Ndërlidhjet

Ahtisaari fitoi Çmimin Nobel për Paqe


Martti Ahtisaari
Martti Ahtisaari

Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, e fitoi Çmimin Nobel për Paqe. Në arsyetimin e Komitetit Norvegjez thuhet se çmimi u nda për arritjet e tij në disa kontinente, për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Ahtisaari njihet edhe si njeriu që ka luajtur rolin kyç në dy fazat vendimtare për Kosovën.

Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, e fitoi Çmimin Nobel për Paqe, kumtoi sot Komiteti Norvegjez.

"Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur ta shpërblejë me Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2008, Martti Ahtisaarin, për përpjekjet e tij të rëndësishme në disa kontinente për më tepër se tri dekada, për t'i zgjidhur konfliktet ndërkombëtare", tha kryesuesi i Komitetit norvegjez, Danbolt Mjoes.

Kryesuesi i Komitetit norvegjez të Nobelit, Danbolt Mjoes, pas ndarjes së çmimit, 10 tetor 2008.
Ai tha se zoti Ahtisaari është një ndërmjetësues i shkëlqyeshëm ndërkombëtar. Në këtë kuadër, Mjoes përmendi rolin e ish-presidentit finlandez në ndërmjetësimin e tij për Kosovën.

Në vitin 1999, si i dërguar kryesor i Bashkimit Evropian, Ahtisaari arriti të bindë Sllobodan Millosheviqin që t’i pranojë kushtet e NATO-s për t'i dhënë fund fushatës ajrore në Kosovë.

"Në vitin 1999 dhe përsëri në vitin 2005, e deri në vitin 2007, ai synoi në rrethana veçanërisht të vështira, për të gjetur zgjidhje për konfliktin në Kosovë", tha Mjoes.

Vitin e kaluar, Ahtisaari ishte njeriu kyç që ndërmjetësoi në bisedimet për statusin e Kosovës, e cila u kurorëzua me pavarësinë e bazuar në planin e tij.

"Është një pranim i përgjithshëm se nuk ka kthim prapa. Kosova tash është e pavarur dhe do të fillojë të kërkojë anëtarësim në institucionet financiare ndërkombëtare që ta përmirësojë ekonominë e saj", tha Ahtisaari.

Përveç Kosovës, ish-presidenti finlandez ndërmjetësoi me sukses edhe në zgjidhjen e konfliktit në Aceh të Indonezisë, ndërsa në vitin 2000 u angazhua për zgjidhjen e konflikteve në Irlandën e Veriut, Izrael dhe Bririn e Afrikës.

Në fillim të tetorit, UNESCO gjithashtu i ndau Ahtisaarit Çmimin për Paqe, Felix Houphouet-Boigny, për kontributin e tij jetësor për paqen në botë.
Martti Oiva Kalevi Ahtisaari lindi më 23 qershor 1937, në qytetin Viipuri. Ai u diplomua në Universitetin Oulu në vitin 1959 dhe iu bashkua Ministrisë për Punë të Jashtme të Finlandës në vitin 1965.

Gjatë karrierës së tij politike, ai ka pasur poste të ndryshme diplomatike. Ishte ambasador i Finlandës në Zambi, Somali dhe Mozambik dhe ndihmoi mbikëqyrjen e Namibisë drejt pavarësimit të saj nga Afrika e Jugut në vitet 1977-1981.

Në vitet 1994-2000, derisa ishte president i Finlandës, Martti Ahtisaari e udhëhoqi vendin e tij drejt Bashkimit Evropian dhe eurozonës, duke u bërë i njohur kështu si një burrështetas që me lehtësi i trajton çështjet botërore.
XS
SM
MD
LG