Ndërlidhjet

logo-print

Në kohën kur Evropa po ballafaqohet me krizën financiare, monedha euro po ashtu i ka problemet e veta. Prej nivelit të lartë ndaj dollarit amerikan, që e kishte arritur në korrik të këtij viti, me ç'rast këmbehej me 1.6 dollar, aktualisht ka rënë nën raportin 1.37. Analistët thonë se kjo pjesërisht reflekton besimin e një pjese të investitorëve se Shtetet e Bashkuara mbase do të dalin më shpejt nga kriza financiare sesa Evropa.

Më herët, këtë vit, shqetësimet për ekonominë e Shteteve të Bashkuara kishin ndikuar që dollari të shënonte rënie ndaj euros në nivelin më të ultë prejse ekziston monedha e përbashkët e pjesës më të madhe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Por, prej fundit të muajit korrik e deri tash, euroja ka rënë në krahasim me dollarin amerikan për afro 14%.

Ky trend është përshpejtuar edhe nga stuhia financiare që nga Shtetet e Bashkuara është përhapur edhe në Evropë. Por, meqë edhe më herët bankat evropiane ishin ballafaquar me shumë probleme, euroja ishte dobësuar.

Ja se si e shpjegon këtë zhvillim, shefi i grupit të ekonomistëve në Qendrën për reforma evropiane në Londër, Simon Tilford:

“Kjo pjesërisht reflekton besimin në një pjesë të investuesve se Shtetet e Bashkuara, përkundër të gjitha problemeve, mbase më shpejt do të dalin nga kjo krizë sesa Evropa”.

Ai thekson se kjo mund të mos jetë e saktë, por, megjithatë, eurozona ballafaqohet me një periudhë të rritjes më të ultë ekonomike, sesa që është menduar.

“Mendoj se njerëzit janë më tepër pesimistë lidhur me Evropën sesa që duhet. Nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara do të dalin shumë më shpejt se Evropa nga kjo krizë, por nuk ka dyshim se eurozona ballafaqohet me periudhë të një uljeje të rritjes ekonomike më të madhe, sesa që është vlerësuar para disa muajsh”,
thotë analisti Tilford.

Sipas tij, edhe faktorë të tjerë kanë ndikuar në rënien e euros. Në këtë aspekt, ai thekson mungesën e përgjigjes së koordinuar evropiane ndaj krizës bankare.

Eksperti Ian Stannard, nga BNP Paribas në Londër, thotë se faktor që ka ndikuar në rënien e euros është edhe kërkesa e vazhdueshme për dollarë.

“Thellimi i krizës financiare ka gjeneruar edhe kërkesën e fuqishme për likuiditet në dollarë. Kjo kërkesë ka ndikuar në rritjen e vlerës së dollarit ndaj shumicës së monedhave të tjera, përfshirë edhe euron”, thotë Ian Stannard.

Kriza financiare në Evropë dhe përgjigjja relativisht jo e koordinuar ka ndikuar që disa ta shtrojnë edhe çështjen e vazhdimit të ekzistencës së euros, për shkak të presionit që mund të bjerë në unionin monetar evropian, që përbëhet prej 15 vendeve me ekonomi të ndryshme.

Qeveritë po vazhdojnë rrugën e tyre për t'i ndihmuar bankat. Kjo, në mënyrë domethënëse, do ta rrisë deficitin e buxhetit të shteteve anëtare individuale, me gjasë mbi nivelet që parashihen me marrëveshjen për mbështetjen e euros.

Më tutje, kjo mund të krijojë tensione ndërmjet anëtarëve më të fuqishëm të eurozonës - që kërkojnë shkallë më të lartë të kamatës - dhe të atyre më të dobët, që më tepër u konvenojnë kamatat e ulëta për ta nxitur rritjen ekonomike.

Në një koment në gazetën londineze Daily Telegraph, është thënë se Evropa ballafaqohet me "një varg rrethanash të rrezikshme" për unionin monetar, ku një bankë qendrore e krijon politikën monetare për të gjithë.
XS
SM
MD
LG