Ndërlidhjet

Qytetarët: E rëndësishme njohja nga fqinjët


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Njohja e shtetit të Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi ka një rëndësi të madhe për Kosovën, sepse tash e tutje do të këtë një bashkëpunim edhe më të madh mes shteteve. Kështu vlerësojnë qytetarët.

Ata, madje, thonë se këto njohje mund të quhen edhe historike

Kosova është pjesë e Ballkanit dhe duhet të njihet nga të gjitha vendet, thotë Idriz Rama.

"E vlerësoj si një fakt shumë pozitiv, sepse jemi pjesë përbërëse e Ballkanit dhe po ashtu janë fqinjët tanë të parë. Kjo tregon një seriozitet çështjesh dhe besoj që kjo do të hapë rrugë edhe për njohje të reja", tha ai.

Pas njohjeve që Kosova i ka marrë menjëherë pas pavarësisë, njohjet nga Mali i Zi dhe Maqedonia janë shumë të rëndësishme, vlerëson Halit Palaj.

"Shumë pozitive dhe ka ndikim pas rezolutës që u soll nga ana e OKB-së. I konsideroj si njohje më të forta pas njohjeve që janë bërë në fillim",
tha zoti Palaj.

Kurse, Ardita Blyta thotë:

"Jam shumë e lumtur, meqenëse ata janë fqinjët tanë të parë".

Xhevat Shabani mendon se Maqedonia dhe Mali i Zi është dashur ta paranojë Kosovën shtet edhe më herët

"Natyrisht që kemi pasur dëshirë që të na njohin më herët, por kurrë nuk është vonë. Me fqinjët duhet të bëjmë përpjekje që të bëhemi sa më mirë. Ne duhet të punojmë shumë, duhet të lobojmë shumë dhe duhet t’u tregojmë edhe të tjerëve, nuk duhet të rrimë duarkryq", u shpreh zoti Shabani.

Ndërsa, Argjentina Palaska, njohjen e pavarësisë nga Maqedonia dhe Mali i Zi e konsideron si historike.

"Jam shumë, shumë e lumtur. Kjo është një gjë e madhe për ne. Është një vlerë historike dhe jam shumë e emocionuar që mbrëmë", thotë ajo.

Visar Gashi shpreh bindjen se tash Kosovën do ta njohin edhe më shumë shtete.

"Duhet të ketë njohje të reja. Meqë jemi shtet, duhet të na njohin të gjitha shtetet që ekzistojnë".

Faik Krasniqi pohon se raportet në mes të shteteve fqinje duhet të jenë të mira dhe për ketë, edhe Mali i Zi, edhe Maqedonia, e kanë njohur shtetin e Kosovës.

"E vlerësoj mirë. Ka ardhur koha për ne. Është dashur ta pranojnë më herët",
tha Krasniqi.

Edhe Ejup Misini mendon ngjashëm:

"Jemi të kënaqur dhe u bë një punë e madhe. Serbia ka rënë nga provimi dhe veç po humb kohë".
XS
SM
MD
LG