Ndërlidhjet

Prishtina zyrtare mirëpret njohjen nga Podgorica


Qeveria e Malit të Zi

Qeveria e Malit të Zi

Autoritetet qendrore në Prishtinë e quajnë të pritur njohjen e pavarësisë nga Mali i Zi. Ministri i Jashtëm i vendit, Skënder Hyseni, thotë se njohja nga Podgorica zyrtare dëshmon faktin se nuk do të ketë bllokim, por do të ketë edhe njohje të tjera të Kosovës nga bota.

Prishtina zyrtare ka mirëpritur njohjen e Republikës së Kosovës nga Mali i Zi. Ministri i punëve të Jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni, e cilëson njohjen e shtetësisë së Republikës nga Podgorica si hap të rëndësishëm për Kosovën dhe tërë stabilitetin në rajon. Ai shpreh bindjen se edhe Maqedonia së shpejti do të njohë pavarësinë e Kosovës.

"Njohja që i ka bërë Mali i Zi Kosovës sot dhe njohja që pritet t'i bëjë Maqedonia janë treguesi më i mirë që Kosova po vazhdon në rrugën e sigurt të konsolidimit të shtetësisë dhe të pavarësisë së saj. Këto njohje janë në interes të paqes, të stabilitetit afatgjatë dhe janë një kontribues i pazëvendësueshëm i qetësisë në të gjithë rajonin", tha Hyseni.

Njohja e shtetit të Kosovës nga Mali i Zi vjen një ditë pas miratimit të rezolutës serbe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, përmes së cilës kërkohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Ksoovës. Shefi i diplomacisë kosovare, Hyseni, e cilëson si dëshmi faktike për mosrealizimin e qëllimit të Beogradit njohjen e vendit nga shteti i 49-të me radhë.

"Po, është ditur kaherë që idetë që fshihen pas veprimit të Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme nuk do të kenë sukses. Pavarësia e Kosovës është fakt, është e përfunduar dhe nuk mund të zhbëhet në asnjë mënyrë", shtoi ai.

Lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi kanë reaguar edhe drejtuesit e Qeverisë së Kosovës. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj e ka cilësuar këtë njohje si mjaft të vlefshme për kohën kur kjo ndodhi.

"Lajmi për njohjen e Kosovës nga Qeveria e Malit të Zi është akt më shumë sesa njohje, pasur parasysh kohën dhe rrethanat në të cilat vjen", tha Manaj.

Zëvendëskryeministri Manaj e ka quajtur njohje të pritshme dhe ka shtuar se Mali i Zi ka treguar gatishmëri për të pranuar realitetin e krijuar në Kosovë.

"Njohja e pavarësisë së Kosovës nga vendi ynë fqinj, nga Republika e Malit të Zi, vjen në momentin më të pritur, më të mirëpritur dhe më të rëndësishëm dhe është dëshmi jo vetëm e gatishmërisë për të njohur një realitet tashmë të krijuar, por edhe për të ndërtuar marrëdhënie të bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë në mes të dy vendeve tona", konsideroi numri dy i ekzekutivit kosovar.

Mali i Zi është shteti i dytë fqinj dhe shteti i tretë me radhë, pas Sllovenisë dhe Kroacisë, që ka dalë nga ish-federata e Jugosllavisë e që njeh Kosovën. Kuvendi i Maqedonisë pritet që pas përfundimit të seancës urgjente, ku po shqyrton rezolutën për njohjen e pavarësisë së Kosovës, të dalë me një qëndrim rreth njohjes.
XS
SM
MD
LG