmbyllin njohjet që i bëhen asaj nga fqinjët, duke përjashtuar Serbinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG